Të drejtat islame të njeriut
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i22264-të_drejtat_islame_të_njeriut
Në këtë edicion do të flasim rreth dinjitetit njerëzor në të drejtat islame të njeriut.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Korrik 21, 2016 10:48 Europe/Tirane

Në këtë edicion do të flasim rreth dinjitetit njerëzor në të drejtat islame të njeriut.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionet e kaluara kemi folur rreth të drejtës për të jetuar si e drejtë më parësore e njeriut. Thamë gjithashtu se sistemi i të drejtave islame për secilin person njeh zyrtarisht dy lloje të jetës, atë materiale dhe shpirtërore. Jeta materiale i përket trupit fizik dhe jeta shpirtërore i përket shpirtit dhe psiqikes së njeriut. Zoti i madhëruar i ka dhuruar njeriut të drejtën e jetës dhe gjallërisë si një amanet në mënyrë që ai të shfrytëzojë më së miri jetën e tij dhe të bëjë përpjekje për shëndetin e shpirtit të tij dhe të njerëzve të tjerë. Mbrojtja e këtij amaneti hyjnor, është detyrë e çdo njeriu. Mirëpo jeta shpirtërore ndodhet në një shkallë më të lartë se sa jeta materiale dhe Islami ka një përkushtim të veçantë ndaj aspektit shpirtëror të jetës së njeriut. Ky lloj i jetës së njeriut nuk është respektuar në asnjë shkollë njerëzore aq sa është respektuar në fetë hyjnore, sidomos në fenë islame. Në asnjë prej dokumenteve të të drejtave të njeriut nuk është përmendur jeta shpirtërore e njeriut. Kjo është për arsye se baza e dokumenteve të të drejtave të njeriut është marrë nga të menduarit materialist të mendimtarëve perëndimore dhe kufizohet vetëm me periudhën e jetës së trupit të njeriut në këtë botë.

Sipas pikëpamjes së feve qiellore, jeta e njeriut nuk kufizohet vetëm me jetën fizike në këtë botë, për arsye se ai që është i rëndësishëm dhe i pavdekshëm tek njeriu, është shpirti njerëzor. Me vdekjen, jeta nuk përfundon. Vetëm shpirti i njeriut lirohet nga kafazi i trupit dhe fillon jetën e tij shpirtërore. Prandaj, jeta shpirtërore ka lidhje të ngushtë me shpirtin njerëzor dhe ky shpirt ka natyrë hyjnore. Të gjithë ne jemi përgjegjës për shpirtin tonë dhe ekzistojnë rreziqe të cilat kërcënojnë shpirtin tonë. Për këtë arsye, rreziku i faktorëve që kërcënojnë jetën shpirtërore të njeriut është shumë më i madh se sa rreziku i faktorëve që kërcënojnë jetën materiale të njeriut. Shembulli më i mirë i vdekjes së jetës shpirtërore, është devijimi i njeriut. Një prej dëmeve më të dalluara shpirtërore, është përhapja e ideve të devijuara dhe predikimi i veprimeve të këqija dhe i degjenerimit moral dhe shoqëror.

Në fetë hyjnore, e drejta e jetës gëzon një shenjtëri. Prandaj është e natyrshme që asnjë individ nuk mund të veprojë ashtu si të dëshirojë me jetën e tij shpirtërore ose materiale. Mirëpo kur jeta të bëhet e shenjtë, atëherë njeriu fillon të zbatojë vlerat hyjnore në jetën e tij. Në këtë mënyrë, çdo njeri ndjenë përgjegjësi jo vetëm ndaj jetës së tij, por edhe ndaj jetës së të tjerëve, edhe nëse ky veprim nuk do të ketë kurrfarë dobie për atë. Njeriu me këtë veprim, bënë çdo gjë ka mundësi në rrugën e ringjalljes së njeriut dhe për të ruajtur dhe mbrojtur dinjitetin e të tjerëve. Kjo është për arsye se duhet të respektohet shpirti njerëzor sepse ai gëzon dinjitet.

Një prej çështjeve shumë të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut, filozofisë dhe moralit, është dinjiteti njerëzor, për arsye se kjo çështje është themel dhe bazë e shumë të drejtave, privilegjeve dhe detyrave njerëzore. Dinjiteti njerëzor do të thotë nderi, krenaria, respektimi, shkalla dhe pozita njerëzore. Në dokumentet e të drejtave të njeriut, koncepti i dinjitetit njerëzor është si një vlerë qenësore e pandashme e njeriut nga e cila rrjedhin të gjitha të drejtat njerëzore. Të gjithë njerëzit pavarësisht situatës dhe pozitës shoqërore që kanë si gjinia, raca, gjendja fizike dhe shpirtërore, gëzojnë dinjitet njerëzor. Në të gjitha dokumentet përkatëse me të drejtat e njeriut ekziston termi dinjiteti dhe pozita njerëzore. Prandaj, në tekstin ose në parathënien e dokumenteve si Karta e Kombeve të Bashkuara, Deklarata Botërore e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave Qytetare dhe Politike, Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave Ekonomike dhe Shoqërore, si dhe në tekstin e shumë konventave të të drejtave të njeriut është trajtuar çështja e dinjitetit njerëzor.

Në Kartën e Kombeve të Bashkuara thuhet: "Shtetet anëtare të Kartës së Kombeve të Bashkuara në parathënien e këtij dokumenti kanë deklaruar besimin e tyre ndaj të drejtave themelore të njeriut, dinjitetit të njeriut dhe vlerës së personalitetit të njeriut dhe në paragrafin 3 të nenit 1, gjithashtu inkurajimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë, pa kurrfarë dallimi, e kanë quajtur pjesë të qëllimeve të Kombeve të Bashkuara".

Në parathënien e Deklaratës Botërore të të Drejtave të Njeriut dhe në nenin 1 të saj, është njohur dinjiteti qenësor i të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore, janë njohur të drejtat e barabarta dhe të pa transferuara të tyre. Deklarata në mënyrë të theksuar tregon përkushtim ndaj dinjitetit njerëzor dhe duke shtuar kushtin "qenësore" në termin "dinjitet", konsideron se dinjiteti i përket të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore dhe gjithashtu dinjitetin qenësor e konsideron themel të drejtësisë, lirisë dhe paqes globale.

Shumë mendimtarë ekzistencën dhe të vërtetën e njeriut e konsiderojnë me vlerë dhe që meriton respektimin. Prandaj ligjet për të drejtat e njeriut, kushtëzohen me pranimin e të vërtetës së dinjitetit njerëzor.

Një vështrim i shkurt mbi mësimet e feve monoteiste, tregon se këto fe kanë një përkushtim të madh dhe theksojnë në respektimin dhe nderimin e njeriut. Në Islam, dinjiteti njerëzor është një dhuratë hyjnore. Në ajetet kur'anore, ajeti më i qartë i cili flet rreth dinjitetit qenësor të njeriut, është ajeti 70 i sures Isra'e ku thuhet: "Me të vërtetë ne i kemi dhënë dinjitet bijve të Ademit (njerëzve) dhe i kemi transportuar ata në tokë dhe deti dhe i kemi furnizuar ata çdo lloj të ushqimit të pastër dhe i kemi dhënë atyre superioritet ndaj shumë krijesave tona dhe i kemi dhënë atyre mirësi të plotë".

Ky dinjitet gëzon një mbështetje logjike dhe ka rrënjë në aspektin shpirtëror të njeriut, për arsye se Zoti ia ka dhënë njeriut këtë dinjitet. Kur'ani i shenjtë në ajetin 72 të sures Sad flet rreth çështjes së krijimit dhe thotë: "Kur atij t'i jap formë dhe ta vendos shpirtin tim në të, përuluni në sxhde para tij!".

Një nderim dhe respekt kaq i madh, si dhe ky vlerësim nga ana e Zotit nuk është bërë për asnjë nga krijesat dhe gjallesat dhe për këtë arsye njeriu gjen vlerë meritë aq të lartë saqë edhe engjëjt të përulen pranë tij.

Ajetullah Xhavad Amoli, komentuesi i njohur i Kur'anit të shenjtë, në komentimin e këtij ajeti shkruan: "Njeriu, në bazë të faktit që është njeri, mund të jetë i nderuar... Njeriu, ka një shpirt i cili përbënë të vërtetën e tij dhe ky shpirt patjetër është i nderuar".

Dinjiteti i njeriut është një dhuratë e cila sipas Kur'anit të shenjtë, i përket vetëm njeriut nga të gjitha krijesat e tjera dhe asnjë qenie tjetër tokësore nuk është përshkruar me këtë nder kaq të lartë. Kur Zoti i madhëruar flet rreth krijimit të njeriut në ajetet 12 deri 14 të sures Muminun të Kur'anit të shenjtë, thotë: "Ne kemi krijuar njeriun nga një lloj lëngu prej balte dhe pastaj atë e bëmë në formë gjaku (fare) dhe e vendosëm në një vend të sigurt, pastaj atë e shndërruan në gjakun e ngjizur dhe atë e shndërruam në lloj mishi dhe pastaj atë e shndërruam në një lloj të eshtrave dhe i mbuluam ata me mish, pastaj atij i dhamë një krijim të ri. I lartë është All-llahu, më i miri Krijues!"

Sipas komentuesve të Kur'anit, shprehja "i dhamë atij një krijim të ri" ka për qëllim vendosjen e shpirtit në trupin njerëzor. Prandaj, shkak i dinjitetit të njeriut dhe të gjeneratës njerëzore, është pikërisht shpirti hyjnor i tij dhe për arsye se Zoti i madhëruar i ka dhënë këtë shpirt njeriut. Zoti i madhëruar me krijimin e një krijese të tillë, veten e ka quajtur më i miri krijues dhe ky përshkrim nuk është bërë në lidhje me krijimin e asnjë prej krijesave materiale dhe abstrakte duke përfshirë edhe engjëjt.

Nga pikëpamja e Islamit, të gjithë njerëzit duke përfshirë edhe myslimanët edhe jomyslimanët, por edhe abuzuesit, kanë dinjitet njerëzor. Ky vështrim i thellë i fesë islame ndaj njeriut, tregon nivelin e nderit dhe dinjitetit të tij. Ekzistojnë shumë transmetime nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe nga imamët ma'sum (a.s.) që tregojnë nevojën e mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit njerëzor për të gjithë njerëzit. Në këto transmetime është theksuar imuniteti dhe mbrojtja e jetës, nderit, pasurisë dhe e profesionit për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe opozitarët politikë të Shtetit Islamik. Feja Islame nga aspektin i të drejtave shoqërore dhe qytetare, nuk bënë dallim mes myslimanëve dhe jomyslimanëve. Të gjithë kanë të drejta të barabarta.

Një prej shembujve më të rëndësishëm dhe më të bukur mund të vërehet në fjalët e Imam Aliut (a.s.) kur ai i drejtohet Malek Ashtar Nakhai dhe thotë: "Gjithmonë mbushe zemrën tënde me dashuri ndaj qytetarëve. Kujdes dhe mos trajto njerëzit ashtu siç bëjnë kafshët e egra kur i sulmojnë atë për t'i ngrënë! Për arsye se njerëzit ndahen në dy grupe: ose janë vëllezërit e tu fetar ose në krijim janë të njëjtë me ty..."

Ajo çfarë kuptohet nga kjo thënie e Imam Aliut (a.s.) është kjo që njeriu ka dinjitet për arsye se është njeri. Imam Aliu (a.s.) për këtë arsye porositë Malek Ashtarin që të sillet me dashuri të zemrës ndaj të gjithë njerëzve. Në një transmetim tjetër thuhet: "Një ditë Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s.  ishte ulur në një vend  skaj rrugës kur një grup i njerëzve kaloi aty pranë duke përcjell kufomën e një personi hebre. Profeti s.a.v.s. u ngrit në këmbë në shenjë respekti për kufomën dhe shoqëroi grupin disa hapa dhe pastaj u kthye dhe u ulë. Në këtë çast një prej shokëve të tij tha: "O i dërguar i Zotit! Ai ishte një hebre! Profeti s.a.v.s. u përgjigj: "A nuk ka qenë ai njeri dhe i barabartë me njerëzit e tjerë në natyrën njerëzore? Kjo për mjafton që ai ta meritojë respektin dhe nderimin". Pastaj tha: "Idhujtarët gjithashtu janë të barabartë me ju myslimanët dhe gëzojnë të gjithë të drejtat që keni ju".

Deri më tani vërejtëm se të gjithë njerëzit kanë dinjitet njerëzor. Kjo çështje është theksuar edhe dokumente të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe shumë shekuj më parë kjo çështje është paraqitur nga fetë hyjnore. Dinjiteti njerëzor është burim për të gjitha të drejtat e njeriut. Këtu nuk ka dallim mes Islamit dhe të drejtave bashkëkohore të njeriut. Mirëpo Islami flet edhe për një anë tjetër të dinjitetit njerëzor e cila deri më tani nuk është shqyrtuar nga mendimtarët perëndimorë dhe në edicionin e ardhshëm do të flasim rreth saj.