Me rastin përvjetorit të vdekjes së Hazreti Hadixhes (s.a.)
(last modified Wed, 06 Jun 2018 09:39:47 GMT )
Qershor 06, 2018 11:39 Europe/Tirane

Hazreti Hadixhe ishte një zonjë e nderuar dhe e pasur e cila kishte reputacion të madh në kohën e saj dhe ishte gruaja e parë e cila i ka besuar Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s..

Hazreti Muhamed s.a.v.s. shumë herë e ka prezantuar këtë zonjë si një prej grave të përkryera të botës dhe gjithashtu një prej grave më të mira. Hazreti Hadixhe ka vdekur në vitin e 10 pas shpalljes së profetësisë dhe pak kohë pas vdekjes së Abu Talibit.

Më 10 Ramazan të vitit 10 hixhri kameri, ishte dita ndarjes dhe e përshëndetjes së fundit me "Nënën e Besimtarëve", Hazreti Hadixhen, bashkëshorten e dashur të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Kjo ditë shënoi fundin e jetës bashkëshortore 25 vjeçare të Hazretit Hadixhe (s.a.) dhe Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Me vdekjen e Hazretit Hadixhe (s.a.), Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. mbeti vetëm në pikëllimin e ndarjes. Kjo ngjarje ndodhi vetëm pak kohe pas vdekjes së Ebu Talibit, xhaxhait të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Humbja e këtyre dy të dashurve, shkaktoi një pikëllim aq të madh për Hazretin Muhamed s.a.v.s. sa që ai këtë vit e emëroi "Viti i Pikëllimit". Duke shprehur ngushëllime me rastin e përvjetorit të vdekjes së Hazretit Hadixhe (s.a.), në këtë edicion po prezantojmë disa prej karakteristikave të kësaj zonje të madhe dhe të nderuar të Islamit.  

Znj. Khadixhe konsiderohet prej zonjave më të mëdha të Islamit. Ajo ishte gruaja e parë që pranoi fenë Islame, ashtu siç ishte Ali bin Ebu Talibi, mashkulli i parë që pranoi fenë e shenjtë Islame. Gruaja e parë që fali namazin, gjithashtu ishte Hazreti Hadixhe. Ajo ishte një shëmbëlltyrë e dalluar e përkryerjes, e virtyteve të larta, të kuptuarit të lartë dhe vizionit të gjerë që si ajo shumë pak mund të gjenden në mesin e grave dhe burrave. Pastërtia, virtytet e larta njerëzore, bujaria, sjellja e mirë morale, sinqeriteti, dashuri dhe besnikëria; ishin prej karakteristikave më të dalluara të personalitetit të Hazretit Hadixhe. Ashti siç ishte Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. i njohur për besnikëri para shpalljes së Kur'anit, znj. Hadixhe gjithashtu para Islamit, ishte e njohur si një personalitet me bindje të pastra. Atë e quanin "Tahire" (e pastër) dhe "Zonja e Grave Kurejshite".  Prandaj, për këtë arsye e Pastra u bë bashkëshorte e Besnikut.  

Hazreti Khadixhe (s.a.) për 25 vjet me radhë ka qëndruar përkrah Hazretit Muhamed s.a.v.s. në periudhat më kritike në fillim të Islamit. Hazreti Hadixhe e cila për shkak se kishte pasuri të madhe, quhej  "Mbretëresha e Luginës së Mekës", të gjithë pasurinë e vet e vendosi në dispozicion të Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Sipas transmetimeve islame, Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka përdorur pasurinë e Hazreti Hadixhes në rrugën e lirimit të robërve, borxhlinjve, për të ndihmuar jetimët dhe bonjakët. Bujaria e Hazretit Hadixhe ishte e madhe dhe e sinqertë deri në atë masë sa që Zoti i madhëruar e ka vlerësuar në nivel të lartë këtë vepër të Hazretit Hadixhe dhe e ka konsideruar atë në nivel të mirësive të mëdha të Tij për robin e zgjedhur Hazretin Muhamed s.a.v.s. dhe në ajetin 7 të sures Duha thotë: "Zoti të gjeti ty të varfër dhe të bëri të pasur". Kjo do të thotë se pasuria e Hazretit Hadixhe është pasuria e Zotit dhe vepra e Hazretit Hadixhe (s.a.) është pranuar pranë Fronit Hyjnor.

Hazreti Hadixhe (s.a.) kishte besim të madhe te bashkëshorti i saj si i Dërguari i fundit për udhëzimin e njerëzve. Ajo në të gjitha periudhat e jetës së saj me Hazretin Muhamed s.a.v.s., si para Shpalljes ashtu edhe pas Shpalljes, gjithnjë është munduar të krijojë qetësi dhe ta ngushëllojë atë për vështirësitë me të cilat është përballur. Në atë kohë kur Hazreti Muhamed s.a.v.s. vuante nga vështirësitë dhe keqtrajtimet e fisit Kurejsh, Hazreti Hadixhe ishte ajo e cila i lehtësonte atij të gjitha vuajtjet dhe pikëllimet. Në burimet historike thuhet se një ditë idhujtarët e Mekës kishin hedhur gurë në drejtim të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe ai kishte pësuar lëndime dhe ata e kishin ndjekur atë deri në shtëpinë e Hazretit Hadixhe. Pastaj ata gjithashtu kishin hedhur gurë edhe në drejtim të shtëpisë së Hazretit Hadixhe. Në atë kohë Hazreti Hadixhe (s.a.) kishte dal jashtë dhe u kishte thënë atyre: "A nuk keni trup të hidhni gurë në drejtim të shtëpisë së gruas e cila është më fisnike në mesin e popullit?" Idhujtarët me të dëgjuar këto fjalë u turpëruan dhe u shpërndanë. Atëherë Hadixhe (s.a.) kuroi plagët që kishte marrë Hazreti Muhamedi s.a.v.s.. Në këtë kohë Hazreti Muhamed s.a.v.s. dërgoi përshëndetjet e Zotit për Hazretin Hadixhe (s.a.) dhe e lajmëroi atë për shpërblimin e madh në parajsë me një pallat të ndërtuar me gurë të çmuar dhe në të cilin nuk ka kurrfarë vështirësie dhe problemi.

Hazreti Hadixhe (s.a.) pavarësisht pasurisë së madhe që kishte dhe pozitës së lartë shoqërore që gëzonte, në trajtimin e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. gjithnjë sillej me edukatë dhe modesti dhe kurrë nuk ka treguar sjellje të cilat burojnë nga arroganca dhe krenaria. Hzareti Hadixhe (s.a.) e dinte se Hazreti Muhamed s.a.v.s. kishte shumë dashuri ndaj adhurimit të Zotit, prandaj ajo gjithmonë është sjell në atë mënyrë që të mos krijojë kurrfarë pengesave Për Hazretin Muhamed s.a.v.s. gjatë adhurimit dhe ibadetëve që bënte ai. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s., para Shpalljes, disa herë në muaj shkonte në shpellën Hira dhe për çdo vit muajin e Ramazanit e kalonte në këtë shpellë duke menduar dhe duke adhuruar Zotin e madhëruar. Adhurimet dhe ibadetet e tilla të gjata natyrisht se mund të shkaktonin shqetësimin e Hazretit Hadixhe (s.a.), mirëpo ajo jo vetëm që kurrë nuk ka kundërshtuar Hazretin Muhamed s.a.v.s. për këtë gjë, por gjithnjë e përcillte atë me solidaritet dhe dashuri dhe ushqimin ia dërgonte atij nëpërmjet Hazretit Ali (a.s.) në atë shpellë dhe nganjëherë edhe ajo e shoqëronte Hazretin Muhamed s.a.v.s. në këtë adhurim.

Hazreti Hadixhe (s.a.) përveçse është Nëna Shpirtërore e të gjithë besimtarëve, ajo edhe si një nënë e dashur dhe e merituar dhe besimtare, në prehrin e saj ka edukuar edhe fëmijët më të mirë për Hazretin Muhamed s.a.v.s.. Ajo ka lindur gjashtë fëmijë për Hazretin Muhamed s.a.v.s. dhe i ka edukuar ata në prehrin e saj me plotë dashuri që në mesin e tyre Hazreti Fatime (s.a.) ka një pozitë të veçantë. Kjo vajzë ishte vetëm pesë vjeç kur i vdiq nëna, do të thotë Hazreti Hadixhe (s.a.). Në atë kohë Hazreti Fatime (s.a.) kishte ndjerë se Hazreti Hadixhe (s.a.) ishte e brengosur për Hazretin Muhamed s.a.v.s. se ai do të mbetet vetëm dhe pa mbështetës e ndihmës pas vdekjes së saj, prandaj ajo i tha nënës së vet: "Oj nënë e dashur! Mos u shqetëso dhe mos u brengos, sepse Zoti është ndihmës dhe mbështetësi më i madhe i babait tim".

Pas Hazretit Fatime (s.a.), edhe imamët ma'sum (a.s.) krenoheshin për këtë nënë të dashur dhe të nderuar. Imam Hasan (a.s.) në kohën kur debatonte me Muavijen, në lidhje me argumentet e devijimit moral të Muavijes dhe në anën tjetër, në lidhje me argumentet e lumturisë dhe meritave të Ehli Bejtit (a.s.), vuri në dukje rolin e Hazretit Hadixhe (s.a.) në edukimin e kësaj familje dhe ka thënë: "O Muavije! Pasi nëna jote ishte Hindi dhe gjyshja jote ishte Nathile-ja (që të dyja ishin gra të këqija), ti po bënë veprime të tilla ndërsa lumturia e familjes tonë është arritur si rezultat e edukimit të një nëne të pastër dhe të devotshme siç ishte Hazreti Hadixhe (s.a.) dhe më pas Hazreti Fatime (s.a.)". Edhe Imam Husejni (a.s.) në ditën e Ashuras për ta prezantuar vetën dhe për t'i informuar njerëzit, vuri në dukje rolin e nënës së tij Hazretit Fatime (s.a.) dhe gjyshes së merituar dhe besnike të tij Hazretit Hadixhe (s.a.) dhe tha: "A e dini se gjyshja ime është Hazreti Hadixhe (s.a.), gruaja e parë që ka pranuar fenë e shenjtë Islame?" U përgjigjen: Po, ...".  

Hazreti Hadixhe (a.s.) në jetën bashkëshortore me Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s., ndoqi durimin dhe tolerancën dhe përball presioneve të ndryshme të idhujtarëve dhe bllokadës ekonomike të tyre, ka treguar një durim të veçantë. Një prej këtyre ngjarjeve, mund të përmendet ngjarje e Luginës së Ebu Talibit. Fisi Kurejsh në vitin e shtatë pas Shpalljes, për të ushtruar presion sa më të madh ndaj myslimanëve, vendosen të nënshkruajnë një pakt kundër myslimanëve. Në bazë të këtij pakti, askush nuk kishte të drejtë të bëjë shitblerje dhe as të martohet me myslimanëve dhe duhet t'i ndërpriste të gjitha lidhjet me ata. Kjo çështje u bë shkak që myslimanët të shkojnë pranë Ebu Talibit dhe të mblidhen në luginën e tij. Kjo bllokadë zgjati 3 vjet. Në këtë kohë Hazreti Hadixhe (s.a.) ndodhej në mesin e myslimanëve nën bllokadë. Niveli i kësaj bllokade mund të kuptohet më mirë nga kronika e Sa'd bin Vekas. Ai thoshte: "Një natë dola nga lugina. Nga uria e madhe, kisha humbur të gjithë forcën. Më ranë sytë në një copë lëkur të devesë. E mora atë dhe pasi e pastrova mirë, e vlova me ujë dhe pastaj e shtypa dhe e bëra brumë dhe me atë ushqim kam kaluar tre ditë".

Bint Shati, një prej shkrimtarëve arab, në lidhje me nivelin e vështirësive që kishte duruar Hazreti Hadixhe (a.s.) gjatë kësaj periudhe, shkruan: "Hadixhe nuk ishte në një moshë që të jetë i lehtë për atë durimi i të gjithë atyre vuajtjeve dhe nuk ishte prej atyre që gjatë jetës së vet të jetë mësuar me vështirësitë e varfërisë dhe skamjes. Mirëpo, pavarësisht kësaj dhe pavarësisht se ishte një grua e moshuar, vështirësitë e shkaktuar si pasojë e bllokadës i ka duruar deri në vdekje".

Në kohën kur u sëmurë Hazreti Hadixhe (s.a.), Hazreti Muhamed i tha asaj: "Oj Hadixhe, a e din se Zoti i madhëruar ty edhe në parajsë të ka bërë bashkëshorte time?". Pastaj ai i shpjegoi asaj shkallët e larta të parajsës si shpërblim të kontributit dhe veprave të saj. Pasi iu përkeqësua gjendja, Hazreti Hadixhe (s.a.) në porosinë e fundit të vet iu drejtuar Hazretit Muhamed s.a.v.s. me këto fjalë: "O i Dërguari i Zotit! Kam disa porosi: "Nëse kam treguar neglizhencë ndonjëherë ndaj teje, më falë mua!" Profeti i nderuar i Islamit tha: "Kurrë nuk kam parë nga tij që ke bërë ndonjë veprim të gabuar. Ke bërë të gjitha përpjekjet dhe vazhdimisht je munduar dhe ke shpenzuar të gjithë pasurinë në rrugën e Zotit". Hazreti Hadixhe (s.a.) tha: "O i Dërguari i Zotit, porosia e dytë është kjo: "Përkujdesu për Fatimen, sepse ajo pas vdekjes time, do të mbetet jetim dhe vetëm. Ke kujdes që askush nga grat e kurejshve të mos i shkaktojë probleme asaj! Porosinë e tretë kam turp që ta them. Atë po ia them Fatimes që ajo pastaj të tregojë ty". Pastaj e thirri Hazretin Fatime dhe i tha: "Oj drita e syve të mi! Thuaj babait tënd të Dërguarit të Zotit, se nëna ime po thotë: unë kam frikë nga varri, prandaj kërkoi nga tij që trupin tim ta mbështjellë me ato rroba të cilat i ka pasur ai në trup në çastin e Shpalljes së Profetësisë".  

Pas vdekjes së Hazretit Hadixhe (s.a.), Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. vet mori përsipër kryerjen e ritualeve të kufomës, pastrimin dhe mbështjelljen e saj me qefin. Papritur Xhibrili që mbante në dorë një qefin nga parajsa, zbriti pranë Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe i tha: "Paqja e Zotit qoftë mbi ty! Zoti po urdhëron: "Kjo grua ka shpenzuar të gjithë pasurinë në rrugën e Zotit dhe Zoti është më i merituar që të sigurojë qefinin për këtë zonjë!".

Në burimet historike ekziston një fjali shumë e bukur e cila thotë: "Islami është përhapur me sjelljen dhe moralin e mirë të Hazretit Muhamed s.a.v.s., me shpatën e Hazretit Ali (a.s.) dhe me pasurinë e Hazretit Hadixhe (s.a.)". Kjo fjali tregon nivelin e lartë të bashkëpunimit dhe sinqeritetit të Hazretit Hadixhe (s.a.). Përshëndetje dhe paqja e Zotit qoftë mbi atë!

Tags