Shkurt 22, 2024 20:15 Europe/Tirane
  • Kina kritikon Uashingtonin për ndërhyrje pas vizitës së delegacionit amerikan në Tajvan

Kina ka kritikuar një vizitë të re në Tajvan nga një delegacion nga Shtetet e Bashkuara duke e quajtur atë si ndërhyrje në punët e brendshme të ishullit të vetëqeverisur.

Mike Gallagher, kryetari i komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për Kinën, i cili kryeson një delegacion prej pesë anëtarësh, mbërriti në Taipei të enjten për bisedime me liderët e ishullit, duke përfshirë Presidentin Tsai Ing-wen dhe Zëvendës Presidentin Lai Ching-te, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të janarit dhe do të marrë pushtetin si presidenti i ri në maj.

Delegacioni amerikan tha se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë Taipein, pavarësisht se kush do të bëhet presidenti i ardhshëm i SHBA.

Më vonë gjatë ditës, Kina e dënoi këtë vizitë.

“Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës. Kina gjithmonë kundërshton me vendosmëri çdo formë të shkëmbimit zyrtar midis Shteteve të Bashkuara dhe autoriteteve të Tajvanit dhe kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në çështjet e Tajvanit në çfarëdo mënyre ose nën çdo pretekst," tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning në një konferencë të rregullt për shtyp.

Qeveria kineze kundërshton fuqimisht vendet e tjera që kanë lidhje zyrtare dhe diplomatike me Taipein dhe ka paralajmëruar vazhdimisht SHBA-në dhe shtetet e tjera kundër angazhimit me qeverinë e vetëshpallur në Taipei.

 

Tags