Rusia paraqet sfidë për NATO-n në Arktik
(last modified Sat, 27 Aug 2022 05:40:51 GMT )
Gusht 27, 2022 07:40 Europe/Tirane
  • Rusia paraqet sfidë për NATO-n në Arktik

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pretendoi se aftësitë ushtarake të Rusisë në Arktik janë bërë një sfidë për aleancën ushtarake perëndimore në rajon.

Duke folur gjatë një vizite në Kanada të premten, Jens Stoltenberg akuzoi Moskën për krijimin e "një grumbullimi të rëndësishëm ushtarak" në Arktik. Ai pretendoi se Rusia kishte rihapur qindra objekte ushtarake të epokës sovjetike në Arktik. Shefi i NATO-s theksoi gjithashtu se Moska e përdor rajonin për të testuar sisteme të reja armësh. Prandaj, aleanca e NATO-s duhej të forconte praninë e saj ushtarake në të gjithë krahun e saj verior për të kundërshtuar Rusinë, tha Stoltenberg. "Rruga më e shkurtër për në Amerikën e Veriut për raketat dhe bombarduesit rusë do të ishte mbi Polin e Veriut," paralajmëroi ai. "Kjo e bën rolin e NORAD-it jetik për Amerikën e Veriut dhe për rrjedhojë edhe për NATO-n," shtoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke iu referuar Komandës së Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut, një organizatë Amerikano-Kanadeze. Shefi i NATO-s vuri në dukje gjithashtu se me bashkimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancë - që është një proces në vazhdim - shtatë nga tetë shtetet e Arktikut do të ishin anëtarë të NATO-s. Moska thotë se pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO krijoi një rrezik për ta kthyer rajonin në një teatër të operacioneve ushtarake. Rusia, në të kaluarën, gjithashtu ka ngritur shqetësimin për rritjen e aktivitetit ushtarak të aleancës së udhëhequr nga SHBA në Arktik.

 

Tags