May 09, 2024 11:25 Europe/Tirane
  • Biden: Nuk do t'i japim armë Izraelit në rast të një sulmi masiv në Rafah

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëron një sulm masiv në Rafah në Rripin e Gazës, ai do të ndalojë transferimin e armëve amerikane në këtë regjim.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, në një intervistë për rrjetin CNN të mërkurën mbrëma, duke iu referuar bombave 2000-paundëshe (900-kilogramëshe) që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Izraelit, Biden deklaroi se nga këto bomba janë vrarë qytetarët e Gazës.

Ai shtoi: "Unë e thashë qartë se nëse ushtria izraelite hyn në Rafah, qeveria jonë do të ndalojë dërgimin e bombave dhe predhave të artilerisë, sepse civilët në Gaza janë vrarë si pasojë e atyre bombave."

Biden tha se SHBA-ja do të vazhdojë të furnizojë Izraelin me armë mbrojtëse, duke përfshirë sistemin e mbrojtjes ajrore Iron Dome (Kupola e Hekurt), por do t'u jepte fund dërgesave të tjera të armëve nëse fillon një sulm masiv tokësor në Rafah.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksoi: "Në lidhje me Kupolën e Hekurt dhe aftësinë e Izraelit për t'iu përgjigjur sulmeve të fundit në Lindjen e Mesme, ne do të vazhdojmë të garantojmë sigurinë e Izraelit. Por ne nuk kemi ndërmend të ofrojmë armë dhe predha artilerie."

Biden pohoi se veprimet e Izraelit në Rafah nuk e kanë kaluar vijën e kuqe, ndonëse veprimet e këtij regjimi kanë shkaktuar tensione në rajon.

Duke deklaruar se ai i kishte thënë Netanyahut dhe zyrtarëve të tjerë izraelitë se mbështetja e SHBA-së për operacionet në qendrat e populluara është e kufizuar, Biden shtoi: "Ia kam bërë të qartë Netanyahut dhe kabinetit izraelit të luftës se nëse hyjnë në ato qendra të populluara, nuk do të kenë mbështetjen tonë."

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha të mërkurën në Senatin e vendit se dërgesa e armëve në Izrael është ndalur për shkak të operacionit ushtarak në Rafah dhe se nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar për fatin e asaj dërgese.

Ai tha: "Amerika nuk dëshiron të jetë dëshmitare e një operacioni të madh ushtarak në Rafah dhe fokusi ynë është të mbrojmë civilët."

Gjithashtu, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, duke deklaruar të mërkurën mbrëma se Uashingtoni nuk e kishte miratuar sulmin e Izraelit në Rafah, për sa i përket pezullimit të dërgimit të bombave 2500-paundëshe në Izrael, ai tha: "Ne kemi ndalur një dërgesë ndihme afatshkurtër dhe jemi duke shqyrtuar për dërgesat e tjera."

Këmbëngulja e Benjamin Netanyahut për të sulmuar Rafahun, për të shkatërruar atë që Izraeli thotë se është "bastioni i fundit i Hamasit në Gaza", pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura të SHBA-së për ndikimin humanitar mbi më shumë se një milion banorë të Gazës që janë strehuar në qytet, ka shkaktuar një përçarje midis Amerikës dhe Izraelit.

Ndërkohë, Gilad Erdan, ambasadori i Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndalonin dërgimin e armëve në Izrael, por e quajti "shumë zhgënjyes" vendimin e Uashingtonit për të ndalur disa dërgesa armësh.

 

Tags