May 06, 2024 12:05 Europe/Tirane
  • Regjimi sionist mbyll sërish pikëkalimin Karam Abu Salem në Gaza

Ushtria izraelite njoftoi sot, të hënën, se ka mbyllur vendkalimin Karam Abu Salem për kamionët që transportojnë ndihma humanitare për në Gaza.

Sipas raportit të mëngjesit të së hënës të agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, cituar nga Al-Jazeera, pas sulmit me raketa të forcave të rezistencës palestineze në bazën ushtarake sioniste në zonën Karam Abu Salem, e cila është rreth 2 kilometra larg vendkalimit me të njëjtin emër, ushtria izraelite e mbylli këtë vendkalim të ndihmave humanitare në Gaza.

Më herët, Daniel Hagari, zëdhënësi i ushtrisë së regjimit sionist, ka bërë të ditur se tre ushtarë të këtij regjimi janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa ndaj bazës ushtarake të këtij regjimi në Karam Abu Salem.

Brigadat e dëshmorit Izzeddin al-Kassam njoftuan të dielën në mbrëmje se kanë shënjestruar me raketa "Ruxhum" grumbullimin e ushtarëve të regjimit sionist në bazën Karam Abu Salem dhe zonën përreth saj në Rripin e Gazës.

Disa media të regjimit sionist pranuan se të paktën 11 ushtarë sionistë u plagosën gjatë këtij sulmi të Brigadave Kassam.

Sipas mediave të lajmeve, menjëherë pas sulmit të Hamasit, 3 palestinezë ranë dëshmorë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit mbi një shtëpi në Rafah.

Vendkalimi Karam Abu Salem ka qenë një nga rrugët kryesore për ndihma në Gaza qëkur u rihap disa muaj më parë. Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), bëri thirrje për një hetim të pavarur për sulmin në vendkalim.

 

Tags