Tragjedia shqiptare, mes viktimave mësuesja me vajzën, po ktheheshin nga ekskursioni
Në mesin e viktimave nga ngjarja tragjike sot në Bullgari ishte edhe një familje nga Studenicani. Sipas listës së publikuar jetën e kanë humbur 4 anëtarë të familjes Iseni.
“Tetovasot” shkruan se njëra nga viktimat ka qenë mësuese në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Studenican.
Rastin nëpërmes “facebook”, e kanë konfirmuar edhe familjarët. Për shkak të kësaj tragjedie sot në Studenican është pezulluar zhvillimi i mësimit.
Një dëshmitar i cili ka parë gati se gjithë tragjedinë në Bullgari ka treguar si shpërtheu autobusi në flakë. Dëshmitari ka rrëfyer se ai ka qenë prapa autobusit me një mini-bus udhëtarësh.
“Ishim duke udhëtuar me një mini-bus, autobusi duke lëvizur shpërtheu menjëherë dhe u përfshi nga një zjarr i madh dhe ishte e pamundur që të ndihmonim njerëzit sepse flakët ishin shumë të mëdha”, ka rrëfyer dëshmitari, shkruajnë mediat në Shkup.
45 shqiptarë nga Maqedonia që ishin në autobus ndërruan jetë dhe 7 të tjerë ndodhen në spital./ Abcnews.al