Roli dinamik i Iranit në traktatet ndërkombëtare
Me votën unanime të 122 shteteve kundërshtare të armëve atomike, më 7 Korrik, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u miratua teksti i traktatit që ndalon ndërtimin, testimin, prodhimin, blerjen, posedimin, akumulimin, transferimin, përdorimin dhe kërcënimin për përdorimin e armëve bërthamore në çdo rrethanë.
Përkrahësit e këtij traktati e përshkruan atë si një arritje historike, ndërsa poseduesit e armëve bërthamore e konsiderojnë atë "joreal" dhe thonë se traktati nuk do të ketë efekt në reduktimin e arsenaleve që përmbajnë mijëra mbushje bërthamore. Traktati u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe bartësit e tjerë të armëve bërthamore. Reza Naxhafi, përfaqësuesi i përhershëm i Republikës Islamike të Iranit në ANEA, duke folur në këtë takim tha: "Irani mbështet fuqishëm qëllimin e traktatit për të ndaluar posedimin, përdorimin dhe kërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore në botë". Përfaqësuesi i përhershëm i Republikës Islamike të Iranit në ANEA, duke përmendur dekretin e Liderit Suprem të Revolucionit Islamik të Iranit mbi ndalimin e armëve të shkatërrimit në masë, përshëndeti vendimin e konferencës për t'iu referuar rolit të liderëve fetarë në përpjekjen për të eliminuar të gjitha armët bërthamore në tekstin e traktatit. Republika Islamike e Iranit beson se domosdoshmëria e krijimit të një bote të sigurt është e varur nga shkatërrimi total i të gjitha këtyre armëve. Në këtë kuadër, Irani ka organizuar disa konferenca ndërkombëtare me praninë e ministrave të jashtëm dhe ekspertëve të lartë nga më shumë se 60 vende dhe organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Në një nga këto konferenca, të mbajtur në prill 2011, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik në një mesazh theksoi: "Përveç armëve bërthamore, edhe llojet e tjera të armëve të shkatërrimit në masë, të tilla si armë kimike dhe biologjike, janë gjithashtu një kërcënim serioz për njerëzimin dhe kombi iranian, i cili në vetvete është viktimë e përdorimit të armëve kimike, e ndjen më shumë se popujt e tjerë rrezikun e prodhimit dhe akumulimit të armëve të tilla ".Në mesazhin e Liderit Suprem të Revolucionit Islamik, që gjithashtu është miratuar si dokument i OKB, thuhet: “"Republika Islamike e Iranit është e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme për të luftuar këtë rrezik". Dekreti fetar historik i Liderit Suprem të Revolucionit Islamik për ndalimin e prodhimit dhe përdorimit të armëve bërthamore ishte gjithashtu edhe në këtë mesazh ku ai tha: "Ne e konsiderojmë të ndaluar përdorimin e këtyre armëve dhe përpjekja për të imunizuar qeniet njerëzore nga ky rrezik i madh është një detyrë e të gjithëve".
Armët e shkatërrimit në masë janë padyshim një nga kërcënimet më të rëndësishme globale kundër paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Dëshmitë historike sugjerojnë se përdorimi i këtyre armëve (kimike, mikrobike, bërthamore) ka krijuar katastrofën më të madhe humanitare. Megjithëse poseduesit e armëve bërthamore ngurrojnë të lëshojnë statistika zyrtare për armët e tyre bërthamore, vlerësimet më të fundit tregojnë se në botë ekzistojnë më shumë se 23,000 bomba atomike, nga të cilat rreth 20,000 janë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Diplomacia ndërkombëtare u angazhua në këtë drejtim dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi një numër rezolutash mbi këtë çështje, një nga më të rëndësishmet prej të cilave ishte rezoluta 1665. Asambleja e Përgjithshme e OKB nuk ngulmoi në nevojën e nënshkrimit të një rezolute ndërkombëtare nga të gjitha vendet, veçanërisht nga shtetet poseduese të armëve bërthamore, me qëllim të kontrollit dhe mos-përhapjes së armëve bërthamore. Në rezolutën 2028 të vitit 1965, Asambleja e Përgjithshme gjithashtu kërkoi nga Komiteti 18-anëtarësh i Çarmatimit t'i kushtojë vëmendje çështjes së mospërhapjes së armëve bërthamore. Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, i cili hyri në fuqi që nga viti 1970, u bën thirrje poseduesve të armëve bërthamore që të shkatërrojnë armët e tyre. Traktati NPT u bën thirrje shteteve poseduese të armëve bërthamore të përmbahen nga zhvillimi i armëve të reja bërthamore, nga transferimi i këtyre armëve në vende të tjera, nga dislokimi i këtyre armëve jashtë territorit të tyre dhe nga bashkëpunimi me shtetet e tjera për prodhimin e armëve bërthamore. Megjithëse gjatë gjysmës së shekullit të kaluar çarmatimi bërthamor ishte një përparësi kryesore e Kombeve të Bashkuara, asnjë nga nëntë shtetet që kanë armë bërthamore: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Kina, Franca, India, Pakistani, Koreja e Veriut, si dhe regjimi izraelit si i vetmi posedues i armëve atomike në Lindjen e Mesme, nuk morën pjesë në bisedime. Edhe shumica e vendeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nuk morën pjesë. Sfidat ndaj çarmatimit dhe kontrollit të armëve atomike tregojnë se ende nuk ka një ndryshim të vërtetë në të menduarit rreth armëve bërthamore. Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara kanë luftuar hapur ndaj çarmatimit dhe kontrollit të armëve atomike. Tërheqja nga Traktati kundër raketave balistike, kundërshtimi ndaj ratifikimit të Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore dhe kundërshtimi ndaj Traktatit NPT ka qenë pasojë e këtyre politikave. Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha në një deklaratë të postuar në faqen e internetit të DASH, se Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështesin traktatin. Heather Nauert, zëdhënëse e DASH, në një deklaratë për shtyp, theksoi: ”Bisedimet mbi një traktat që duket se synon ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore përfunduan më 7 korrik në Nju Jork. Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në bisedime dhe nuk do të mbështesin traktatin. Asnjë nga vendet që posedojnë armë bërthamore nuk mori pjesë në këto bisedime dhe asnjë nga aleatët e SHBA që mbështeten në parandalimin afatgjatë bërthamor nuk e mbështeti tekstin përfundimtar (traktatin). "
Republika Islamike e Iranit ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se armët e shkatërrimit në masë, duke përfshirë edhe armët bërthamore, nuk kanë vend në doktrinën e saj të mbrojtjes. Bazuar në këtë, Irani ka marrë pjesë në forume ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore për të mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për të eliminuar të gjitha armët bërthamore dhe për të zbatuar procesin e çarmatimit bërthamor. Me këmbënguljen e shteteve islamike, sidomos vendeve të rajonit të Lindjes së Mesme, përfshirë Republikën Islamike të Iranit, një rezolutë u miratua nga Konferenca e Rishikimit të Traktatit NPT në vitin 1995, e cila thekson krijimin e një Lindje të Mesme pa armë bërthamore. Republika Islamike e Iranit e konsideron prodhimin dhe përdorimin e armëve të tilla në kundërshtim me parimet dhe besimet e saj dhe këtë veprim e cilëson si imoral dhe çnjerëzor. Imam Khomeini (ra), themelues i Republikës Islamike të Iranit, duke dënuar poseduesit e armëve bërthamore thekson: "Nëse ata prodhojnë më shumë bomba atomike, bota mund të shkojë drejt shkatërrimit dhe kjo do të sjellë shumë dëme për popujt e botës. Të gjithë kudo që janë, shkrimtarët, intelektualët, akademikët dhe shkencëtarët në mbarë botën duhet t'i informojnë njerëzit për rrezikun e armëve bërthamore, në mënyrë që masat e njerëzve të rezistojnë kundër dy superfuqive bërthamore dhe të parandalojnë përhapjen e armëve bërthamore”.
Rezoluta e propozuar nga Republika Islamike e Iranit për zbatimin e detyrimeve të vendeve anëtare të traktatit NPT, me fokus në çarmatimin e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme është një nga çështjet e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në sesionin e 66-të. Kjo rezolutë u kërkon vendeve poseduese të armëve bërthamore të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për të shkatërruar tërësisht arsenalin e armëve bërthamore bazuar në parimet e transparencës, të pakthyeshmërisë dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare. Në përfundim të këtij emisioni mund të thuhet se Republika Islamike e Iranit, ka bërë përpjekje të shumta për kundërshtimin e armëve bërthamore dhe si një vend anëtar i traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore, është përpjekur për të arritur çarmatimin bërthamor në të gjitha forumet relevante ndërkombëtare, veçanërisht në Konferencat e Rishikimit të Traktatit NPT dhe në organizmat e tjerë të OKB-së duke përfshirë Komitetin e Parë për Çarmatimin dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Komisionin e Çarmatimit të Asamblesë së Përgjithshme dhe Konferencën e Çarmatimit të Gjenevës për të forcuar procesin e çarmatimit bërthamor dhe zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të dispozitave të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Atomike. Gjithashtu, duhet theksuar edhe mbështetja e Iranit për ndalimin gjithëpërfshirës të ndërtimit, testimit, prodhimit, blerjes, grumbullimit, transferimit, përdorimit dhe kërcënimit të përdorimit të armëve bërthamore në samitet e ndryshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.