Neurokirurgia iraniane që ka kryer mbi 500 operacione
(last modified Mon, 28 Jan 2019 18:25:24 GMT )
Janar 28, 2019 19:25 Europe/Tirane
  • Neurokirurgia iraniane që ka kryer mbi 500 operacione

Një neurokirurge iraniane ka kryer deri tani mbi 500 operacione dhe është kthyer në një nga kirurgët më profesionistë në fushën e saj.

Soheila Saami, 28 vjeçare, është një studente e profesorit të famshëm iranian Maxhid Samii, i cili është një neurokirurg i mirënjohur ndërkombëtarisht. Ajo përfundoi studimet e saj të Mjekësisë së Përgjithshme gjashtë vjet më parë dhe aktualisht punon si neurokirurge në Institutin Ndërkombëtar të Neurosciences në Gjermani nën mbikëqyrjen e profesorit Samii. Agjencia e lajmeve Fars ka zhvilluar një intervistë me këtë zonjë të re të suksesshme. Më poshtë vijojnë disa fragmente nga intervista:

Pyetje: Sa operacione keni kryer deri më tani?

Përgjigje: Numri i operacioneve që kam kryer vetëm i tejkalon 500, por kam bërë më shumë se 3.000 operacione si ndihmës kirurge.

Pyetje: Ju jetoni jashtë Iranit, por mbani shaminë islame në të gjitha fotot dhe operacionet tuaja. Pse?

Përgjigje: Sipas mendimit tim, një individ duhet të zgjedhë llojin e veshjes së saj ose të tij. Unë zgjodha të vesh hixhabin me vetëdije. Mënyra ime e veshjes është e njëjtë në Iran dhe Gjermani.

Pyetje: A nuk është hixhabi një kufizim për ju?

Përgjigje: Hixhabi nuk ka qenë një kufizim për mua sa i përket kryerjes së operacioneve. Natyrisht, nuk po them që ju mund të bëni gjithçka duke veshur hixhabin, por, nga ana tjetër, nuk mund të themi se një femër nuk është në gjendje të kryejë aktivitete shoqërore, sportive apo të tjera në rast se vesh hixhabin.

Pyetje: A do të udhëtoni në Iran dhe të praktikoni mjekësinë atje?

Përgjigje: Udhëtoj në Iran një herë ose dy herë në vit. Unë jam shumë e interesuar të praktikoj mjekësinë në Iran, dhe nëse ofrohen kushtet, do të ofroj shërbime në Iran. Dhe nëse nuk krijohet situata për praninë e përhershme në Iran, unë patjetër do të praktikoj mjekësinë në Iran disa muaj në vit.

Pyetje: Cila është ideja juaj për Profesor Samii?

Përgjigje: Unë besoj se Profesor Samii është një person unik. Gjithkush mund të shikojë videot e profesorit Samii në moshën 80 vjeçare në mediat sociale dhe të lexojë komentet e neurokirurgëve të shquar rreth tij. Ai gjithashtu ka shkruar shumë libra dhe artikuj, të cilat dëshmojnë për faktin se profesori Samii është më i miri në botë. Ai u zgjodh gjithashtu si kirurgu më i mirë i vitit në vitin 2018. Të gjitha këto janë dëshmi për faktin se ai është një kirurg i shquar dhe i shkëlqyer.