Pezullohet autonomia e Katalunjës
(last modified Sat, 21 Oct 2017 16:06:20 GMT )
Tetor 21, 2017 18:06 Europe/Tirane
  • Pezullohet autonomia e Katalunjës

Spanja vendosi kontroll mbi Katalunjën, duke aktivizuar nenin 155 të Kushtetutës, dhe duke shpërndarë parlamentin e rajonit.

Në një lëvizje të paprecedent në historinë e Spanjës, kryeministri Mariano Rajoy lajmëroi planin e tij për shkarkimin e liderëve të Katalunjës. Pas një mbledhjeje të kabinetit qeverisës, Rajoy gjithashtu deklaroi zhvillimin e zgjedhjeve të reja për rajonin separatist, kërkesa për pavarësi e të cilit e çoi Spanjën në një krizë të thellë politike. “Qeveria u detyrua të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës, dhe pse nuk ishte dëshira jonë”, tha Mariano Rajoy në fund të mbledhjes së jashtëzakonshme të kabinetit qeveritar mbi Katalunjën. Duke folur për referendumin, Rajoy tha se bëhet fjalë për një “proces totalisht të njëanshëm dhe kundër ligjit”. Ai tha se në përputhje me nenin 155 të Kushtetutës shkrihet parlamenti i Carles Puigdemont, dhe gjithë anëtarët e qeverisë së Katalunjës. Më 27 tetor Parlamenti spanjoll do të mblidhet për të votuar këto masa, ndërkohë që do të ketë zgjedhje të parakohshme. “Dëshira ime është të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur, sapo të vendoset normaliteti institucional”, shpjegon Rajoy duke thënë se zgjedhjet lokale në Katalunjë të mbahen maksimumi brenda 6 muajsh. Masat e paraqitura nga kabineti tani do të votohen në senatin spanjoll. Kjo vjen afërsisht tre javë pas mbajtjes së referendumit në Katalunja për shkëputje nga Spanja. Lideri katalanas Carles Puigdemont ka injoruar kërkesat nga qeveria qendrore që të braktis planin e tij për pavarësi. Ndërsa Rajoy ka thënë që qeveria nuk kishte zgjidhje tjetër përveç të kërkoj vendosjen e sundimit direkt, duke shtuar që veprimet e Katalonisë ishin “në kundërshtim me ligjin dhe nxitën konfrontim”. Kryeministri Rajoy argumentoi se qeveria e tij mori këtë vendim të paprecedent bazuar në nenin 155 të Kushtetutës spanjolle, për të rivendosur ligjin, për t’u siguruar se institucionet rajonale janë neutrale dhe për të garantuar të drejtat civile të të gjithë qytetarëve. Neni i jep fuqinë qeverisë qendrore në Madrid të vendosë sundim direkt mbi rajonin gjysmë-autonom në rast krize. Qeveria rajonale e Katalunjës organizoi një referendum më 1 tetor për të vendosur shkëputjen nga Spanja. Nga 43% katalanas që morën pjesë, 90% votuan në favor të pavarësisë, ndërkohë që shumë kundërshtarë bojkotuan votimin, duke argumentuar se nuk ishte i vlefshëm. Qeveria spanjolle në përballjen me separatistët katalanas jo vetëm që ka mbështetjen e partive të djathta, të qendrës apo të krahut të majtë, por edhe Bashkimi Evropian e ka mbështetur qeverinë e Mariano Rajoy. Çdo ndryshim në kufijtë e vendeve të BE rrezikon të nxisë ndarje të tjera si një efekt domino dhe kjo mund të rrezikojë ekzistencën e Bashkimit Evropian. Rajonet italiane të Lombardisë dhe Venetos do të zhvillojnë referendume të dielën për të fituar më shumë autonomi nga Roma. Pavarësisht tensioneve separatiste dhe krizës që ka pushtuar prej javësh Katalunjën dhe Spanjën, duket se kjo nuk e ka zbehur ëndrrën e këtyre dy rajoneve për të kërkuar më shumë liri. Lega Nord është partia që qëndron pas kësaj iniciative për referendum, ku votuesit do të pyeten nëse duan që përfaqësues rajonalë të negociojnë me Romën për më shumë autonomi dhe fitime nga taksat. Sipas analistëve, ajo çfarë këto dy referendume italiane kërkojnë në të vërtetë është pozicionimi politik përpara zgjedhjeve vendimtare të vitit të ardhshëm ku Lega Nord do të kërkojë të forcojë statusin e saj.

 

Tags