Tensione të reja mes Spanjës dhe rajonit Katalonja
(last modified Fri, 20 Oct 2017 07:20:47 GMT )
Tetor 20, 2017 09:20 Europe/Tirane
  • Tensione të reja mes Spanjës dhe rajonit Katalonja

Ditën e mërkurë Carles Puigdemont, kreu i rajonit të Katalonjës deklaroi se në rast se Madridit heq autonominë e rajonit Katalonja, ai do të shpallë pavarësinë e këtij rajoni.

Qeveria spanjolle njoftoi se do të pezullonte autonominë e Katalonjës, pas kërcënimit të presidentit separatist katalanas, Carles Puigdemont për shpalljen e pavarësisë nëse represioni vazhdon.“Të shtunën, Këshilli i Ministrave, mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme, do të miratojë masat që do t’ia dërgojë Senatit, për të rivendosur rendin kushtetues në rajon”, njoftoi qeveria në një komunikatë. Qeveria kërcënon që prej tetë ditësh për aktivizimin e nenit 155 të Kushtetutës, që i mundëson pezullimin e plotë ose të pjesshëm të autonomisë së një rajoni, nëse shkel detyrimet ligjore. Qeveria spanjolle tha se do të fillojë procesin për të vendosur sundimin e drejtpërdrejtë në Katalonjë. Në një deklaratë nga Madridi, qeveria e Kryeministrit Mariano Rajoy tha se aktivimi i nenit 155 të kushtetutës, është një dispozitë që e lejon qeverinë qendrore të pezullojë autonominë e rajonit katalanas. Ky akt sipas Rajoyit, bëhet për të rivendosur ligjshmërinë në vetëqeverisjen e Katalonjës. Pak para përfundimit të afatit, Carles Puigdemont theksoi se nëse qeveria vazhdon të pengojë dialogun dhe vazhdon represionin, Parlamenti i Katalonjës mund të procedojë, nëse e vlerëson të nevojshme, me votimin e shpalljes zyrtare të pavarësisë që nuk votoi më 10 tetor. Për Madridin, edhe pse Puigdemont shpjegoi pse nuk e kishte shpallur pavarësinë, kjo përgjigje është shumë e dyshimtë dhe përbën një refuzim për t’iu përgjigjur kërkesës. Si pasojë e kësaj, qeveria do të vazhdojë hapat e parashikuara në nenin 155 të Kushtetutës për vendosjen e ligjshmërisë në Katalonjë. Senati i Spanjës, i kontrolluar nga Partia Popullore e Kryeministrit Rajoy, duhet të votojë për të miratuar nenin 155 para se të hyjë në fuqi. Shefi i qeverisë pritet të thërrasë një mbledhje të veçantë të kabinetit për të diskutuar se cilat masa specifike duhet të merren, duke nisur me transferimin e kompetencave nga Katalonja në Madrid. Pavarësisht nga përpjekjet tona dhe vullneti ynë për dialog, fakti që përgjigjja juaj e vetme po anulon autonominë tonë, tregon se ju nuk e kuptoni problemin dhe nuk doni të flisni. Nëse qeveria spanjolle këmbëngul në shmangien e dialogut dhe vazhdimin e masave shtypëse, parlamenti katalanas do të ketë të drejtë për të votuar një deklaratë zyrtare të pavarësisë, e cila nuk u votua më 10 tetor”, ka thënë Puigdemont. Por, frika është e madhe se ndërhyrja e Madridit për vendosjen e kontrollit të drejtpërdrejtë mbi Katalonjën mund të çojë drejt trazirave në rajon. Neni në fjalë, pjesë e Kushtetutës së vitit 1978 që çimentoi sundimin demokratik në vend pas vdekjes së diktatorit Franko, nuk është aktivizuar asnjëherë më parë. Më 1 tetor, qeveria katalanase organizoi një referendum për vetëvendosje pavarësisht ndalimit nga drejtësia. Në referendumin e vitit 2006, Katalunja u bë një shtet autonom me kushtetutën e vet dhe një status të ri, sipas rezolutës së parlamentit spanjoll. Parlamenti spanjoll, në ligjin e tij për përcaktimin e statusit të këtij rajoni autonom, iu referua popullit të Katalunjës si një "komb", një vendim i paprecedent në një vend, i cili që nga luftërat civile të viteve 1930, ka qenë i përfshirë me sfidën e pavarësisë në pjesë të ndryshme të tij. Autonomia e gjerë e Katalunjës zgjati vetëm katër vjet. Në nëntor të vitit 2014, u mbajt një referendum simbolik për pavarësinë e Katalunjës dhe vetëm 33% e qytetarëve katalanas morën pjesë në referendum dhe rreth 80% e votuesve kërkuan ndarjen e Katalunjës nga Spanja. Megjithatë, Madridi tha se referendumi ishte anti-kushtetutës. Në fund të korrikut 2017, 72 deputetë në parlamentin katalanas miratuan organizimin e një referendum për pavarësi me votat e tyre përkatëse, ndërsa 52 deputetë u larguan nga parlamenti në shenjë proteste. Qeveria spanjolle e ka shpallur të paligjshëm referendumin e pavarësisë katalanase dhe Gjykata Kushtetuese spanjolle më 1 gusht 2017  e kundërshtoi rezolutën e Parlamentit katalanas në mbështetje të pavarësisë dhe referendumit të saj. 

 


 

Tags