‘BDI do fitojë Gostivarin dhe Tetovën’, sipas Agim Nuhiut
(last modified Thu, 28 Oct 2021 07:05:59 GMT )
Tetor 28, 2021 09:05 Europe/Tirane
  • ‘BDI do fitojë Gostivarin dhe Tetovën’, sipas Agim Nuhiut

Agim Nuhiu, anëtar i shtabit zgjedhor elektoral i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe zv.ministër i Drejtësisë thotë se BDI në raundin e parë të zgjedhjeve lokale është konfirmuar si parti e parë e shqiptarëve.

Gjatë intervistës në emisionin “Balkan Talks” të gazetarit Franko Egro, ai renditi faktorët kryesor që kanë ndikuar në mbështetjen e madhe që BDI mori nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. “Ne si BDI jo vetëm që kemi konfirmuar forcën tonë absolute tek shqiptarët duke e bërë BDI përfaqësuesin politik dhe natyror të shqiptarëve në pushtet qendror dhe vendor. Por ne jo vetëm që kemi fituar por edhe jemi rritur. Kjo për shkak të partneritetit të vazhdueshëm që kemi krijuar me qytetarët dhe politikat konsistente të BDI”, deklaroi z. Nuhiu. Ai shtoi se “teknologjia rrëzon pretendimet e opozitës për vjedhje të votës”, duke iu referuar konkretisht akuzave të Arben Taravari, kandidat në Komunën e Gostivarit dhe sekretar i Aleancës për Shqiptarët në RMV. Sipas z. Nuhiu u shpreh i bindur për fitoren e BDI në raundin e dytë që do të mbahet më 31 tetor edhe pse z. Taravari shkoi në balotazh vetëm për 35 vota. Zyrtari i BDI akuzoi partitë opozitare shqiptare se po bashkëpunojnë për të dalë të gjitha kundër forcës politike të Ali Ahmetit. “Partitë opozitare nuk po synojnë marrjen e pushtetit pasi janë larg BDI. Nuk ka bërë fajde as koalicioni me z. Mickovski”, tha ai. Agim Nuhiu foli edhe për fitore në Tetovë, ku do të garojnë në balotazh Teuta Arifi dhe Bilall Kasami. “Nuk kemi aspak dilemë që qytetarët shqiptarë do të rreshtohen pas politikave të BDI pasi ne garojmë me program. Ne nuk bëjmë thirrje për notë negative siç bën thirrje z. Kasami. Në ftojmë qytetarët për votë progressive”, u shpreh ai. Z. Nuhiu e cilësoi “aleancë fluide dhe jo parimore” bashkimin e partive shqiptare kundër BDI dhe shtoi se partitë shqiptare kanë bashkëpunuar me parti serbe në RMV. “Partia e z. Taravari u bashkua me VMRO-DMNE që në koalicion ka 19 parti përfshi dhe partinë socialdemokrate të serbëve. Tani këta bashkohet me të gjithë për të dalë kundër BDI”, përfundoi z. Nuhiu.

Tags