Prill 30, 2024 20:13 Europe/Tirane
  • Rikthimi i Vulin në qeverinë e Serbisë, provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së

Pavarësisht se Aleksandar Vulin dhe Nenada Popoviq u futën në listën e zezë të SHBA-ve, kjo nuk i ndaloi ata që të jenë pjesë e qeverisë së re në Serbi.

U nevojitën të kalojnë vetëm gjashtë muaj që Vulin të rikthehet në një funksion në qeverinë e Serbisë.

Ai është propozuar për zëvendëskryeministër të qeverisë së re në Serbi, ndërsa prej kohësh është thënë se ka afërsi të mëdha me strukturat në Moskë dhe se është i përfshirë në krim transnacional, operacione ilegale lidhur me narkotikë, korrupsion dhe zgjerimin e ndikimit rus në Ballkan.

Pasi SHBA-të e futën në listën e zezë, Vulin dha dorëheqje nga posti i drejtorit të Shërbimit Sekret të Serbisë e njohur si BIA.

Por në listën e zezë të SHBA-ve nuk është vetëm Vulin, aty figuron edhe emri i ish-ministrit Nenad Popoviq.

I njohur si një njeri i orientuar drejt Rusisë, ku ka kontakte të mira dhe bashkëpunim shumëvjeçar, amerikanët konstatuan se përveç biznesit të tij, ai degëzoi edhe një rrjet skemash korruptive tatimore.

Psikologu serb Zharko Koraq thekson se në mesin e turmës së lajkatarëve që rrethojnë Aleksandar Vuçiqin, Vulin zë një vend të veçantë.

Ai kujton se deklaratat e tij për “botën serbe” ishin drejtpërdrejt kundër stabilitetit të rajonit, dhe mbështetja e tij për sulmin rus ndaj Ukrainës, i cili u dënua nga e gjithë Evropa, po i shërben drejtpërdrejt interesave ruse.

“Por këto zgjedhje nuk do të kenë vetëm pasoja negative ndërkombëtare për Serbinë. Ai është nën sanksionet e SHBA-së dhe zgjedhja e tij në qeveri është një sfidë e drejtpërdrejtë për SHBA-në, nga e cila varen shumë gjëra në Evropë, veçanërisht në rajon. Serbia nuk do të arrijë askund me njerëz të tillë në qeveri”, përfundon Koraq.

 

Tags