Dhjetor 07, 2023 07:52 Europe/Tirane
  • Në një letër të paprecedentë drejtuar Këshillit të Sigurimit, Guterres paralajmëroi për shembjen e plotë të Rripit të Gazës.

Në një letër të paprecedentë drejtuar Këshillit të Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara theksoi edhe një herë nevojën për të vendosur një armëpushim humanitar në Rripin e Gazës dhe paralajmëroi "kolapsin e plotë dhe të afërt të rendit publik" në këtë rajon.

Ai duke përmendur numrin e lartë të viktimave civile në Gaza, i ka dërguar një letër Presidentit të Këshillit të Sigurimit bazuar në nenin 99 të Kartës së OKB-së. Kjo është hera e parë që Guterres e bën këtë që kur u bë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së në vitin 2017. Neni 99 i Kartës së OKB-së thotë se "Sekretari i Përgjithshëm mund të informojë Këshillin e Sigurimit për çdo çështje që ai beson se mund të kërcënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare." Guterres në këtë letër tha: "Shëmbja e plotë e rendit publik do ta bëjë të pamundur dërgimin e ndihmës humanitare qoftë edhe të kufizuar në Rripin e Gazës".

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka theksuar: "Situata në Gaza mund të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të përdorë ndikimin e saj për t'i dhënë fund krizës".

Për të parandaluar një katastrofë humanitare, ai ka bërë thirrje për armëpushim humanitar.

Guterres në këtë letër tha: "Nuk ka mbrojtje efektive të civilëve në Gaza. Asnjë vend në Gaza nuk është i sigurt. Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë të përdorë të gjithë ndikimin e tij për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe për t'i dhënë fund krizës".

Guterres theksoi se situata po përkeqësohet me shpejtësi, me pasoja potencialisht të pakthyeshme për palestinezët dhe për sigurinë në të gjithë rajonin. Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, reagoi me zemërim ndaj thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe përsëriti thirrjet që ai të japë dorëheqjen.

Brenda javës për këtë çështje pritet që të mblidhet Këshilli i Sigurimit.

 

Tags