Mësimet higjienike të Islamit, rrugëzgjidhje përball virusit Korona
(last modified Sat, 18 Apr 2020 08:50:37 GMT )
Prill 18, 2020 10:50 Europe/Tirane
  • Mësimet higjienike të Islamit, rrugëzgjidhje përball virusit Korona

Me guxim mund të themi se asnjë fe ose shkollë religjioze dhe materialiste nuk i ka dhënë rëndësi shëndetit të njeriut aq sa i ka dhënë rëndësi feja Islame.

Profeti i nderuar i Islamit Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Dy mirësi janë që njerëzit nuk ua dinë vlerën siç duhet, njëra është shëndeti dhe tjetra është rinia”. Gjithashtu Imam Aliu (a.s.) shëndetin e konsideron mirësinë më të madhe hyjnore për njeriun dhe thekson: “Vetëm me shëndet njeriu mund ta kuptojë kënaqësinë e vërtetë të jetës”.

Shëndeti është një mirësi vlera e të cilës dihet më së mirë në kohën e sëmundjes. Njerëzimi edhe pse gjithmonë është përballur me lloje të ndryshme të sëmundjeve dhe vështirësive, mirëpo sëmundjet epidemike për shkak se janë gjithëpërfshirëse dhe përhapet në përmasa shumë më të gjera dhe brenda një kohe më të shkurt shkaktojnë vdekjen e një numri më të madh të njerëzve, ato i frikësojnë dhe tmerrojnë më shumë njerëzit. Epidemia e Koronas e cila brenda një kohe të shkurt, nga Kina është përhapur në të gjitha vendet e botës, gjithashtu është një prej këtyre sëmundjeve epidemike. Pavarësisht zhvillimeve dhe progresit të madh mjekësor, deri më tani rreth 2 milionë njerëz janë infektuar me këtë virus që quhet Covid-19 dhe kanë vdekur me dhjetëra mijëra persona. Aktualisht mjekët dhe specialistët e farmaceutikës dhe shëndetësisë u kanë dhënë shumë këshilla dhe udhëzime njerëzve për të parandaluar infektimin me virusin Korona. Ndërkohë, Islami si feja e fundit dhe më e përkryer mes feve hyjnore, gjithashtu ka dhënë këshilla dhe udhëzime të çmuara për parandalimin e sëmundjeve epidemike dhe për kurimin e tyre. Me padyshim se këto këshilla higjienike, mjekësore dhe spirituale mund të jenë të vlefshme dhe shumë të dobishme edhe për t’u përballur me virusin e ri dhe të rrezikshëm me emrin Korona.

Me guxim mund të themi se asnjë fe ose shkollë religjioze dhe materialiste nuk i ka dhënë rëndësi shëndetit të njeriut aq sa i ka dhënë rëndësi feja Islame. Profeti i nderuar i Islamit Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Dy mirësi janë që njerëzit nuk ua dinë vlerën siç duhet, njëra është shëndeti dhe tjetra është rinia”. Gjithashtu Imam Aliu (a.s.) shëndetin e konsideron mirësinë më të madhe hyjnore për njeriun dhe thekson: “Vetëm me shëndet njeriu mund ta kuptojë kënaqësinë e vërtetë të jetës”. Imam Xhafer Sadik (a.s.) gjithashtu shëndetin fizik e konsideron një mirësi mbi të cilën nuk mund të vendoset kurrfarë çmimi. Nuk ka qenë e pa arsye se myslimanët duke marrë parasysh këto udhëzime, në shekujt pas shpalljes së Islamit kanë arritur të shënojnë suksese dhe progres shumë të madh në shkencat mjekësore. Një vështrim mbi ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe shumë hadithe të Profetit të nderuar të Islamit Hazretit Muhamed s.a.v.s dhe në shumë këshilla të Ehli Bejtit (a.s.), tregon në mënyrë të qartë se Islami bazën kryesore e ka vendosur mbi parandalimin e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme. Kjo fe e madhe rreth para 1400 viteve, ka dhënë udhëzime dhe këshilla të sakta dhe të qarta gati për të gjitha aspektet e higjienës individuale dhe shoqërore si edhe për ambientin jetësor, prandaj ka kërkuar edhe nga besimtarët që të mos kursejnë asgjë në ruajtjen e shëndetit.

Prej rrugëve më të rëndësishme për të rezistuar përball virusit Korona, është forcimi i sistemit të imunitetit të trupit. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe imamët e nderuar nga loza e Ehli Bejtit të tij, për këtë qëllim kanë porositur përdorimin e bimëve dhe lëndëve ushqimore të ndryshme dhe tani mjekët e mjekësisë tradicionale islame-iraniane po i prezantojnë ato për njerëzit. Mjalti, kanella, trumza, xhenxhefili, hudhra dhe disa komponime të tjera bimore janë disa prej këtyre shembujve. Gjithashtu Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe imamët ma’sum (s.a.) kanë dhënë shumë këshilla dhe porosi për t’iu përmbajtur një diete të drejtë ushqimore, për t’u vetëpërmbajtur nga ngrënia e shumtë dhe për të shfrytëzuar lëndë ushqimore të shëndosha me qëllim që të ruhet shëndeti i trupit. Kur’ani i shenjtë shumë herë ka theksuar se Zoti i madhëruar ka lejuar për ju përdorimin e lëndëve ushqimore të shëndosha dhe të pastra ndërsa ka ndaluar lëndët ushqimore dhe pijet e papastra dhe jo të shëndosha. Imam Xhafer Sadik (a.s.) në shpjegimin e këtyre ajeteve kur’anore, ka thënë: “Zoti i madhëruar i cili e ka krijuar njeriun, e di se çfarë është e dobishme për njeriun dhe çfarë është e dëmshme për atë. Si rezultat, Ai ka lejuar ato gjëra që janë të dobishme dhe ka ndaluar ato gjëra që janë të dëmshme”. Në fenë e pastër Islame, është ndaluar ngrënie e mishit të disa kafshëve që në mesin e tyre është edhe lakuriqi i natës. Nëse do të jetë e drejtë kjo hipotezë se virusi Korona nëpërmjet kësaj kafshe ka kaluar te njeriu, atëherë më shumë kuptojmë urtësinë e mësimeve hyjnore.

Që nga koha e përhapjes së virusit Korona, mjekët gjithnjë kanë kërkuar nga njerëzit që të respektojnë rregullat higjienike dhe pastërtinë dhe në mënyrë të përsëritur t’i pastrojnë duart në mënyrë që të mos infektohen me këtë virus. Ky është pikërisht ai udhëzim të cilin e ka dhënë feja Islame shumë shekuj më parë për myslimanët dhe ka theksuar në masë të madhe në respektimin e këtij udhëzimi. Pastërtia dhe higjiena në Islam është konsideruar shumë e rëndësishme dhe nganjëherë edhe obligim i shkallës së parë. Profeti i nderuar i Islamit Hazreti Muhamed s.a.v.s thotë: “Islami është ndërtuar mbi baza të pastërtisë dhe higjienës”. Ai gjithashtu respektimin e pastërtisë e konsideron prej kushteve të besimit të një myslimani. Prej mësimeve të rëndësishme higjienike të Islamit të cilat duhet respektuar edhe në kushtet normale, është pastërtia e trupit dhe sidomos pastërtia e duarve. Myslimanët për çdo ditë për të falur namazin, duhet të marrin abdest pesë herë në ditë, do të thotë t’i lajnë duart dhe fytyrën. Përveç kësaj, janë bërë edhe shumë udhëzime nga ana e prijësve dhe personaliteteve të shquara fetare për larjen e duarve para dhe pas ngrënies së ushqimit dhe në raste të tjera. Islami gjithashtu çdo person e konsideron përgjegjës edhe ndaj shëndetit të personave të tjerë dhe nëse një person duke mosrespektuar udhëzimet dhe rregullat e higjienës bëhet shkak për sëmundjen e një personi tjetër, ai ka kryer një mëkat. Prandaj, në kohën kur mjekët deklarojnë se kontakti me njerëzit e tjera sjell rrezikun e përhapjes dhe ngjitjes së virusit Korona, një mysliman e ka për obligim që për të ruajtur shëndetin e vet dhe të individëve të tjerë të shoqërisë, t’i përmbahet në mënyrë serioze këtyre udhëzimeve. Gjithashtu edhe pse feja Islame u ka dhënë rëndësi të madhe tubimeve të besimtarëve të vet dhe krijimit të unitetit dhe solidaritetit mes tyre, mirëpo nëse supozohet se këto tubime spirituale mund të dëmtojnë jetën dhe shëndetin e individëve të shoqërisë, feja Islame lejon anulimin e këtyre tubimeve. Prandaj, sot mund të vërejmë se në shumë vende myslimane janë mbyllur edhe vendet dhe objektet e shenjta si xhamitë, është anuluar organizimi i namazit të së premtes si dhe janë anuluar edhe vizitat në vendet e shenjta dhe tubimet e tjera fetare me qëllim që të luftohet përhapja e virusit Korona. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në raste të caktuara i shmangej edhe kontakteve me personat me sëmundje ngjitëse dhe i këshillonte edhe të tjerët që t’i shmangen kontakteve me ata.

Kurimi i sëmundjeve epidemike duke përfshirë edhe përhapjen e viruseve të tillë si Korona, edhe në shkollën islame ndjek rregullat e përgjithshme që sundojnë në të gjithë botën. Nga pikëpamja e fesë islame, Zoti i madhëruar është ai që ka krijuar botën e ekzistencës dhe të gjitha qeniet dhe qiejt dhe tokën. Kryerja e çdo veprimi dhe efekti i çdo fenomeni nuk mund të bëhet ndryshe përveçse me vullnetin dhe lejen e Tij. Duke marrë parasysh këtë ligj të përgjithshëm, i vetmi shërues i sëmundjeve është Zoti i urtë dhe i gjithëdijshëm. Në ajetin 80 të sures Sho’ara në Kur’anin e shenjtë, Hazreti Ibrahim a.s. këtë çështje në mënyrë të qartë e shpjegon dhe thotë: “Kur u sëmura, Zoti i madhëruar më ka shëruar mua”. Mirëpo Zoti i madhëruar në shumë raste, vullnetin dhe dëshirën e vet e realizon nëpërmjet faktorëve të tjerë. Në lidhje me sëmundjen, gjithashtu Ai një pjesë të procesit të kurimit e kryen nëpërmjet mjekut. Pikërisht për këtë arsye, në fenë Islame nuk është e pranueshme që një person në kohën e sëmundjes, me shpresë të marrjes së shërimit nga Zoti i madhëruar, të mos shkojë te mjeku. Ashtu sikur që Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe profetët e tjerë të Zotit në kohën e sëmundjes përveçse bënin lutje dhe kërkonin shërim nga Zoti, ata shkonin edhe te mjeku dhe kalonin procesin e kurimit. Imam Xhafer Sadik (a.s.) në një rast ka thënë: “Një profet i Zotit ishte sëmurë. Tha: nuk do ta kuroj veten në mënyrë që Zoti të më shëroj. Atëherë Zoti i dërgoi shpalljen atij duke i thënë: “Nuk të shëroj ty derisa t’i ta kurosh veten, mirëpo shërimi është nga ana ime”. Në fenë e pastër Islame janë vlerësuar lartë jo vetëm mjekët, por edhe ata persona të cilët përkujdesën ndaj pacientëve të sëmurë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: “Një person i cili bënë përpjekje për t’i plotësuar nevojën e një pacienti të sëmurë, edhe nëse nevoja e atij të sëmurit do t’i plotësohet apo nuk do t’i plotësohet, ai person do të pastrohet nga mëkatet dhe do të bëhet sikur në atë ditë kur ka lindur nga nëna”.

Një prej mënyrave të rëndësishme që ofron Islami për zgjidhjen e probleme duke përfshirë edhe kurimin e sëmundjeve, është duaja dhe lutja pranë Zotit të madhëruar për zgjidhjen e problemit i cili është i vetmi zgjidhës të problemeve. Sot shkencëtarët kanë vërtetuar se besimi fetar i individëve ushtron ndikim të pamohuar në kurimin e sëmundjeve të tyre. Në kohën e lutjeve dhe duave të një personi të sëmurë dhe me dhimbje pranë Fronit Hyjnor, ai e lidh veten në detin e pafund të mëshirës, urtësisë, fuqisë dhe maturisë së Atij i cili është shëruesi kryesor dhe përfundimtar dhe në këtë mënyrë personit të sëmurë i shtohet shpresa në kurim. Imam Ali Reza (a.s.) ka thënë: “Shëndetin tuaj në këtë botë dhe në botën tjetër kërkojeni nga Zoti i madhëruar!”. Është e natyrshme se sa më i fortë që të jetë besimi i një personi te Zoti i madhëruar, lutjet e tij do të kenë ndikim dhe efekt më të madh. Dr. Alexis Carrel, mjek dhe biolog i njohur francez dhe fitues i çmimit Nobel, thotë: “Lutja dhe duaja është forca më e fuqishme të cilën mund ta krijojë njeriu në vete. Unë në profesionin tim si mjek, kam parë njerëz që pasi nuk kanë treguar efekt asnjë prej metodave kuruese dhe asnjë medikament që kemi përdorur, me lutje dhe adhurim janë shëruar nga sëmundjet”. Hazreti Muhamed s.a.v.s. dhe Ehli Bejti (a.s.) kanë përmendur shumë lutje të ndryshme për kurimin e sëmundjeve. Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, ka këshilluar besimtarët që duke respektuar këshillat dhe udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u përballur me virusin Korona, të këndojnë edhe lutjet të cilat i ka kënduar në kohën e sëmundjes Imam Saxhad (a.s.), nipi i Profetit Muhamed s.a.v.s.. Gjithashtu në mësimet e larta njerëzore është theksuar se njeriu para këndimit të lutjes për vete, të lutet edhe për lirimin e njerëzve të tjerë nga sëmundjet dhe vështirësitë në mënyrë që Zoti i madhëruar ta mbulojë atë më shumë me mëshirën e vet. Prandaj, e lusim Zotin e madhëruar që të shërojë të gjithë personat e infektuar me virusin Korona dhe të na japë mundësi neve që duke u mbështetur te Ai dhe duke respektuar këshillat dhe udhëzimet higjienike, të na sigurojë neve përball kësaj sëmundje epidemike!

Tags