Vazhdojnë skandalet e priftërinjve me abuzime seksuale të të miturve
(last modified Mon, 30 Jul 2018 14:05:54 GMT )
Korrik 30, 2018 16:05 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë skandalet e priftërinjve me abuzime seksuale të të miturve

Kryepeshkopi Australian Philip Wilson, kleriku më i lartë katolik në botë, i shpallur fajtor për fshehjen e abuzimit seksual të fëmijëve në Kishën Katolike Romake, ka dhënë dorëheqjen.

Lajmi u dha nga zyra e shtypit, e Vatikanit, e cila theksoi se edhe Papa Francesku pranoi dorëheqjen e tij. 67-vjeçari nga Adelaide u dënua në maj pasi kishte fshehur abuzimet e një prifti pedofil, ndonëse vetë  Wilson mohoi të kishte pasur dijeni dhe premtoi se do të apelonte vendimin. Kryepeshkopi i ka rezistuar për më se dy muaj presionit për t’u larguar, ndërsa vetëm javën e kaluar ishte edhe kryeministri australian, Malcolm Turnbull, ai që i kërkoi Papës të ndërhyjë dhe ta shkarkojë.

Ndërkohë dy ditë më parë ish kryepeshkopi i Uashingtonit Theodore McCarrick, i cili përballet me akuza për abuzime seksuale, dha dorëheqjen nga pozita e tij si kardinal. Këtë njoftim e dha Vatikani përmes një deklarate, ku thuhej se Papa Françesku e ka pranuar dorëheqjen.

McCarrick, një prej figurave më të shquara të Kishës Katolike, akuzohej për ngacmimin seksual të një adoleshenti thuajse 50 vjet më parë, kur ai ishte prift në Nju Jork. Zyrtarët e Kishës Amerikane muajin e kaluar morën vendimin se akuzat e ngritura ndaj kardinalit ishin të besueshme.

Për kardinalin Theodore McCarrick janë raportuar edhe raste të tjera për ngacmime seksuale gjatë disa dekadave.

Prifti 88-vjeçar është kleriku më i lartë i Kishës Katolike që i hiqet titulli, për shkak të akuzave për abuzime seksuale.

Rasti i tij ishte mjaft tronditëse, ngaqë ai ishte njeri shumë i respektuar dhe ambasador për një kohë të gjatë i Kishës Katolike në Uashington, një njeri tepër i besuar në vite nga Papët dhe presidentët amerikanë.

Tags