Shkurt 12, 2023 10:17 Europe/Tirane
  • Austria dhe Gjermania ndaluan dhënien e ndihmës për provincën Hatay të Turqisë

Dy ekipe shpëtimi të lidhura me Gjermaninë dhe ushtrinë austriake kanë ndaluar aktivitetet e tyre në Turqi për shkak të incidenteve dhe shqetësimeve të sigurisë dhe raportimeve për përleshje mes grupeve të ndryshme.

Sipas Deutsche Welle, ndërsa numri i viktimave të tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri i ka kaluar 25 mijë persona, përkeqësimi i situatës së sigurisë ka detyruar ekipet gjermane dhe austriake të ndihmës së shpejtë që të pezullojnë aktivitetet e tyre në provincën Hatay. Sipas këtij raporti, Steven Bayer, drejtori i organizatës gjermane të kërkim-shpëtimit Isar, të shtunën tha: “Shihet se pikëllimi për viktimat e tërmetit gradualisht po kthehet në zemërim”. Organizata Federale e Asistencës Teknike Gjermane (THW) dhe organizata gjermane e kërkim-shpëtimit "Isar" të shtunën njoftuan se do të ndalojnë aktivitetet e tyre për shkak të trazirave në provincën Hatay të Turqisë. Këto dy organizata gjermane deklaruan se shkak për këtë situatë është bërë zemërimi i qytetarëve për mungesën e ushqimit dhe problemin e furnizimit me ujë në zonat e prekura nga tërmeti. Një zëdhënës i ushtrisë austriake gjithashtu në një deklaratë njoftoi se ekipi i shpëtimit të ushtrisë austriake ka ndërprerë punën në Hatay për shkak të konfliktit të armatosur midis grupeve turke. AFP gjithashtu raportoi se 82 ushtarë të njësisë së shpëtimit të ushtrisë austriake, të cilët që nga e marta arritën të shpëtojnë 9 persona nga rrënojat, së bashku me organizatat e tjera ndërkombëtare, janë strehuar në kampin e tyre në provincën Hatay dhe janë në pritje të urdhrave të mëtejshëm.    

Tags