Shkurt 19, 2024 19:48 Europe/Tirane
  • BE: Nuk ka plane për raund të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka plane për një raund të radhës dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Aktualisht nuk disponojmë me bazën e nevojshme për të njoftuar seancën e ardhshme të dialogut në nivel të lartë,” u shpreh ai për agjencinë serbe të lajmeve Beta.

Stano iu referua asaj që presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte shprehur se priste një ftesë nga Brukseli së shpejti dhe kish shprehur nevojën për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit në Kosovë.

Vetëm dy ditë më herët, Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka nënvizuar se stabiliteti i vazhdueshëm dhe paqja në rajon janë të mundura vetëm përmes procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Përmes një postimi në platformën X, Borrell ka pohuar se dialogu i lehtësuar nga BE është rruga për t’iu arritur këtyre qëllimeve dhe ka publikuar imazhe nga takimet e tij me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë.

 

Tags