Podkasti “Besnikët e Husejnit (a.s)”  3
(last modified Sat, 13 Jul 2024 17:22:07 GMT )
Korrik 13, 2024 19:22 Europe/Tirane
  • Podkasti “Besnikët e Husejnit (a.s)”  3

Programi serik “Besnikët e Husejnit (a.s)” është përgatitur në formën e një podkasti radiofonik në 12 episode, dhe i kushtohet prezantimit të disa prej shokëve besnikë të Imam Husejnit (a.s). Në këtë episod do të njihemi me biografinë e Vehab ibn Abdullah Kelbi.

(Biografia e Vehab ibn Abdullah Kelbi)

Me emrin e Zotit!

Zëri i Vehabit: Hanijeh! A do të vish në udhëtim me mua? Në një udhëtim të gjatë...

Në një udhëtim të pafundmë...

Në një rrugë pa mbarim...

Pas këtij udhëtimi, na pret çdo gjë e mirë.

Pas kësaj, çdo gjë e mirë në jetë, do të jetë e jona.

Eja me mua...Tek unë është ndezur një zjarr dashurie por nuk është nga ana jote. Jo se e ka zënë vendin e dashurisë tënde. Jo...por më ka humbur qetësinë tërësisht

Hanijeh! Unë nuk do të shkoj pa ty në muajin e mjaltit. Më shoqëro në këtë udhëtim dhe më nxirr faqebardhë e me nder!

Vehab ibn Abdullah Kelbi, dhëndri i sapomartuar i krishterë, së bashku me nënën dhe gruan e tij, disa ditë para Ashurasë ishin njohur me Imam Husejnin (a.s.). Karvani i Imam Husejnit (a.s.) ishte ndalur në rajonin Tha'lebije. Imam Husejnit (a.s.) ia tërheq vëmendjen një tendë në një shkretëtirë pa ujë e barishte, në mes të ferrave dhe rërës djegëse. Një grua e moshuar e cila ishte ulur pranë tendës e shqetësuar dhe e trazuar, i thotë Imam Husejnit (a.s.): "Zoti të dhëntë plot të mira! Më ka mbaruar uji dhe jam e etur. Djali dhe nusja janë rrugës duke ardhur, por nuk ka mbetur ujë për t'ua shuar etjen atyre".

Imam Husejni (a.s.) me mirësinë dhe mrekullinë e tij, bën që të burojë ujë i pastër nga toka. E mbush një enë me ujë dhe ia jep gruas së moshuar në dorë. Gruaja e moshuar habitet dhe e pyet: "Kush je ti o burrë bujar dhe çfarë bën në këtë shkretëtirë?"

Imam Husejni (a.s.) i thotë: "Unë jam Husejni, i biri i Aliut dhe Fatimesë. Po shkoj në Qerbela. Djali yt kur të mbërrijë, përcilli përshëndetjen time dhe thuaji se nipi i Profetit të Fundit s.a.v.s. po të thërret ty për ndihmë...".

Ky kandil që ma ka ndriçuar zemrën, është nga ana e poseduesit të këtij mesazhi. Ai i cili më ka thirrur për ta ndihmuar. Ai i cili i ka dhënë zemër e qetësi nënës time në mes të shkretëtirës së thatë pa ujë dhe gjelbërim dhe me mirësinë e mrekullinë e tij, ia ka ringjallur Isaun a.s. në vështrimin e saj. Tani jam unë, nëna ime e moshuar, nusja ime dhe rruga për në Qerbela...

Çdo udhëtar që shkon për në Qerbela e di që më parë se duhet të marrë me vete ujë dhe ta pijë atë pak nga pak sepse Qerbelaja është një vend pa ujë. Por unë, sapo jam bërë mysliman. Qerbelaja është një udhëtim tërësisht i ri për mua. Një udhëtim i ri. Unë në përgjigje të mesazhit i cili i është dhënë nënës time, kam mbledhur plaçkat mbi supe dhe do të duroj çdo etje e vështirësi sepse unë dhe nusja ime do të shkojmë në muajin e mjaltit.

Sot është Ashura. Vehabi pasi u takua me Imam Husejnin (a.s.), i ripërtërihen forcat dhe i shtohet pasioni dhe dashuria. Imam Husejni (a.s.) e mirëpret krahëhapur të riun e sjellshëm dhe besnik. Ajo kohë, ishte koha luftës dhe betejës, por Hanija nuk mund ta besonte momentin e lamtumirës.

Hanijeh! Unë të dua ty në të dyja botët! Ti je gruaja ime në të dy botët!

Hanijeh! Kam frikë se mos dashuria dhe besimi ty të të çojë në parajsë dhe mbetem unë e ferri... mbetem unë dhe gjendja ime e pasigurt...

Hanijeh! Më jep zemër me ndonjë fjalë të bukur...me një shikim...buzëqeshje të bukur...Më thuaj lamtumirë mua, por mos e beso. Sepse unë, ti dhe ky muaj i mjaltit nuk kemi fund.

Zëri i Vehabit, ky djalosh i guximshëm dhe i panjohur, ka gozhduar ushtrinë e mosbesimit.

Vehabi:

Unë jam Vehabi. Nëse nuk më njihni, mjafton ta dini se unë jam i biri i Kelbit. I fuqishëm dhe me përvojë në luftë. Kam ardhur që të mbrojë nderin e nënës sime.

Umar bin Sa'ad nuk u kënaq vetëm me torturimin dhe vrasjen e Vehabit. Robi i Shemrit, nxori hanxharin dhe ia preu kokën nga trupi dhe në mënyrë të pamëshirshëm, t'u shkaktojë dhimbje sa më të madhe në zemër nënave të të gjitha epokave dhe ta kthejë veten në një të mallkuar të përgjithmonshëm. Nusja e Qerbelasë vajtonte me elegji, ndërsa nëna e Vehabit kishte mbetur e shtangur dhe shikonte sytë e përvuajtur të djalit të saj në kokën e sapo prerë. Dukej se ata po e vështronin atë dhe dukej sikur flisnin me të.

Vehabi: Me kokën e ndarë nga trupi, po shikoja nënën time. Sa shumë je plakur oj nënë! A je e kënaqur me mua? Mos qaj! Bëhu zemërfort sepse ti je një luaneshë që më dorëzove mua në rroba të luftës dhe dhëndrit lartë në qiell. Ti je një luaneshë nënë...

Nënës së moshuar të Vehabit ishte zemërthyer, por qëndroi e fortë. Zemra i dridhej por jo këmbët. Ajo mori në dorë kokën e ajkës së shpirtit të saj që ishte gjithë jeta e saj, i gjithë gëzimi i rinisë dhe mbështetja e pleqërisë, por ajo dukej se nuk ishte e lidhur me të nga malli. Sikur donte t'u mësonte të gjithë nënave të botës se kjo nuk ishte beteja e vetme mes të vërtetës dhe të pavërtetës.

"Mësoni që ta flijoni në rrugën e Zotit ajkën e shpirtit tuaj. Djalin tuaj! Përcilleni djalin tuaj në luftën e të vërtetës kundër të pavërtetës dhe mbahuni zemërfort gjatë viteve të errëta duke pritur ndonjë shenjë ose gjurmë prej tyre, sepse një grua myslimane, është luaneshë dhe e zhduk çdo frikë në zemrën e vet".

Zëri i nënës së Vehabit e befasoi dhe mahniti të gjithë Ashuranë.

"Ne nuk e marrim mbrapsht atë që e japim në rrugën e Zotit!"

Nëna e Vehabit e shikoi në sy Imam Husejnin (a.s). Gjeti një qetësim të papërshkruar dhe tha: "O Zot! Mos m'i humb shpresat!"

Dhe Imam Husejni (a.s) tha: "Zoti kurrë nuk t'i humb shpresat!"

 

Tags