Siria dënon hyrjen e paligjshme të delegacioneve holandeze dhe franceze në zonat e mbajtura nga militantët e SDF
Ministria e Jashtme Siriane ka denoncuar fuqimisht hyrjen e paligjshme të delegacioneve perëndimore nga Holanda dhe Franca në pjesën veri-lindore të vendit, e cila është okupuar nga militantët e SDF të mbështetur nga SHBA.
Një zyrtar sirian nga Ministria e Punëve të Jashtme tha në një deklaratë të Dielën se takimet midis diplomatëve perëndimorë dhe militantëve që i përkasin të ashtuquajturave Forca Demokratike Siriane (SDF) "përbëjnë shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe një sulm të hapur ndaj sovranitetit të Sirisë ". Sipas deklaratës, një delegacion nga Holanda i udhëhequr nga i dërguari special në Siri Emiel de Bont hyri të Shtunën në territor në bashkëpunim me SDF me pretekstin e marrjes së një numri terroristësh të ISIS me origjinë perëndimore. Një delegacion francez gjithashtu nga Fondacioni Danielle Mitterrand dhe nga Këshilli i Qytetit të Parisit vizituan në mënyrë të paligjshme qytetin e Kamishli në provincën Hasake. Ministria e Jashtme Siriane akuzoi autoritetet franceze dhe disa qeveri të tjera perëndimore për "përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë" në nxitjen e militantizmit në të gjithë Sirinë. Mijëra qytetarë perëndimorë udhëtuan në territoret e mbajtura nga terroristët e ISIS dhe u bashkuan me radhët e tyre në Siri dhe Irak gjatë viteve të fundit.