"Ne dështuam" të ndalim luftën në Sudan, pranon shefi i OKB-së
(last modified Wed, 03 May 2023 17:59:38 GMT )
May 03, 2023 19:59 Europe/Tirane

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka pranuar dështimin e kësaj organizate për të parandaluar përleshjet në Sudan, ku luftimet midis gjeneralëve rivalë kanë minuar përpjekjet për të vendosur një armëpushim.

"OKB-ja u befasua nga konflikti, sepse organizmi botëror dhe të tjerët shpresonin se negociatat për zgjidhjen e një krize politike atje do të ishin të suksesshme", u tha Antonio Guterres gazetarëve në Nairobi. "Në masën që ne dhe shumë të tjerë nuk e prisnim që kjo të ndodhte, mund të themi se ne nuk arritëm ta shmangnim atë," tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, i cili ndodhet në Kenia për të diskutuar konfliktin e Sudanit. "Një vend si Sudani, që ka vuajtur kaq shumë... nuk mund të përballojë një luftë për pushtet mes dy njerëzve", tha ai. Guterres tha se të dy gjeneralët duhet të përballen me presion për të rënë dakord për një armëpushim dhe për të vendosur një dialog politik dhe një kalim në një qeveri civile. Dhuna vdekjeprurëse shpërtheu më 15 prill midis liderit de fakto të Sudanit Abdel Fattah al-Burhan, i cili komandon ushtrinë e rregullt, dhe zëvendësit të tij të kthyer në rival, Mohamed Hamdan Dagalo, i cili kryeson Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Të paktën 550 njerëz janë vrarë dhe mbi 4,900 janë plagosur, sipas shifrave të fundit të ministrisë së shëndetësisë.

 

Tags