Deklaratat e fundit të presidentit turk ndaj Fethullah Gulen
(last modified Fri, 19 Aug 2016 18:13:04 GMT )
Gusht 19, 2016 20:13 Europe/Tirane
  • Deklaratat e fundit të presidentit turk ndaj Fethullah Gulen

Pas sulmeve të djeshme në Turqi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan drejtoi gishtin akuzues tek kundwrshtari i tij Fethullah Gulen.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka qenë i drejtpërdrejtë kur ka akuzuar klerikun Fethullah Gulen dhe ndjekësit e tij si organizatorët e sulmeve të njëpasnjëshme me bomba në lindje të Turqisë, si dhe PKK-në kurde, por edhe ISIS, duke vendosur shenjën e barazimit mes tyre. Në një fjalim në televizion, Erdogan tha se Turqia po përballet me një sërë sulmesh të koordinuara terroriste të ndërmarra nga organizata të ndryshme, por që veprojnë së bashku. Presidenti turk tha se sulmet në stacionet e policisë ku humbën jetën 7 anëtarë të forcave të sigurisë dhe u plagosën 224 të tjerë janë realizuar nga ndjekësin e Gulen. “Këto organizata terroriste, edhe pse janë të ndryshme, veprojnë së bashku. Fajtor për sulmet është Gulen dhe militantët kurdë. Këto sulme tregojnë qartë se nuk ka asnjë ndryshim mes PKK, ISIS dhe organizatës guleniste. Të gjithë ata kanë të njëjtin qëllim”, tha Erdogan. Qindra të plagosurit nga dy sulmet e djeshme me autobombë u dërguan në spital, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Një prej sulmeve u krye ndaj selisë qendrore të policisë në Elazig, saktësojnë autoritetet, ku mbetën të vrarë 3 policë dhe të plagosur 73 vetë, përfshirë civilë ndërsa një shpërthim i ngjashëm u krye ndaj një komisariati policie në provincën Van, ku mbetën të vdekur 1 oficer dhe 2 civilë, si dhe u plagosën 146 persona. Pas ngjarjes kryeministri Binali Yildirim tha se Turqia është në gjendje të lartë sigurie. Nga ana tjetër, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se SHBA-ja si partner strategjik i Turqisë, duhet të lehtësojë ekstradimin e klerikut turk me bazë në SHBA, të cilin Ankaraja e fajëson për orkestrimin e grushtit të dështuar ushtarak muajin e kaluar. Erdogan tha se ka kërkuar personalisht nga presidenti amerikan Barack Obama që të ekstradojë Fetullah Gulenin në Turqi. “Unë personalisht  i kërkova Obamës të ekstradojë Gulenin një vit më parë. I kam kërkuar përsëri pas ngjarjeve të fundit,” tha Erdogan në Ankara. “Gjërat janë duke lëvizur në një drejtim tjetër në vendin tonë, dhe një partner strategjik nuk duhet të ia vështirësojë punën  partnerit të saj”, ka thënë Erdogan. Por Uashingtoni ka reaguar me kujdes  duke thënë se ka nevojë  për prova të qarta, për të provuar përfshirjen e Gylenit në  puçin e dështuar më 15 korrik. Në një kohë që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe qeveria e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim ka tre vjet që këmbëngul se ka dërguar të gjitha dosjet me provat e nevojshme për deportimin ose ekstradimin e Fethullah Gulenit, në pah del se deri më tani nuk është bërë asnjë hap konkret. Shumë analistë janë të mendimit se SHBA po e përdorin Fethullah Gulenin si një mjet për të ushtruar presion mbi Ankaranë e në vecanti mbi presidentin turk, i cili po vazhdon të forcojë pozitat e tij nëpërmjet represionit dhe dhunës ndaj kundërshtarëve dhe mediave opozitare.

 

Tags