Moska: Amerika po kalon vijën e kuqe në Ukrainë
Rusia ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po "kalojnë vijën e kuqe” duke i dhënë Ukrainës "armë vdekjeprurëse", duke theksuar se Uashingtoni po e shtyn Kievin në një "gjakderdhje të re".
Sergei Riabkov, zëvendësministri i jashtëm rus, e bëri këtë deklaratë të shtunën, duke akuzuar Shtëpinë e Bardhë për nxitjen e konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainën lindore midis trupave qeveritare dhe forcave pro-ruse në një rajon të njohur si Donbas. Sipas agjencisë së lajmeve Sputnik, Riabkov tha: " Revanshistët e Kievit po sulmojnë rajonin Donbas çdo ditë. Ata nuk duan të kryejnë negociata për paqe dhe ëndërrojnë të çlirohen nga popullsia e pabindur. Dhe SHBA ka vendosur t’u japë armë për ta bërë këtë. " Diplomati i lartë rus shtoi se Uashingtoni nuk mund të pretendonte më rolin e ndërmjetësit neutral në konflikt pasi "është kthyer në një bashkëpunëtor në ndezjen e një lufte". Riabkov tha gjithashtu se ishte e kotë të apelohej për ndjenjën e arsyes të politikanëve amerikanë, pasi shumica e tyre ishin "të verbuar nga Rusofobia dhe me padurim duartrokasin batalionet nacionaliste ukrainase". Uashingtoni ka miratuar shitjen e raketave anti-tank Ukrainës, duke përfshirë sistemin e avancuar Javelin.