Azia Perëndimore dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet
https://parstoday.ir/sq/radio/world-i68195-azia_perëndimore_dhe_sfidat_e_sigurisë_me_të_cilat_përballet
(Një vështrim mbi sfidat e sigurisë në Azinë Perëndimore nga e kaluara deri më tani)
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 02, 2018 07:10 Europe/Tirane

(Një vështrim mbi sfidat e sigurisë në Azinë Perëndimore nga e kaluara deri më tani)

Organizimi i konferencës së dytë për sigurinë e rajonit të Azisë Perëndimore në Teheran me pjesëmarrjen e funksionarëve politikë dhe të analistëve të çështjeve politike, krijoi një rast për të zbërthyer dhe njohur më shumë sfidat e sigurisë në rajonin e Azisë Perëndimore nga pikëpamjet e ekspertëve të kësaj fushe.

Në edicionin që po prezantojmë tani do të mundohemi të shqyrtojmë këtë temë në kuadër të pikëpamjeve dhe temave kryesore të shtruara për diskutim në konferencën e Teheranit.

Rajoni i Azisë Perëndimore në disa shekuj të kaluar ka qenë vend i ndeshjes së interesave të fuqive botërore dhe pikërisht kjo ndeshje interesash është bërë shkak për formimin e marrëdhënieve dhe vendeve me kufi të caktuara. Shumica e kufijve të vendeve të këtij rajoni, do të thotë të Lindjes së Mesme, janë caktuar dhe vizatuar në bazë të konflikteve dhe interesave të fuqive kolonialiste dhe në disa vende janë mbledhur disa grupe etnike të paharmonizuara mes vete duke përbërë kështu një komb.

Me fjalë të tjera, Azia Perëndimore është një prej vendeve kryesore me kriza të shumta në botë, prandaj edhe krizat e reja në realitet kanë rrënjë në pikërisht atë të kaluar kolonialiste të rajonit.

Një vështrim mbi zhvillimet e shekullit të kaluar, tregon qartë se vendet që ndodhen në rajonin e Azisë Perëndimore, nën ndikimin e lëvizjeve dhe politikave kolonialiste, janë drejtuar drejt rrugës së përçarjes dhe ndarjeve territoriale. Në përgjithësi këto zhvillime janë bërë shkak për ndarje kolonialiste dhe si rezultat i kësaj ndarje, janë krijuar edhe rrethanat për veprime ndërhyrëse të faktorëve të huaj.

Në krizat e njëpasnjëshme dhe në konfliktet e rajonit, në të gjitha vendet mund të vërehen gjurmë të këtyre ndërhyrjeve dhe si ata kanë përgatitur rrethanat për krijimin e krizave, tensioneve dhe për prishjen e sigurisë në rajon.

Këto ndërhyrje vazhdimisht kanë sfiduar sigurinë e rajonit.

Nga ana tjetër, formimi i regjimit sionist pas rënies së Perandorisë Osmane dhe vërtetimi i tij pas Luftës së Dytë Botërore gjatë pazarllëqeve të fuqive botërore, vazhdon akoma të jetë si burimi më kryesor i krizave në këtë rajon. 

Tani që ndodhemi në vitet e fundit të dekadës së dytë të shek. 21, rajoni i Azisë Perëndimore gjithashtu po përballet me kriza të komplikuara në fushën e sigurisë. Në fillim të këtij shekulli, gjegjësisht në vitin 2001, me agresionin ushtarak të Amerikës kundër Afganistanit dhe pastaj kundër Irakut në vitin 2003, ky rajon jo vetëm që nuk pati më stabilitet, por edhe vendet me stabilitet dhe siguri relative u përballen me valë të pasigurisë dhe situata shkoi deri në prag të një lufte të plotë rajonale. Vendet perëndimore gjithashtu, duke shfrytëzuar këtë atmosferë të tensionuar, këtë rajon e shndërruan në depo të armëve dhe me nënshkrimin e kontratave disa qindra miliarda dollarë, kanë siguruar tregun e armëve të tyre edhe për shumë vite të ardhshme.

Nënshkrimi i kontratave me mbi 100 miliardë dollarë mes Amerikës dhe Arabisë Saudite në korrik të vitit të kaluar gjatë vizitës së Donald Trump në Arabinë Saudite, është një prej shembujve të këtyre zhvillimeve.

Vazhdimi i krizës dhe ndezja më shumë e zjarrit të luftës në Azinë Perëndimore, në realitet më shumë është kërkesë dhe dëshirë e kompanive prodhuese të armëve në perëndim se sa e çfarëdo institucioni dhe çfarëdo personash. Historia e rajonit të Azisë Perëndimore tregon se shfaqja e luftërave periodike dhe gati të vazhdueshme, ka krijuar një treg shumë të përshtatshëm për shitësit e armëve dhe pajisjeve ushtarake amerikane. Në rrethanat e reja, gjithashtu, Donald Trump duke përhapur frikën nga Irani në rajon dhe duke mbajtur të ngrohtë qendrat e krizës në rajon, sidomos në krizën e Sirisë, ka krijuar këtë atmosferë për vendet arabe të rajonit që ato kanë nevojë për të blerë më shumë armatime dhe pajisje ushtarake. Realiteti është ky që mbajtja aktive e qendrave të krizës dhe vazhdimi i jostabilitetit në rajonin e Azisë Perëndimore, po e çon rajonin drejt militarizimit. Një atmosferë kjo në të cilën krijohet edhe një treg i mirë për blerjen e armëve perëndimore. Nga ana tjetër, ekonomia globale është shumë e varur me qarkullimin stabil të naftës nga Gjiri Persik  dhe kjo çështje e ka shndërruar Azinë Perëndimore në një rajon jashtëzakonisht strategjik.

Në këtë kuadër, qëllimi strategjik i Amerikës është zotërimi i burimeve naftore të vendeve të rajonit. Kjo është për arsye se përfshirja e vendeve të rajonit në kriza gjithëpërfshirëse dhe nganjëherë edhe prania e drejtpërdrejtë në luftë, krijon shpenzime të larta financiare.

Luftërat rajonale mes regjimit sionist dhe vendeve islame në vitet 1948, 1965, 1967, 1973, si dhe agresioni ushtarak i Izraelit në Liban në vitet 1980, kanë treguar se krijimi i krizës dhe përfshirja jo e drejtpërdrejtë e vendeve të rajonit në konflikte të brendshme, konsiderohet strategji më e përshtatshme për objektivat e Amerikës dhe të Izraelit në rajonin e Azisë Perëndimore.  

Projekti i përhapjes së terrorizmit në rajon, gjithashtu zbatohet me këtë qëllim. Tani pasi kanë kaluar rreth 7 dekadave që pushtimet e Izraelit në territoret palestineze, Amerika dhe Izraeli po mundohen që nën petkun e krizave të imponuara mbi rajon, ta vendosin në harresë çështjen e Palestinës dhe ta shndërrojnë atë në një çështje të zakonshme, të parëndësishme dhe të përfunduar.

Në këtë kuadër, pas normalizimit të marrëdhënieve mes disa vendeve arabe si Egjiptit dhe Jordanisë me Izraelin, tani të gjitha përpjekjet janë përqendruar në normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Arabinë Saudite. Këto përpjekje gjatë një vitit të fundit janë konfirmuar në mënyrë të hapur nga autoritetet e Tel Avivit dhe me njohjen zyrtare të Kodsit të shenjtë si kryeqytet të regjimit sionist nga ana e Amerikës, këto lëvizje kanë marrë dimensione të reja dhe kjo tregon se sfidat e sigurisë në rajon janë duke kaluar në fazën pas pushtimit të territoreve të Palestinës.

Regjimi sionist në disa vite të fundit, me krijimin e krizave si ajo e terrorizmit takfirist, është munduar t’i ndryshojë rrethanat ambientale në favor të tij dhe ta ruaj vetën janë vëmendjes ndaj krizave rajonale. Mirëpo ky regjim për ta ruajtur ekzistencën e tij, ka nevojë akoma për vazhdimin e krizave të rajonit.

Duke marrë parasysh këtë realitet, ministri i mbrojtjes së Republikës Islamike të Iranit në konferencën e dytë të sigurisë në Teheran, deklaroi: “Problemi kryesor i rajonit, është terrorizmi dhe mosmarrëveshjet e brendshme të cilat kanë rrënjë në kolonializmin dhe ndërhyrjet e arrogancës botërore dhe në politikat pushtuese, ndërsa shembull i qartë në këtë drejtim është pushtimi i Palestinës në 7 dekadat e fundit”.

Gjeneral Amir Hatami në vazhdim tha: “Zhvillimet e Lindjes së Mesme drejtohen me praninë dhe ndërhyrjen e faktorëve të huaj dhe të forcave ndërkombëtare ndërsa edhe varësia, pavetëdija dhe mashtrimi i disa shteteve të rajonit, gjithashtu nuk kanë qenë pa ndikim në krijimin e atmosferës së konflikteve në Azinë Perëndimore”.

Ministri i Mbrojtjes së Republikës Islamike të Iranit në fund theksoi: “Rajoni i Azisë Perëndimore tani është në periudhën e “ndërrimit të lëkurës” në mënyrë strategjike dhe popujt e rajonit janë vetëdijesuar për identitetin e tyre dhe po flasin rreth të ardhës së dëshiruar të tyre”.