Turqi, dëbohen nga puna 6 mijë persona
(last modified Sat, 07 Jan 2017 17:28:42 GMT )
Janar 07, 2017 18:28 Europe/Tirane
  • Turqi, dëbohen nga puna 6 mijë persona

Turqia i ka shkarkuar më se 6 mijë policë, shërbyes civilë dhe akademikë, sipas ligjit për gjendje të jashtëzakonshme, duke e vazhduar goditjen e ashpër pas grushtshtetit të dështuar në korrik të vitit të kaluar.

Me një dekret të ri të qeverisë së Turqisë, të publikuar natën e kaluar, është urdhëruar shkarkimi i 2,687 policëve, 1,699 zyrtarëve nga ministria e drejtësisë, 838 nga ministria e shëndetësisë, mëse 630 akademikë dhe 135 zyrtarë nga drejtoria e çështjeve fetare. Konsiderohet se afro 120 mijë njerëz janë suspenduar ose shkarkuar nga puna prej përpjekjes së dështuar për grushtshtet, më 15 korrik të vitit 2016. Goditja e autoriteteve të Turqisë ka çuar në shqetësim ndërkombëtar, ndërsa grupe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se po e përdorë puçin si pretekst për t’i heshtur ata që mendojnë ndryshe. Më 3 janar, ligjvënësit e Turqisë kanë votuar për vazhdimin edhe për tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ishte shpallur pas përpjekjes për puç. Kjo gjendje e jashtëzakonshme ishte shpallur për ta goditur rrjetin e ndërlidhur me klerikun mysliman me seli në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, i cili nga Ankaraja akuzohet për orkestrim të puçit të dështuar. Gulen e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi në grushtshtetin në Turqi.

 

Tags