Tetor 04, 2023 11:16 Europe/Tirane
  • 21 të vdekur nga aksidenti i një autobusi në Venecia të Italisë

Të paktën 21 persona humbën jetën kur një autobus që transportonte turistë ra nga një mbikalim në Venecia të Italisë.

Aksidenti i rëndë automobilistik është shënuar mbrëmjen e së martës në Mestre, një provincë e Venecias në Itali. Autobusi me pasagjerë doli nga rruga dhe ra mbi shinat e një hekurudhe aty pranë duke shpërthyer në flakë. Mediat italiane raportuan se të paktën 21 persona kanë humbur jetën, 2 prej të cilëve fëmijë, ndërsa me dhjetëra të tjerë janë plagosur. Autobusi, i cili mësohet se ishte i linjës, ra nga të paktën 10 metra lartësi. Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbime të shumta zjarrfikëse, ambulanca dhe policia. Po ashtu, mediat shkruajnë se në gjendje gatishmërie janë vënë të gjitha spitalet që ndodhen pranë. Italia ka qenë dëshmitare e aksidenteve fatale gjatë viteve të fundit. Në vitin 2017, rreth 16 studentë hungarezë u vranë në një aksident pranë qytetit të Veronës. Në vitin 2013, një autobus ra nga një urë në jug të Italisë, duke vrarë 40 persona. Ky incident konsiderohet si aksidenti rrugor më i rëndë në historinë e Italisë.

Tags