Lajmërimet kur’anore (10) (speciale për Ramazanin)
(last modified Tue, 12 May 2020 07:52:57 GMT )
May 12, 2020 09:52 Europe/Tirane
  • Lajmërimet kur’anore (10) (speciale për Ramazanin)

Në këtë edicion do të flasim për përgëzimin dhe lajmërimin e mirë që Kur’ani i shenjë u jep besimtarëve të devotshëm për t’u vendosur në parajsë dhe për qëndruar aty përgjithmonë.

Përshëndetje miq të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Lajmërimet kur’anore”. Lutemi pranë Zotit që të pranohen adhurimet dhe agjërimi juaj pranë Zotit të Madhëruar.

Zoti i madhëruar në raste të ndryshme dhe sidomos në muajin e shenjtë të Ramazanit, dhe me pretekste të ndryshme, krijon rrethanat dhe kushtet për t’i mësuar dhe edukuar robërit dhe si shpërblim të veprave të tilla si agjërimi, falja e namazit, leximi i Kur’anit të shenjtë, ndihma ndaj njerëzve nevojtarë dhe dhënia e lëmoshës etj., ata i bën që ta meritojnë parajsën. Prandaj, dyert e parajsës janë të hapura për ata të cilët me veprat e veta përfshihen në mëshirën hyjnore dhe krijojnë kushtet e duhura për vete që të hyjnë në parajsë.

Një prej lajmërimeve më të bukura të Kur’anit të shenjtë, është vendosja e njerëzve të devotshëm në parajsë. Parajsa është një koncept në të cilin besojnë shumica e feve dhe religjioneve që besojnë në ekzistencën e jetës pas vdekjes. Në bazë të mësimeve të Islamit, parajsa është pozita e fundit e çdo njeri bamirës dhe atje ai do të gëzojë mirësitë e parajsës në masë të veprave të tij të mira. Kur’ani i shenjtë parajsën e përshkruan si qendër të llojeve të ndryshme të mirësive dhe begative hyjnore dhe vendqëndrim të përhershëm të njerëzve të mirë dhe të shpëtuar. Prandaj, banorët e parajsës janë ata që sipas Kur’anit të shenjtë, ana e veprave të mira të tyre në peshoren e gjykimit peshon më rëndë se sa ana e veprave të padrejta. Kur’ani i shenjtë në lidhje me karakteristikat e parajsës, ka folur në shumë ajete për kënaqësitë e shumta shpirtërore dhe spirituale të saj. Ky libër i madh qiellor në shumë pjesë të ndryshme, ka përcaktuar në mënyrë të qartë të gjithë ato vepra të cilat e çojnë njeriun në parajsë dhe e vendosin atë në atë pozitë të lartë. Në këtë edicion do të flasim për lajmërimin dhe përgëzimin që ka dhënë Zoti i madhëruar në ajetet 22 dhe 23 të sures Shura të Kur’anit të shenjtë ku thuhet:

تَرَى الظَّالِمِینَ مُشْفِقِینَ مِمَّا کَسَبُوا وَهُوَ وَاقِعٌ بِهِمْ وَالَّذِینَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ فِی رَوْضَاتِ الْجَنَّاتِ لَهُمْ مَا یَشَاءُونَ عِنْدَ رَبِّهِمْ ذَلِکَ هُوَ الْفَضْلُ الْکَبِیرُ، ذَلِکَ الَّذِی یُبَشِّرُ اللَّهُ عِبَادَهُ الَّذِینَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ...

“Në atë ditë i shikon i shikon zullumqarët të cilët janë shumë të penduar nga veprat që kanë kryer, mirëpo ata i fundos ata. Mirëpo ata të cilët kanë besuar dhe kanë kryer vepra të mira, vendosen në kopshtet më të mira të parajsës dhe çfarëdo që të dëshirojnë pranë Zotit, do të sigurohet për ata. Kjo është një mirësi e madhe. Kjo është pikërisht ajo çfarë Zoti i madhëruar i lajmëron dhe i përgëzon robërit të cilët kanë besuar dhe kanë kryer vepra të mira...”. (Surja Shura, ajeti 22 dhe 23).

Këto ajete të Kur’anit të shenjtë janë argument i qartë për të pasqyruar veprat në ditën e Kiametit. Në atë ditë të gjithë do të shikojnë se mohuesit e ditës së Kiametit do të frikësohen shumë nga dënimi për atë çfarë kanë vepruar dhe për të veprat e këqija të cilat i kanë bërë, ndërsa tani goditen me atë nga e cila gjithnjë janë frikësuar. Mirëpo ata nuk kanë kurrfarë rruge për të ikur nga kjo. Këtu mesazhi i ajetit është ky që veprimi i keq i njeriut nuk sjell asgjë tjetër për njeriun përveç dënimit me zjarrin e ferrit dhe frika nga dënimi në ditën e Kiametit, nuk ka kurrfarë dobie dhe efekti. Mirëpo në vazhdim, ajeti kur’anor përmend rolin e besimit dhe të veprës së mirë në lumturinë dhe shpëtimin e njeriut dhe këta dy i konsideron faktorë që bëhen shkak për shpëtimin e njeriut. Kryesisht shumë ajete të Kur’anit të cilët flasin në lidhje me besimin, shoqërohen me kryerjen e veprës së mirë, për arsye se në logjikën e Kur’anit nuk mjafton vetëm besimi, por besimi ka nevojë të shoqërohet edhe me kryerjen e veprave të mira. Me siguri se një vepër që buron nga besimi te Zoti dhe nga të vërtetat e larta hyjnore, do të jetë një vepër e mirë dhe e pëlqyeshme. Zoti i mëshirshëm nuk e kufizon veprën e mirë vetëm për një grup dhe lloj të veçantë. Në ajetin 124 të sures Nisa të Kur’anit të shenjtë, Zoti i madhëruar ka vendosur barazi në këtë çështjeje dhe ka thënë se gruaja dhe mashkulli nëse janë besimtarë dhe kryejnë vepra të mira, do të hyjnë në parajsë. Zoti i madhëruar ka urdhëruar robërit e Ti që kryejnë vepra të mira dhe bamirësi. Ai i do ata të cilët bëjnë bamirësi dhe ata që kryejnë vepra të pëlqyeshme dhe gjithnjë mëshira dhe mirësia e Tij është me ata të cilët janë bamirës. Asnjë vepër e mirë nuk mbetet larg nga shikimi i Zotit, prandaj shpërblimi për ata që kryejnë vepra të mira është i rezervuar pranë Zotit të madhëruar.

Premtimi i Zotit të mëshirshëm dhe fisnik është ky që në botën tjetër veprat e çdo personi vlerëson dhe peshohen në peshoren e drejtësisë hyjnore. Ata të cilët dalin me kokën lartë në këtë llogari, janë të shpëtuarit dhe marrin lajmërimin dhe përgëzimin për një jetë të pëlqyer dhe të mirë. Në atë kohë secili e di se çfarë vepra ka përgatitur për këtë ditë. Sipas ajeteve të Kur’anit të shenjtë, “atëherë ai të cilit i vendosin rezultatin e veprave të tij në dorën e djathtë (nga gëzimi i madh), bërtet me zë të lartë duke thënë (o të zotët e ditës së gjykimit!) merreni dhe lexojeni letrën e veprave të mia”. Pastaj, ai krenarinë më të madhe të tij e përmbledh në këtë fjali: "Unë besoja me zemër (se ekziston dita e gjykimit) se arrij në llogarinë e veprave të mia”. (Surja Hakka, ajeti 19 dhe 20).

Njeriut që e meriton parajsën, edhe njëherë i kujtohet se kapitali kryesor që është bërë shkak për shpëtimin e tij dhe për të gjithë atë çfarë i është dhuruar atij, është besimi për ekzistimin e një dite të tillë. Besimi në llogarinë e veprave i fal njeriut shpirtin e devotshmërisë, vetëpërmbajtjes dhe zotimit dhe krijon ndjenjën e përgjegjësisë te ai. Ky besim është faktori më i rëndësishëm për edukimin e njeriut dhe kryerjen e veprës së mirë. Kur’ani i shenjtë shpjegon vetëm një pjesë të vogël të shpërblimeve të njerëzve të tillë dhe thotë: “Pra, ai do të vendoset në një jetë (plotësisht) të kënaqshme. Dhe ndodhet në parajsën e lartë. Në të cilën frytet janë në qasje. (Dhe atyre u thuhet) hani dhe pini, ky është shpërblimi për veprat të cilat i keni kryer në të kaluarën”. (Surja Hakka, ajetet 21-24).

Fjalia “Al-Fadlu Al-Kebiru” në ajetin 24 të sures Shura në Kur’anin e shenjtë tërheq vërejtjen duke thënë se edhe pse banorët e parajsës janë njerëz besimtarë dhe që kanë kryer vepra të mira, mirëpo Zoti i madhëruar për shkak të mirësisë dhe fisnikërisë së vet shumëfishon shpërblimin e veprave të tyre dhe u jep atyre mirësi të parajsës. Në këtë gjendje, u drejtohet atyre duke i thënë se këto mirësi të mëdha nuk janë pa llogari, ky është shpërblimi i veprave tuaja, veprat të cilat edhe pse janë të vogla, por kur ato të vendosen në horizontin e mirësisë dhe mëshirës hyjnore, japin rezultate kaq të mëdha. “Dhe ata të cilët kanë ndjekur devotshmërinë hyjnore, grupe-grupe dërgohen drejt parajsës. Kur të arrijnë atje, hapen dyert e parajsës dhe rojtarët u thonë atyre: përshëndetja e Zotit qoftë mbi ju! U përgëzojmë juve për këto mirësi! Hyjno brenda në parajsë dhe bëhuni të amshueshëm! Ndërsa ata thonë: e falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Zotit i cili ka zbatuar premtimin e vet për neve dhe tokën (parajsën) e ka bërë trashëgimi për ne që në çdo vend që të dëshirojmë, mund të vendosemi dhe ta bëjmë vendin tonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që kanë bërë vepra të mira!” (Surja Zumer, ajetet 73 dhe 74). Mirëpo në atë kohë, jobesimtari rënkon nga dëshpërimi dhe dëshiron që të këpusë të gjitha lidhjet me të kaluarën e tij. Në ajetin 40 të sures Nebe’ të Kur’anit të shenjtë thuhet: “Jobesimtari në atë ditë thotë: ah sikur do të isha dhe që të mos përballem me dënim!”.  

Kur ajetet në lidhje me parajsën i vendosim përkrah njëri-tjetrit, në mendjen tonë krijohet një imazh shumë i bukur dhe tërheqës. Banorët e parajsës janë të lumtur dhe falënderues dhe thonë, falënderojmë Zotin i cili ka larguar pikëllimin dhe zemrën nga ne. Ai është Zoti i cili me mirësinë e vet, na ka vendosur neve në këtë botë të përhershme në të cilën nuk kemi as vuajtje dhe as lodhje. Në parajsë zhduken urrejtjet dhe armiqësitë nga zemra dhe të gjithë janë vëllezër dhe qëndrojnë të ulur ballë për ballë njëri-tjetrit. Ata nuk pësojnë kurrfarë vuajtje e dhimbje dhe askush nuk i dëbon ata nga parajsa. Hijet e pemëve kanë rënë mbi kokën e tyre dhe frutat janë nën urdhrat e tyre. Në fytyrat e tyre vërehet gjallëria dhe gëzimi i mirësive të parajsës dhe ata bisedojnë me njëri-tjetrin në mënyrë miqësore dhe kujtojnë të kaluarën. Gëzuar qoftë parajsa hyjnore për agjëruesit e dashur të cilët me besim dhe devotshmëri, adhurojnë Zotin duke iu nënshtruar urdhrave hyjnorë.

Tags