Podkasti “Besnikët e Husejnit (a.s)”  8
(last modified 2024-08-18T12:02:29+00:00 )
Gusht 18, 2024 14:02 Europe/Tirane
  • Podkasti “Besnikët e Husejnit (a.s)”  8

Programi serik “Besnikët e Husejnit (a.s)” është përgatitur në formën e një podkasti radiofonik në 12 episode, dhe i kushtohet prezantimit të disa prej shokëve besnikë të Imam Husejnit (a.s). Në këtë episod do të njihemi me biografinë e Barir bin Khudajr Hamedani.

Me emrin e Zotit!

Në episodin e tetë të podkastit “Besnikët e Husejnit (a.s.)” do të përshkruajmë gjendjen e Barir bin Khudajr Hamedani në ditën e Ashuras. Qëndroni me ne!

Barir bin Khudajr Hemadani: Unë jam mësues. Kam vite që ulem në zyrën time dhe u mësoj fëmijëve të myslimanëve leximin dhe këndimin e Kur’anit të shenjtë, edukatën, dashurinë dhe të drejtën. Në rrugëtimin e të drejtës, mjafton kjo që ka thënë Imam Husejni (a.s.): "Për mua vdekja është më e mirë se t’i nënshtrohem turpërimit".

Mjafton kjo që jeta me poshtërim, nuk ka vlerë as sa një kokërr elbi. Unë jam Bariri dhe për mua që jam mësues, mjafton të thuhet që ua kam mësuar Kur’anin njerëzve dhe kam vite që mendoj thellë mbi çdo ajet të tij. Mbi elokuencën dhe oratorinë e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. që në vete ishte prej e mrekullive. Unë nuk jam asgjë nëse nuk jam mësues. Bijtë e mi! Dijeni se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përzgjodh për moralin. Për Islamin që është feja e moralit dhe dashurisë. Për sa kohë të kem jetë, do t’iu mësoj të keni moral të mirë dhe të jeni të dashur. Që të jetoni me dinjitet dhe të vdisni me dinjitet e nder. Kjo mjafton për mua si një mësues.

Barir bin Khudajr Hemadani, është një recitues i dalluar i Kur’anit të shenjtë në Kufa dhe një prej ndjekësve besnikë të Prijësit të Besimtarëve, Imam Aliut (a.s.). Ai pasi u informua për nisjen e Imam Husejnit (a.s.) nga Medina në Mekë, u përgatit për të filluar rrugëtimin e tij dhe u nis nga Kufa drejt Mekës që të bashkohet me Imam Husejnin (a.s.). Kur Imam Husejnmi (a.s.) u detyrua të ndalojë në vendin e Qerbelasë, Bariri tha: "O i biri i Profetit Muhamed s.a.v.s.! Zoti na e ka bërë obligim që të luftojmë para syve tuaj dhe të flijohemi në rrugën tënde. Ku ka lumturi më të madhe se kjo që gjyshi yt të jetë ndërmjetësues për shpëtimin ton në Ditën e Kiametit?!!

Barir: Unë jam mësues por jo vetëm në shkollë, sepse shkencën e dashurisë nuk e nxë shkolla, sepse mësuesi duhet të japë mësim në çdo vend ku të vendosë këmbën. Edhe në heshtjen e tij ka një mësim.

Bariri ishte prej fisit Beni Mashragh. Një fis për të cilin Imam Aliu (a.s.) ka thënë: "Po të jem gardian i parajsës, u jap atyre lejen për të hyrë dhe u dëshiroj mirëseardhje".

Barir: Fisi im mban aromë parajsës. Mban aromën e kënaqësisë së Imam Aliut (a.s.). Për nder të buzëqeshjes së Imam Aliut (a.s.) do të recitoj e këndoj përgjithmonë Kur’anin e shenjtë në format më të bukura. Nga agimet e qeta të xhamisë deri në heshtjet e mesnatës. Në kopshtet me palma e hurma, dhe nëpër grykat e puseve. Në freskinë e ujit të pusit dhe në etje...në etje...në Qerbela...

Sot është Ashura. Bariri ia nguli sytë syve qetësues të Imam Husejnit (a.s.). Derdhi lot përmallimi. Në shikimin e tij u ringjallën vitet e rinisë së tij. Iu kujtua Imam Aliu (a.s.) të cilin e kishte mbështetur njëzet e pesë vite më parë. Tani e kishte shoqëruar në çdo hap të birin e Imam Aliut (a.s.) dhe kishte arritur deri në Qerbela. Në Ashura...Në etje...

Barir: Betohem në Zotin një se unë jam i lumtur me të ardhmen time! Mes nesh dhe banorëve të parajsës nuk ka shumë distancë. Mirëpo para se të godasim dhe luftojmë me shpatë duhet të ftojmë në fe. Unë jam mësues dhe moralin do ta mësoj e përhap nga shkolla deri në fushëbetejë.

Bariri i mori leje Imam Husejnit (a.s.) që të shkonte pranë Umar ibn Sa’ad, komandantit të ushtrisë së armikut dhe ta qortonte atë. Imam Husejni (a.s.) i tha: "Bëj atë që e shikon të arsyeshme!"

Bariri mbërriti në zemrën e ushtrisë së armikut. U fut në tendën komanduese dhe u ul pa i përshëndetur të pranishmit. Umar ibn Sa’ad u nevrikos dhe tha: "Edhe unë jam mysliman dhe e njoh Zotin dhe të Dërguarin e Tij s.a.v.s.. Përse nuk më përshëndetet sipas zakonit?! Bariri i përgjigjet:

Barir: Po të ishe mysliman, nuk do të luftoje me të birin e Profetit Muhamed s.a.v.s. dhe nuk do ua kishe ndaluar ujin. Për çfarë feje je duke na folur? Uji i Eufratit shkëlqen para syve të fëmijëve të etur të kampit së Imam Husejnit (a.s.) por etja ua ka shuar sigurinë dhe shpresën. Si të të quaj mysliman unë ty?

Umar ibn Sa’ad i mallkuar, guvernator i pushtetit të pavlerë të Rej-it, preferoi buzët e etura të fëmijëve dhe  e bëri veten një nga njerëzit më zemërgurë të njerëzimit.

Barir: Mësuesi nuk i humb shpresat. U ula në shkretëtirën e Qerbelasë. Asnjë zë nuk mbërrin në vesh nga vajtimet dhe rënkimet. Nga hingërimat e kuajve. Nga shpatat. Bërtita se mos ndoshta ka ndonjë vesh që dëgjon dhe ndonjë zemër që shikon. Bërtita me aq pasion që ka një mësues në zemër. Për çfarë e dua këtë zë të ngjirur dhe këtë fyt të tharë që në ditët më të mira ka recituar fjalët e Allahut me melodinë më të bukur?

Tani do të bërtas me zërin e ngjirur se mos ndoshta ka një vesh që më dëgjon dhe një zemër që shikon: O banorë të Kufes! A i keni harruar letrat që i keni shkruar të birit të Aliut (a.s.)? A nuk ju kujtohet që e keni lutur Zotin që të jetë dëshmitar duke i thënë se nëse ai mbërrin këtu do të mblidheni të gjithë përkrah tij?!

Është e kotë! Asnjë zemër nuk rreh në mesin e këtyre zemërzinjve. Po shkoj drejt pesimizmit sepse asgjë nuk është më e dhimbshme për një mësues se sa zhgënjimi dhe pesimizmi. Nga tani e tutje unë jam një ushtar i luftës. Do të nxjerr shpatën dhe do të dal në fushëbetejë. Për nder të Imam Aliut (a.s.). Për nder të të drejtës që i është shkelur Imam Aliut (a.s.) gjatë gjithë jetës. Për nder të Husejnit që nuk ka mbetur aspak prapa nga babai i tij në të qenit viktimë i padrejtësisë!

Bariri doli në fushëbetejë dhe luftoi trimërisht deri në frymën e fundit. Deri në forcën e fundit të mbetur në trup dhe deri në zërin e mbetur në fytin  e tij të tharë...

Një nga ushtarët e mosbesimit i quajtur Ka’ab bin Xhabir e sulmoi Baririn me shtizë dhe shpatë dhe e nisi drejt përjetshmërisë. Përjetshmërisë që për një mësues, një recitues Kur’ani, një predikues, një urdhërues në të mirë dhe një ushtar të frontit të së drejtës, mbante aromën e tulipanëve të parajsës.

 

Tags