Shtator 24, 2023 19:58 Europe/Tirane
  • Borrell flet me Kurtin dhe Vuçiqin për sulmin terrorist në veri

Pas sulmit terrorist kundër policëve të Policisë së Kosovës, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka folur me kryeministrin Albin Kurti.

Borrell dënoi me shprehjet më të forta agresionin e sotëm. Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë punonjësve të plagosur të policisë. Përfaqësuesi i Lartë ka telefonuar edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit. Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se aksioni në Banjskë të Zveçanit po vazhdon ende teksa ka thënë se armët që janë gjetur lidhen me aksionin e Zveçanit që është zhvilluar më herët nga Policia e Kosovës. “Armët janë të llojllojshme, pas hetimeve do ta keni listën e saktë. Ka disa armë që mund të lidhen me aksionin e Zveçanit, me disa armë jemi ndeshur për herë të parë”, ka thënë Sveçla.Sipas tij, lirisht mund të thuhet se kishte pajisje për qindra sulmues të tjerë. “Përgatitjet ishin që në mënyrë masive të sulmojnë Policinë e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”, ka shtuar Sveçla. “Policia e Kosovës në vazhdimësi ka informata të ndryshme që i verifikon. Ky është një grup terrorist që ka marrë akte terroriste. Kemi një linjë kufitare me reliev të gjatë me Serbinë, hyrjet e terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre  tashmë është duke u bërë e pamundshme”, ka vijuar Sveçla.

 

Tags