Bashkëpunimi Rusi-Iran jashtë vullnetit të Shteteve të Bashkuara
(last modified Fri, 26 Apr 2019 06:24:55 GMT )
Prill 26, 2019 08:24 Europe/Tirane
  • Bashkëpunimi Rusi-Iran jashtë vullnetit të Shteteve të Bashkuara

Ministri iranian i mbrojtjes ka thënë: Teherani dhe Moska luajnë rol të pavarur jashtë vullnetit të SHBA.

Gjeneral brigade Amir Hatami në një intervistë me Russia Today, ka thënë: Irani dhe Rusia për shkak të rolit të pavarur në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe për shkak të kundërshtimeve të SHBA, janë vënë në shënjestër të këtij vendi. Ndërkaq edhe Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shojgu tha se Irani dhe Rusia do të vazhdojnë të luftojnë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Shojgu i bëri këto deklarata të enjten në një takim me ministrin iranian të mbrojtjes, gjeneral brigade Ahmed Hatami. Duke iu referuar bashkëpunimit Iran-Rusi në zgjidhjen e çështjes siriane, ai tha se bashkëpunimi në formatin e bisedimeve të Astanas luan një rol të madh në vendosjen e armëpushimit dhe normalizimit të situatës në Siri. Ai shprehu ngushëllime për viktimat e përmbytjeve vdekjeprurëse në provincat iraniane dhe vuri në dukje ndihmat humanitare ruse për të mbijetuarit e goditur nga përmbytjet në disa zona të Iranit. Duke iu drejtuar konferencës vjetore të Moskës mbi Sigurinë Ndërkombëtare (MCIS) më herët, ministri iranian i mbrojtjes Ahmed Hatami tha se konferenca u përqendrua në sfidat më të rëndësishme të sigurisë duke njohur kushtet e ndjeshme ndërkombëtare. Hatami kritikoi politikat e vendeve perëndimore duke thënë se rajoni i Gjirit Persik, dhe veçanërisht pjesa jugore e  tij, është shndërruar në një arsenal të armëve për disa shtete. Konferenca vjetore e Moskës mbi Sigurinë Ndërkombëtare (MCIS) filloi të mërkurën në praninë e delegacioneve të mbrojtjes nga 80 vende. Ministri i Mbrojtjes i Iranit, gjeneral brigade Amir Hatami dhe nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për operacionet paqeruajtëse Jean-Pierre Francois morën pjesë në konferencë. Përveç ministrave të mbrojtjes dhe ekspertëve ushtarakë, në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe OJQ-të që mbrojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Temat e MCIS përfshinin çështjet e ruajtjes së paqes, bashkëpunimin ushtarak dhe sigurinë rajonale në Azi, Afrikë dhe Amerikë Latine. Ambasadori i Iranit në Rusi Mehdi Sanaei dhe zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Riabkov në një takim të martën diskutuan zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare si dhe masat kundër Iranit të marra nga SHBA. Të dy zyrtarët shkëmbyen mendime mbi sanksionet e njëanshme të miratuara nga Shtetet e Bashkuara dhe masat provokuese të këtij vendi. Ata diskutuan gjithashtu krizën e Venezuelës dhe bashkëpunimin e Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) mbi programin e tij paqësor bërthamor. Të dy palët përsëritën se masat e SHBA bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe çojnë në kaos në të gjithë globin. Pavarësisht nga shqetësimet globale rreth turbulencave të mundshme në tregun e naftës, sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo, në një konferencë shtypi të hënën, mori një tjetër hap armiqësor unilateral kundër Republikës Islamike të Iranit duke njoftuar se përjashtimet nuk do të zgjaten. Ai u zotua të sjellë eksportet e Iranit në zero. Pas deklaratës së Pompeo, ka reaguar menjëherë edhe RII, ku zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Iranit ka thënë se Irani nuk i jep kredibilitet këtyre sanksioneve.

 

Tags