Qytetarë amerikanë dhe britanikë në mesin e 37 personave të dënuar me vdekje në gjyqin për grusht shteti në Kongo
(last modified 2024-09-13T19:14:52+00:00 )
Shtator 13, 2024 21:14 Europe/Tirane
  • Qytetarë amerikanë dhe britanikë në mesin e 37 personave të dënuar me vdekje në gjyqin për grusht shteti në Kongo

Tridhjetë e shtatë persona – përfshirë tre amerikanë, një britanik, një belg dhe një shtetas kanadez – janë dënuar me vdekje për një përpjekje për të rrëzuar presidentin e Republikës Demokratike të Kongos.

Personat u akuzuan për udhëheqjen e një sulmi si në pallatin presidencial ashtu edhe në shtëpinë e një aleati të presidentit Félix Tshisekedi në muajin maj. Christian Malanga, një shtetas amerikan me origjinë nga Kongo, udhëheqësi i dyshuar i komplotit, u vra gjatë sulmit, së bashku me pesë persona të tjerë. Gjithsej 51 persona u gjykuan në një gjykatë ushtarake, në disa seanca të transmetuara në TV dhe radion kombëtare. Djali i Malanga, Marcel, një nga shtetasit amerikanë të dënuar me vdekje, i tha gjykatës se babai i tij e kishte kërcënuar se do ta vriste nëse ai nuk merrte pjesë. Edhe shoku i tij Tyler Thompson u dënua me vdekje. Dyshja, në moshën 20-vjeçare, kishin luajtur futboll së bashku në Utah. Njerka e tij Miranda Thompson në qershor i tha BBC-së se familja kishte "zero ide" se si ai kishte përfunduar në Kongo. "Ne jemi plotësisht të tronditur për atë që po ndodh. Gjithçka që mësuam ishte ajo që nxirrej nga Google," tha ajo. Amerikani i tretë, Benjamin Zalman-Polun, kishte interesa biznesi me Christian Malanga. Katërmbëdhjetë persona u shpallën të pafajshëm dhe u liruan. Dënimet me vdekje nuk janë kryer në Kongo për afërsisht dy dekada - të dënuarit që merrnin këtë dënimin më parë vuanin dënimin me burgim të përjetshëm. Qeveria e hoqi këtë ligj në mars të këtij viti, duke përmendur nevojën për të hequr "tradhtarët" nga ushtria jofunksionale e vendit. Megjithatë, që atëherë nuk është zbatuar asnjë dënim me vdekje. Përpjekja për grusht shteti në fjalë filloi në kryeqytetin, Kinshasa, në orët e para të 19 majit. Njerëz të armatosur fillimisht sulmuan shtëpinë e kryetarit të parlamentit Vital Kamerhe në Kinshasa, më pas u drejtuan për në rezidencën zyrtare të presidentit. Dëshmitarët thonë se një grup prej rreth 20 sulmuesish me uniformë ushtrie sulmuan pallatin dhe kjo pasoi me një shkëmbim zjarri. Një zëdhënës i ushtrisë njoftoi më vonë në TV kombëtar se forcat e sigurisë kishin ndaluar "një tentativë për grusht shteti".

Tags