Konferenca e Varshavës, qëllimet dhe rezultatet e Uashingtonit
(last modified Sat, 23 Mar 2019 09:56:53 GMT )
Mars 23, 2019 10:56 Europe/Tirane
  • Konferenca e Varshavës, qëllimet dhe rezultatet e Uashingtonit

Samiti amerikan kundër Iranit në Varshavë përfundoi me një përpjekje të dështuar për të përfshirë Iranin në deklaratën përfundimtare.

Qeveria e SHBA kur shpalli planin për Samitin e Varshavës, kishte njoftuar se çështja kryesore do të ishte Irani, por pasi kjo kërkesë nuk u  mirëprit nga vendet e botës, Uashingtoni ndryshoi qëndrim duke ndryshuar rendin e ditës në "çështjet e Lindjes së Mesme" dhe as nuk ishte në gjendje të renditë Iranin në deklaratën përfundimtare të Samitit të Varshavës. Amerika ftoi ministrat e jashtëm nga 70 vende për takimin e Varshavës, por shumica e vendeve të BE refuzuan të merrnin pjesë në këtë konferencë në nivel të lartë dhe dërguan në takim zyrtarë të nivelit të ulët, gjë që nënkuptonte vazhdimin e dallimeve midis këtij unioni dhe Shteteve të Bashkuara. Në një konferencë shtypi në fund të samitit të Varshavës, ministrat e jashtëm të SHBA dhe Polonisë që organizuan takimin, iu referuan vazhdimisht Iranit si një "kërcënim sigurie", por samiti përfundoi me çështjen e paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme dhe në deklaratën përfundimtare nuk është përmendur Irani dhe nuk është bërë asnjë referencë mbi një vend të caktuar. Mike Pompeo, Sekretari Amerikan i Shtetit, e përshkroi samitin si historik pa përmendur dështimet e tij në tërheqjen e vëmendjes së Evropës në samitin e Varshavës dhe shprehu kënaqësinë e tij se Izraeli dhe shtetet arabe vasale të Uashingtonit nuk kishin mosmarrëveshje mbi qëndrimet anti-iraniane. Samiti i Varshavës përfundoi pa  përfshirjen e Iranit në deklaratën përfundimtare të tij, ndërsa sajti amerikan i lajmeve Politico shkroi se samiti i Varshavës kishte për qëllim të zbehte izolimin e Uashingtonit, por përkundrazi, ai tregoi më shumë izolimin e SHBA në skenën ndërkombëtare.

Përpjekja e Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo për t'i dhënë jetë të re vrullit anti-iranian të aleatëve të Uashingtonit është duke dështuar përpara se të fillojë, sugjeroi gazetari izraelit Zvi Bar'el para fillimit të Samitit të Varshavës. Duke komentuar mbi samitin që u zhvillua më 13-14 shkurt në kryeqytetin polak, ku SHBA shpresonte të mblidhte udhëheqësit e "më shumë se 70 vendeve", duke përfshirë të gjithë anëtarët e BE, Izraelin dhe aleatët arabë të Uashingtonit, gazetari i Haaretz argumentoi se "nuk është të qartë se çfarë do të arrijë konferenca", pasi administrata Trump tashmë është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit, ndërsa "përpjekjet për të bindur Bashkimin Evropian që të ndjekë shembullin e Uashingtonit kanë dështuar ". "Izraeli, vuri në dukje Ba'rel, "mund të jetë 'parashikueshëm i lumtur' për konferencën e Varshavës, "veçanërisht pasi ajo mund t'i japë kryeministrit Benjamin Netanjahu një mundësi për t'u fotografuar duke shtrënguar duart me udhëheqësit arabë. Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet që kjo konferencë do t'i bindë shtetet arabe rivale për të ndërmarrë hapa praktikë kundër Iranit ", tha ai. Në fund të fundit, vëzhguesi sugjeroi se problemi i politikës së Presidentit Trump kundër Iranit është se ajo kërkon të ndodhin një sërë ngjarjesh shumë të vështira. Riadi dhe Doha do të duhet të pajtohen, Bagdadi do të duhet të zvogëlojë lidhjet e tij me Teheranin, Libani do të duhet të zvogëlojë ndikimin e Hezbollahut në vendimmarrjen e qeverisë, Arabia Saudite do të duhej të bindet për t'i dhënë fund luftës së saj në Jemen dhe Ankaraja do të duhej të bindet për të prerë lidhjet e saj me iranianët. "Deri më tani, secili prej këtyre zhvillimeve është praktikisht i pamundur dhe përmbushja e të gjithë atyre me sa duket do të kërkojë zëvendësimin e të gjithë udhëheqësve të shteteve arabe", theksoi Ba'rel. Edhe rrjeti informativ katariot Al Jazeera para samitit të Varshavës theksoi: "Për suksesin apo dështimin e Amerikës në krijimin e konsensusit kundër Iranit nuk ka nevojë të presim deri në muajin shkurt sepse mjafton kjo që grupi terrorist MEK dhe sauditët i kanë shkuar në ndihmë Amerikës me publikimin e mesazheve të pavërteta dhe propagandës në Twitter, gjë që tregon se ky samit në rrethanat më të mira do të shndërrohet në një vend për të mbledhur funksionarët shtetëror të regjimeve servile të rajonit të Lindjes së Mesme, grupet terroriste, qeveritë ekstremiste dhe funksionarët e regjimit sionist".

Me përjashtim të ministrit të jashtëm të Britanisë së Madhe, një numër i vogël i funksionarëve evropianë kanë marrë pjesë në samitin e Varshavës. Nga vendet e mëdha dhe të fuqishme evropiane si Franca dhe Gjermania, vetëm diplomatë të nivelit të ulët kanë marrë pjesë në samitin e Varshavës ndërsa edhe Jeremy Hunt, ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe, është larguar shumë shpejtë nga ky samit. Federika Mogherini, shefja e diplomacisë evropiane, nuk ka marrë pjesë në samitin amerikan anti-iranian të Varshavës. Pavarësisht përpjekjeve të gjera të Uashingtonit për të krijuar një koalicion të ri kundër Iranit në samitin anti-iranian të Varshavës, deklarata përfundimtare e këtij samiti të dështuar u shndërrua në një dokument të pavlefshëm. Ndërkohë disa funksionarë të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë të cilët preferuan të mbesin unanim, në një intervistë me faqen informative "National" të Emirateve të Bashkuara Arabe, samitin e Varshavës e kanë cilësuar një veprim të dëmshëm. Një funksionar evropian në OKB gjithashtu në një intervistë me "National" ka thënë: "Organizimi i samitit të Varshavës është një shembull i qartë i një varg vendimeve kaotike dhe të pamatura që merren nga qeveria e Amerikës". Sipas Wall Street Journal, fakti që Shtetet e Bashkuara zgjodhën Poloninë për të organizuar konferencën, sipas disa diplomatëve evropianë, është shenjë e përpjekjeve për të nxitur mosmarrëveshjet midis shteteve të Bashkimit Evropian në lidhje me Iranin. Ambasadori rus në OKB tha se Samiti i Varshavës ishte i pavlefshëm, duke shtuar se "koalicioni kundër një vendi apo të tjerëve nuk do të zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohet Lindja e Mesme". Amerikanët e ndryshuan axhendën e kësaj konference për të shmangur një përkeqësim të tensioneve të SHBA-së dhe BE-së dhe për të parandaluar thellimin e hendekut mes Uashingtonit dhe Brukselit. Ndryshimi i agjendës së konferencës së Varshavës, që sigurisht nuk ishte i papritur, shënon dështimin e tretë diplomatik të Trumpit kundër Iranit.

Ministri i punëve të jashtme të Republikës Islamike të Iranit duke theksuar se Amerika është tërhequr nga qëndrimet dhe qëllimet e saj anti-iraniane në samitin e Varshavës, deklaroi se ky samit është i gjykuar të dështojë para se të zhvillohet. Muhamed Xhavad Zarif, ministri i punëve të jashtme të Iranit, duke folur në lidhje me samitin e Varshavës, tha: "Amerikanët të cilët kanë bërë përpjekje të mëdha për organizimin e samitit anti-iranian në Varshavë të Polonisë, tani me tërheqjen nga qëndrimet e tyre, kanë deklaruar se Irani nuk është temë kryesore e këtij samiti".   Samiti i ashtuquajtur “Paqja dhe siguria në Lindjen e Mesme” si mund të jetë i suksesshëm kur në atë nuk kanë marrë pjesë faktorët kryesorë të rajonit si Irani, Turqia, Libani, Siria, Iraku dhe Palestina dhe as shtete të tjera të fuqishme si Kina dhe Rusia dhe as shtetet evropiane dhe joevropiane që kanë marrë pjesë me diplomatë të nivelit shumë të ulët. Sjellja e sekretarit amerikan të shtetit dhe e zv/presidentit amerikan në fjalimet e tyre dhe insistimi i tyre mbi Evropën që të dalë nga marrëveshja bërthamore e Iranit, tregojnë më së miri dështimin dhe paaftësinë e Amerikës në realizimin e qëllimeve të saj në samitin e Varshavës. Amerika me politikat e saj hipokrite duke krijuar tensione dhe duke mbështetur terrorizmin dhe konfliktet dhe armiqësitë mes popujve të rajonit, vetëm ka shtuar pasigurinë, destabilitetin, varfërinë, luftën dhe ekstremizmin. Është e qartë e takimi armiqësor anti-iranian i organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Polonia në Varshavë ka dështuar të minojë fuqinë e Republikës Islamike.