Podkasti “Besnikët e Husejnit (a.s)” 12
(last modified 2024-08-18T15:37:19+00:00 )
Gusht 18, 2024 17:37 Europe/Tirane
  • Podkasti “Besnikët e Husejnit (a.s)” 12

Programi serik “Besnikët e Husejnit (a.s)” është përgatitur në formën e një podkasti radiofonik në 12 episode, dhe i kushtohet prezantimit të disa prej shokëve besnikë të Imam Husejnit (a.s). Në këtë episod do të njihemi me biografinë e Nafi bin Helal.

Me emrin e Zotit!

Në episodin e dymbëdhjetë të podkastit “Besnikët e Husejnit (a.s.)” do të përshkruajmë gjendjen e Nafi bin Helal në ditën e Ashurasë. Qëndroni me ne!

Nafi:

Ia kam ngulur sytë tasit prej balte të ujit. I freskët, i kristaltë! Në të nuk ka asnjë pasqyrim përveç qiellit, fytyrës së një burri, një fëmije të mitur, një gruaje dhe një karvani.

Unë jam Nafi bin Helali. Nuk kam pirë ujë, por nuk jam i etur.

Unë jam i eturi më i ngopur i botës!

Ç’më duhet në duar tasi me ujë kur shoh buzët e thara të fëmijëve?

Për çfarë ta shoh në pasqyrimin e ujit atë fytyrën time monotone?

Pirja e ujit më bën më të etur kur zëri i rënkimeve të fëmijëve të etur e bën të padurueshme shkretëtirën e Qerbelasë.

Nafi’ bin Helal Xhemali kishte origjinë jemenase dhe jetonte në Kufa. Ishte prej shokëve besnikë të Prijësit të Besimtarëve, Imam Aliut (a.s.) dhe e kishte mësuar prej tij artin e dyluftimit.

Nafi:

Jo vetëm artin e dyluftimit, por edhe atë të mënyrës së jetesës, traditën dhe metodën e humanizmit.

Kur Husejn ibn Aliu (a.s.) u nis për në Irak, ai iu bashkua atij gjatë rrugës dhe kishte porositur që kalin e tij i cili quhej "Kamil", ta sillnin për të.

Ishte nata e Ashurasë...

Imam Husejni (a.s.) doli nga tenda i vetëm. Nafi’i u nis prapa tij. Imam Husejni (a.s.) i tha Nafi’it: “A nuk do që në këtë natë të errët të kalosh mes dy ushtrive dhe të shpëtosh jetën tënde?”

Nafi’ bin Helal:

U hodha tek këmbët e prijësit tim, Husejnit (a.s.). I thashë me përulësi: “O Imam Husejn! Unë do të luftoj i vetëm kundër njëmijë personave. Shpata ime është e barabartë me njëmijë shpata dhe kali im me njëmijë kuaj. Betohem në Zotin një se nuk ndahem prej teje derisa të më thyhet shpata në betejë kundër armiqve! Edhe pa shpatë kam për të luftuar. Do të marr në duar gurë të shkretëtirës dhe do t’i godas armiqtë me ta.

Imam Husejni (a.s.) e njihte mirë Nafi’iun. Ai e kishte mësuar gjuajtjen me shigjetë nga Imam Aliu (a.s.) dhe dashurinë e besnikërinë e kishte praktikuar në shkollën e tij.

Nafi'i:

Imam Aliu (a.s.) e ka shpjeguar përsëri diturinë. Imam Aliu (a.s.) e ka bërë burrërinë të ketë turp.

Nëse njerëzit do të kishin mbajtur mend qoftë dhe një fjalë nga mësimet e Imam Aliut (a.s.), bota do të ishte shndërruar në një vend të mirë për të jetuar dhe asnjë zemër nuk do të rrihte më fort në pritje të parajsës sepse ajo ndodhet në çdo fjalë të mësimeve të Imam Aliut (a.s.).

Pasi që me urdhër të Umar ibn Sa’ad, ia bllokuan ujin kampit të Imam Husejnit (a.s.), Imam Husejni (a.s.) e nisi drejt Eufratit Aba Al Fadl Al-Abasin dhe Nafi’ bin Helalin së bashku me tridhjetë kalorës që t’i sjellin ujë karvanit.

Nafi’ bin Helal:

U nisëm drejt Eufratit. Tek ne i kishte shpresat ushtria e Imam Husejnit (a.s.). Me ne gëzohej ushtria e Imam Husejnit (a.s.)...

Nafi':

Unë isha flamurtar por nuk po shkonim në luftim. Unë isha flamurtar i ushtrisë që dilte natën për të mbushur trastat plot me ujë për të shuar etjen e të miturve tanë të etur. Që të qeshin përsëri. Që të marrin gjallërim dhe nënat e tyre të qetësohen. Që baballarët e tyre të mos mërziten. Që toka të mos marrë erën dhe ngjyrën e trishtimit.

I ngarkuari me detyrë për të ruajtur Eufratin ishte prej të afërmve të Nafi’it. Pyeti: “Kush je ti?”

Nafi':

Unë jam Nafi’ bin Helal. Nga kushërinjtë e tu. Kemi ardhur të pimë nga ky ujë të cilin na e ke ndaluar.

Roja tha: “Të bëftë mirë! Pi, por mos merr ujë për Husejnin!”

Nafi':

Në errësirën e natës mezi e shikonte syri syrin, por përballë syve të mi, kisha këto gjëra që ndriçonin si shkëndija: Shikimi i një burri...një foshnje e mitur...një grua...dhe një karvan.

Nafi’i:

Buzët e thara të fëmijëve...Eufrati...

Frymëmarrja e rëndë e të eturve...freskia e ujit...

Imam Aliu (a.s.)...burrëria...dituria...

Jo...Nuk mundem! Nuk mundem! Unë jam flamurtar. Unë jam ai tek i cili i kanë sytë dhe po presin të eturit. Jo! Nuk mundem!

Pirja e këtij uji më bën më të etur kur zëri i rënkimeve të fëmijëve të etur e bën të padurueshme shkretëtirën e Qerbelasë.

Bërtita: “Pasha Zotin! Nuk do të pi asnjë pikë nga ky uji kur Husejni (a.s.) dhe i gjithë karvani i tij janë të gjithë të etur.”

Është mesdita e Ashurasë. Nafi’ bin Helal dhe fushëbeteja...

Një nga ushtarët e mallkuar të Umar ibn Sa’ad bërtiti: “A e dini me kë jeni duke luftuar? Mos të shkojë njeri i vetëm në fushëbetejë kundër besnikëve të Husejnit (a.s.)!”

Nafi’ luftoi me gjithë forcën që kishte. Kur i mbaruar shigjetat, zhveshi shpatën dhe sulmoi duke bërtitur: “Unë jam luan dhe ndjekës i rrugës së Imam Aliut (a.s.)...

Pas shumë trimërive dhe heroizmit duke luftuar, ushtarët e armikut e kapën atë dhe e dërguan pranë Umar ibn Sa’ad. Shemri i thotë Umarit: “Vrite!”

Umar ibn Sa’ad u përgjigj: “Vetë e solle, vetë vrite!”

Nafi':

Ishin çastet e fundit. Nuk duhet të merrja me vete në ahiret një të pathënë. Bërtita: “Pasha Zotin takimi juaj me Të është shumë i vështirë dhe gjaku ynë ju rëndon mbi supe. Falënderoj Zotin që ma dha vdekjen nga dora e krijesës së Tij më të keqe.”

Në atë moment ai u vra dhe ra dëshmor nga dora e Shemrit të mallkuar.

Nafi':

Tek unë nuk kishte mbetur më asgjë e pathënë. Me entuziazëm dhe me krahë të hapur, mezi prisja të pija nga burimi i Keutherit.

 

 

Tags