Maqedonia e Veriut në prag të shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë
(last modified Sat, 06 Nov 2021 17:54:09 GMT )
Nëntor 06, 2021 18:54 Europe/Tirane
  • Maqedonia e Veriut në prag të shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë

Në Maqedoninë e Veriut pritet të shpallet gjendje emergjente për krizën energjetike gjatë javës së ardhshme, sipas një njoftimi të Ministrisë së Ekonomisë.

Kjo gjë, sipas drejtorit të MEPSO-s, operatorit të shpërndarjes, Kushtrim Ramadani do të nënkuptonte lehtësim të procedurave për importimin e energjisë elektrike. Ramadani tha se vendi është i varur nga importi, edhe më shumë tani me krizën energjetike. Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut importon energji elektrike nga Bullgaria, Serbia, Bosnja dhe Kosova, ndërsa theksoi se çmimet janë shumë të larta. “Tani çmimet nëpër bursat botërore janë shumë të larta. Ne zakonisht importojmë prej Bulgarisë, Serbisë, Bosnjës, Kosovës ndonjëherë  mirëpo ne thirremi zakonisht në bursën e Bullgarisë e cila është referente për ne ku çmimet janë shumë të larta. Por nëse duam që të mos ketë kufizime në shfrytëzimin e energjisë elektrike, duhet ta paguajmë këtë çmim”, thotë Kushtrim Ramadani, drejtor i MEPSO-s. Ai sqaroi se keq menaxhimi i ujërave nga hidrocentralet, infrastruktura e vjetër dhe mungesa e qymyri për termocentralet janë shkaqet që çojnë në prodhim të ulët, afro 10 për qind të kapaciteteve. “Ne kemi dy termocentrale në Manastir dhe Osllomej të cilat janë të vjetra mbi 40 vjet nga njëra anë, dhe nga ana tjetër kemi mungesë të thëngjillit vendor. Rezervat që i kemi janë me kualitet të dobët, prandaj edhe prodhimi është në masë tejet të vogël. Hidrocentralet nuk prodhojnë shumë për shkak të kushteve klimatike dhe keq menaxhimit të tyre dhe kjo na sjellë para një sezoni të dimrit me rezerva tejet të ulëta në hidrocentrale dhe rënie të prodhimtarisë edhe nga energjia e ujit”, thotë Ramadani. Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë të Maqedonisë së Veriut, e caktuar për të martën, pritet edhe zyrtarisht të shpallet krizë energjetike në vend. “Qeveria në mbledhjen e ardhshme të martën kur do të dorëzohet propozimi për shpalljen e krizës energjetike, duhet të sjellë vendim nëse do të shpallet gjendje e krizës energjetike, sa do të zgjasë dhe çfarë masa do të merren”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka siguruar se deri në fund të këtij viti nuk do të ketë ndërprerje të energjisë ose rritje të çmimit.

Tags