May 07, 2024 14:50 Europe/Tirane
  • Partneriteti i Iranit dhe Rusisë në përpjekje për heqjen e hegjemonisë së Perëndimit

Pars Today– Nga Azia Qendrore në Azinë Perëndimore dhe nga Gjiri Persik deri në Detin e Zi, duket se fatet e Teheranit dhe Moskës janë të ndërthurur me njëri-tjetrin.

Irani dhe Rusia po i afrohen nënshkrimit dhe zbatimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit të njohur si “Marrëveshja e Bashkëpunimit Gjithëpërfshirës Njëzetvjeçar” dhe siç thonë zyrtarët e dy vendeve, finalizimi i saj është shumë afër. Në dekadat e fundit, këto dy fuqi euroaziatike kanë mundur të arrijnë pika të përbashkëta për çështjet jetike dhe strategjike globale dhe rajonale. Nga Azia Qendrore në Azinë Perëndimore dhe nga Gjiri Persik në Detin e Zi, duket se fatet e Teheranit dhe Moskës janë të ndërthurur. Vizita e Putinit në Iran në vitin 2022 pas fillimit të luftës në Ukrainë, e cila ishte vizita e tij e parë në një vend të ndryshëm nga ish shtetet sovjetike që nga fillimi i sulmit të tij në Ukrainë, tregoi se Moska nuk po kërkon më një partner strategjik me Perëndimin por partneritet me vende të tjera dhe aktorë të fuqishëm të rajonit si Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe vende si Kina. Ndërkohë, duket se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Iranit janë diçka përtej marrëdhënieve të mëparshme. Irani dhe Rusia, janë duke ndjekur synime strategjike si përparimi në programin bërthamor paqësor; programi i zhvillimit të armëve konvencionale si raketat, dronët, avionët luftarak, dërgimi i satelitëve në hapësirë dhe bashkëpunimi strategjik tregtar, ndërtimi i korridoreve të transportit dhe mbajtja e qëndrimit kundër Perëndimit dhe ideologjisë së tij. Pozicioni gjeopolitik i Iranit në rajon dhe lidhjet e tij me Gjirin Persik, Detin Oman dhe Detin Kaspik kanë qenë gjithmonë një nga faktorët që e kanë bërë Iranin gjeografikisht shumë tërheqës për Rusinë. Nga ana tjetër, vlera e tregtisë ndërmjet Indisë dhe Rusisë është rritur në mbi 50 miliardë dollarë dhe të dy vendet planifikojnë ta rrisin atë në 400 miliardë dollarë. Por transporti i mallrave dhe energjisë midis Indisë dhe Moskës ka nevojë për një korridor të sigurt. Duket se si India ashtu edhe Moska e konsiderojnë Iranin si një korridor të sigurt. Irani në përgjithësi dhe për shkak të situatës së tij të veçantë, është pika lidhëse e tregjeve të mëdha të botës. Në fakt, lidhja e Oqeanit Indian dhe Detit të Zi me njëri-tjetrin është shumë e rëndësishme për Rusinë si në një sitauatë pa sanksione por edhe në një kohë sanksionesh dhe lufte. Nëpërmjet këtij korridori, arteria jetike e të cilit kalon përmes Iranit, Moska mund të dalë nga një bllokim relativ dhe të sigurojë akses në ujërat ndërkombëtare. Duket se bashkëpunimi ushtarako-siguri mes Teheranit dhe Moskës është kthyer në një sfidë në rritje për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj dhe vitet e fundit ata janë përpjekur të prishin bashkëpunimin mes Moskës dhe Teheranit. Me fillimin e luftës në Ukrainë, Perëndimi është frikësuar nga intensifikimi i bashkëpunimit të Teheranit me Moskën. Irani ka deklaruar vazhdimisht se është neutral në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe pavarësisht se ka bashkëpunim ushtarako-siguri me Rusinë, ai nuk është i përfshirë në këtë konflikt dhe kërkon seriozisht përfundimin e luftës. Sipas Emil Odliani, analist i çështjeve ruse në Qendrën Evropiane të Analizës së Politikave, në situatën aktuale marrëveshja midis Iranit dhe Rusisë e përqendruar në tregtinë e lirë është shumë e rëndësishme për të dyja palët, sepse marrëdhënia midis këtyre dy fuqive forcon fuqinë euroaziatike që kërkon të ndryshojë formën e rendit global.

Tags