Vendet e varfra akuzojnë të pasurat në OKB për blerjen e të gjitha vaksinave
(last modified Thu, 23 Sep 2021 06:11:07 GMT )
Shtator 23, 2021 08:11 Europe/Tirane
  • Vendet e varfra akuzojnë të pasurat në OKB për blerjen e të gjitha vaksinave

Udhëheqësit e vendeve në zhvillim paralajmëruan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se akumulimi i vaksinave të COVID-19 në vendet e pasura lejon zhvillimin e varianteve të reja të coronavirusit SARS-Cov-2 dhe se infeksioni po merr përsëri vrull.

Filipinet, Peruja, Gana dhe shumë vende të tjera thonë se solidariteti ka dështuar dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së e ka quajtur shpërndarjen e pabarabartë të vaksinës kundër COVID-19 “të paturpshme”. “Vendet e pasura po grumbullojnë vaksinën, ndërsa vendet e varfra po e marrin vaksinën me pikatore”, tha presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte. “Tani ata po flasin për rivaksinim shtesë, ndërsa vendet në zhvillim po ndajnë dozat në gjysmë për të kapërcyer situatën. Kjo është tronditëse dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë – egoizëm që nuk është i justifikuar dhe as moral”, tha Duterte. Rreth 35 për qind e njerëzve në botë që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës vijnë nga vende me të ardhura të larta, nga të cilat 28 për qind janë nga Evropa dhe Amerika e Veriut. Ndërkohë, normat e vaksinimit në disa vende, të tilla si Haiti ose DR Kongo, janë më pak se një për qind. Afrika është goditur rëndë nga i ashtuquajturi nacionalizmi i vaksinave, me rreth 900 milionë afrikanë që ende nuk e kanë marrë vaksinën. Organizata “Amnesty International” akuzoi kompanitë kryesore farmaceutike në botë për krijimin e një “krize të pashembullt në raport me të drejtat e njeriut” duke mos siguruar vaksina të mjaftueshme kundër COVID-19 për vendet e varfra. Sipas organizatës vetëm një pjesë e vogël ose 0.3 për qind e 5.76 miliardë dozave të shpërndara në të gjithë botën kanë shkuar në vendet me të ardhura të ulëta, ndërsa 79 për qind kanë shkuar në vendet me të ardhura të larta e të mesme. Organizata “Amnesty International” thotë se vetëm kompanitë Pfizer/BioNTech dhe Moderna të marra së bashku do të fitojnë deri në fund të vitit 2022, 130 miliardë dollarë. “Përfitimet nuk duhet të vendosen kurrë përpara jetës së njeriut”, tha Agnès Callamard, Sekretare e Përgjithshme e Amnesty International. Në një raport të lëshuar të mërkurën, organizata e cila mbron të drejtat e njeriut thotë se kompani si AstraZeneca, Johnson & Johnson, Moderna, Novavax dhe Pfizer/BioNTech, “nuk kanë arritur të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj të drejtave të njeriut”, duke refuzuar të marrin pjesë në nismat globale të shpërndarjes së vaksinave dhe ofrimit të teknologjisë për prodhimin e tyre duke hequr dorë nga patentat mbi vaksinat.

 

Tags