Qyteti Shahre Sukhte, simboli i artit dhe civilizimit në juglindje të Iranit
(last modified Sat, 14 Dec 2019 16:03:10 GMT )
Dhjetor 14, 2019 17:03 Europe/Tirane
  • Qyteti Shahre Sukhte, simboli i artit dhe civilizimit në juglindje të Iranit

Në javën e kaluar në Akademinë e Artit në Teheran u zhvillua një konferencë shkencore me titull “Arti dhe civilizimi në pjesën juglindore të Iranit, me bosht qytetin Share Sukhte”. Qyteti Shahre Sukhte ndodhet pranë rajonit Xhiroft dhe është një prej qendrave më të rëndësishme banuese në fushën kulturore në juglindje të Iranit i cili është regjistruar edhe në listën e trashëgimisë botërore të organizatës UNESCO.

Konferenca “Arti dhe civilizimi në pjesën juglindore të Iranit, me bosht qytetin Share Sukhte” e cila u zhvillua në Akademinë e Artit të Republikës Islamike të Iranit në Teheran, është mirëpritur në nivel të gjerë nga personalitetet dhe figurat e kulturës dhe artit. Dr. Sejed Mansur Sejed Saxhadi, arkeolog i qytetit Shehre Sukhte, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, deklaroi: “Ka mbi 100 vite që kanë filluar studimet në lidhje me këtë qytet dhe një pjesë e madhe e sukseseve të shënuara në këtë drejtim, janë arritur fal kontributit të Profesor Maurizio Tosi. Mirëpo edhe grupi i arkeologëve iranian në Shehre Sukhte gjithashtu me fillimin e punës së vetë dhe me arritjen e sukseseve fillestare, është bërë shkak që gërmimet arkeologjike në pjesët e tjera të këtij qyteti t’i vendosen në përgjegjësi të arkeologëve iranianë. Sot rreth 20-25 grupe specialist të arkeologjisë dhe rinovuese të Iranit janë duke punuar në këtë rajon të vendit”.

Dr. Sejed Saxhadi në vazhdim vlerësoi se një prej veprimeve më të dobishme që janë bërë në Shehre Sukhte është trajnimi i të rinjve dhe studentëve të diplomuar dhe hulumtuesve më të rinj, ndërsa tha se ata duke u mbështetur në aftësinë e vetë, kanë kryere shumë hulumtime të dobishme.

Dr. Sejed Mansur Sejed Saxhadi, sekretar i konferencës “Arti dhe civilizimi në pjesën juglindore të Iranit, me bosht qytetin Share Sukhte”

Enrico Scalone, profesori me origjinë italiane i Universitetit Gutingen të Gjermanisë, ishte një prej mysafirëve të konferencës rreth qytetit Shehre Sukhte i cili në fjalë e tij në këtë konferencë, Iranin e vlerësoi si atdheun e tij të dytë dhe “mëmë të dytë” të tij dhe tha: “Irani është një vend në të cilin unë kam gjetur sferën e përshtatshëm për zgjerimin e hulumtimeve të mia dhe më shumë se çdo temë tjetër, për zgjerimin e bindjeve të mia në lidhje me konceptet e lumturisë, miqësisë, vëllazërisë dhe bashkëpunimit me njerëzit”.

Ai në vazhdim tha: “Në realitet, rëndësia dhe vlera e Shehre Sukhte në mileniumin e tretë, është roli që ka luajtur ky rajon si një vend për ndërthurjen e kulturave dhe eksperiencave të fituara në jug të Iranit dhe Qytetërimit Cejlon (Oxus) dhe Luginës së Indusit, duke vepruar në kuadër të një sistemi për shkëmbime kulturore. Ky rajon ishte një vend i kryqëzimit në të cilin, mosmarrëveshjet dhe të përbashkëtat kulturore kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet fondamentale historike në periudhën kohore në fund të mileniumit të katërt deri në fillim të mileniumit të dytë para erës së re”.

Enrico Scalone në vazhdim gjithashtu vlerësoi se mbrojtja speciale që është bërë për shkak të komponimit të veçantë dhe rërës së njelmët të shkretëtirës, është bërë shkak që në Itali ky qytet të kujtohet me emrin “Pompei i Lindjes”.

Enrico Scalone, profesori me origjinë italiane i Universitetit Gutingen të Gjermanisë, në konferencën “Arti dhe civilizimi në pjesën juglindore të Iranit, me bosht qytetin Share Sukhte”

Në këtë konferencë gjithashtu është përuruar edhe libri “Shehre Sukhte; arti dhe arkeologjia e rajonit të deltës së lumit Helmand nga fillimi deri në periudhën Tejmuriane”. Ky libër është përgatitur me kontributin e Dr. Sejed Mansur Sejed Saxhadi me qëllim që të shpjegohet dhe të prezantohet arti dhe civilizimi i pjesës juglindore të Iranit me bosht qytetin Shahre Sukhte dhe është shkruar në dy vëllime.

Shahre Sukhte është emri i gërmadhave të një qytet-shtetit antik në Iran i cili ndodhet 56 kilometra në jug të qytetit Zabol të provincës Sistan dhe Baluçistan në juglindje të Iranit. Ky qytet ishte ndërtuar mbi shtratin e lumit Helmand dhe thuajse mbi brigjet e këtij lumi. Periudha e ndërtimit të këtij qyteti të madh ka përkuar me epokën e bronzit dhe qytetërimit Xhiroft.

Shahre Sukhte që nga viti 1967 deri në vitin 1978, është gërmuar dhe studiuar nga arkeologët italianë nën drejtimin e Profesor Maurizio Tosi dhe më pas arkeologët iranianë kanë marrë përsipër përgjegjësinë për kryerjen e gërmimeve dhe hulumtimeve arkeologjike në këtë zonë antike.

Spikeri...

Në bazë të zbulimeve të arkeologëve, Shahre Sukhte kishte një gjerësi rreth 280 hektarë dhe gërmadhat e këtij qyteti tregojnë se ky qytet kishte pesë zona të banuara: pjesa verilindore e Shahre Sukhte, pjesët qendrore, zona industriale ose zejtarisë, objektet përkujtimore dhe varrezat të cilat ndodhen në formë të kodrinave të njëpasnjëshme dhe të ngjitura me njëra-tjetrën. 80 hektarë të Shahre Sukhte përbëheshin nga pjesa e banuar e qytetit. Zona antike dhe arkeologjike e Shahre Sukhte është në një nivel më të lartë deri në 18 metra në krahasim me nivelin e tokave që e rrethojnë atë.

Hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike kanë treguar se kjo zonë përkundër që tani ka një ambient plotësisht shkretinor dhe në këtë rajon vërehen vetëm pemët “Tamarix”, në një periudhë 5000 vite më parë, ishte një rajon i gjelbëruar dhe i gjallëruar e i mbuluar me bimë të llojllojshme dhe ishte një vend shumë i përshtatshëm për jetë dhe në këtë jetë zhvilloheshin pemët e tilla si shelgu, panje dhe plep. Gërmimet arkeologjike tregojnë se në atë kohë në këtë rajon ekzistonin edhe lumenj me degë të fuqishme të tyre që ndaheshin nga lumi Helmand  dhe mund të supozohet se nëpërmjet tyre vaditeshin edhe fushat bujqësore të qytetit.

Një pjesë e objekteve të zbuluara në Shahre Sukhte

Gjatë gërmimeve arkeologjike që janë bërë nga arkeologët, disa prej banorëve të Shahre Sukhte i varrosnin me rroba dhe veshje prej basmës së qefinit. Në disa varre të zbuluara, mbi trupat e të vdekurve vërehen edhe gjurmë të basmës. Basma që është përdorur për mbulimin e trupit të të vdekurve, në varreza vërehet në tre forma të ndryshme: në formë qefini me të cilin i mbështillnin të vdekurit, në formë të rrobave që shtroheshin nën dhe mbi trupin e të vdekurve, si dhe shtrimi me tapet i dyshemesë së varrit të vdekurin e vendosnin me rroba në varr. Objektet e punuara prej dheu janë lënda më kryesore dhe këto objekte ekzistojnë gati në të gjitha varret dhe përkrah tyre ekzistojnë edhe dhurata të tjera të ndërtuara nga guri, druri dhe basma të cilat janë zbuluar në varret e gërmuara.

Shahre Sukhte ka qenë qendër e shumë aktiviteteve industriale dhe artistike dhe në raundin e gjashtë të gërmimeve arkeologjike që janë kryer në këtë zonë, janë gjetur shembuj dhe modele shumë interesante dhe novatore të bizhuterisë dhe gjërave të çmuara. Gjatë gërmimeve arkeologjike të raundeve të kaluara, është përcaktuar se për zhvillimin e aktiviteteve industriale në prodhimin e enëve prej dheut dhe xhevahireve, banorët e këtij qyteti përdorshin pemët ekzistuese në natyrën e zonave për rreth si lëndë djegëse. Arkeologët me gjetjen e rruazave dhe qaforeve të punuara prej floriri në një varr, pas studimeve të kryera në lidhje me metodën e prodhimit të fletave dhe telave prej floriri, e kuptuan se zejtarët dhe mjeshtrit e Shahre Sukhte me vegla shumë primitive së pari kanë prodhuar fleta prej floriri shumë të holla me trashësi më pak se një milimetër dhe pastaj në formë cilindrike i kanë bërë tuba dhe mes cilindrave prej floriri, vendosnin rruazat prej gurit të kaltër (azure).

Në Shahre Sukhte gjatë gërmimeve arkeologjike janë gjetur edhe shumë lloje të objekteve dhe enëve të punuara prej dheu, vepra mozaiku, lloje të ndryshme të basmave dhe matit që të gjitha këto tregojnë ekzistencës e disa llojeve të artizanaleve sidomos industria e zhvilluar e tekstilit në atë kohë. Deri më tani, në Shahre Sukhte janë gjetur 12 lloje të basmave me një ngjyrë dhe me shumë ngjyra dhe grepi për peshkim, ndërsa studimet rreth gjërave të punuara prej mati kanë treguar qartë se banorët e këtij qyteti duke shfrytëzuar kallamishtet që ndodheshin në moçalet rreth liqenit Hamun, thurshin shporta dhe mat. Banorët e këtij rajoni këto kallame i përdornin edhe për të mbuluar çatinë e objekteve dhe shtëpive të tyre.  

Shahre Sukhte me padyshim se ishte prej qyteteve shumë të zhvilluara të asaj kohe dhe kjo karakteristikë vërehet jo vetëm në gërmadhat e mbetura nga veprat e arkitekturës dhe punimet e bukura të dorës dhe artizanaleve, por kjo mund të vërehet edhe në organizimin shoqëror të qytetit. Shahre Sukhte kishte struktura dhe institucione të sistemuara dhe veprat e mbetura në këtë rajon tregojnë se këtë çështje se në këtë qytet ekzistonte një sistem i rregullt dhe kishte një sistem të ujësjellësit dhe kanalizimit të ujërave të zeza.

 

Studimet e shkencëtarëve tregojnë se Shahre Sukhte në periudhën mes viteve 2900-1900 para erës së re, ishte vend ku banonin njerëzit. Njëmijë vite, në krahasim me lashtësinë e njerëzimit, nuk janë jashtëzakonisht shumë, mirëpo ajo që duket shumë e rëndësishme është kjo që gjatë periudhës njëmijë vjeçare, banorët e këtij rajoni kishin arritur të ndërtojnë një qytet të madhe dhe të zhvilluar banorët e të cilit punonin në lloje të ndryshme të artizanaleve dhe kishin formuar një qeverisje dhe administrim të rregullt e të sistemuar, ndërsa kishin zhvilluar edhe marrëdhënie të gjera tregtare dhe kulturore me rajonet fqinjë të tyre.  

Enët e punuara prej dheut që janë gjetur në Shahre Sukhte kanë ngjashmëri të konsiderueshme me enët e punuara prej dheu që janë gjetur në rajonin Panxhap. Pikturimi i diellit që ekziston mbi njërën prej këtyre enëve të punuara prej dheu, vërehet edhe mbi enët e punuara prej dheu që janë gjetur në qytetin Shahdad të Iranit. Ngjashmëritë e këtyre pikturave janë më të vogla me pikturat e enëve të punuara prej balte që janë gjetur në Mesopotami. Duhet të kemi parasysh se qytetërimi i qytetit Shahdad është shkatërruar përafërsisht në të njëjtën periudhë kohore rreth fillimit të mileniumit të tretë para erës së re si pasojë e ndryshimit të drejtimit të lumit  dhe në atë kohë banorët e qytetit Shahdad kishin marrëdhënie të afërta me banorët e rajonit Panxhab.

Përveç të gjitha këtyre gjetjeve, në Shahre Sukhte është gjetur edhe një sy artificial. Studimet e para tregojnë se syri i majtë i një gruaje të shëndoshë që është varrosur në varrin numër 6705, ishte sy artificial. Po të njëjtat studime tregojnë se nën vetullën e gruas në fjalë vërehen gjurmë të lungës (absceseve). Kjo është për shkak se për një kohe të gjatë që pjesa e poshtme e këtij syri artificial ishte në kontakt me kapakun e syrit  dhe mbi atë vërehen gjurmët organike të kapakut të syrit. Lënda e të cilën ishte prodhuar ky sy artificial, akoma nuk është bërë e qartë në mënyrë të saktë dhe përcaktimi i saj është lënë pasi të kryhen testime të tjera, mirëpo siç duket ky sy artificial është prodhuar nga një lëndë jonatyrore e cila është përzier me një lloj dhjami të kafshëve dhe është ndërtuar si komponim i disa lëndëve. Mbi këtë sy artificial janë projektuar edhe damarët më të imët brenda kokrrës së syrit duke përdorur tela floriri në trashësi më pak se gjysmë milimetri, ndërsa bebëza e syrit është dizajnuar në mes dhe përbëhet edhe nga disa linja paralele që vërehen rreth bebëzës së syrit. Dy vrimat anësore që ndodhen në të dy anët e këtij syri artificial janë përdorur për ta mbajtur dhe lidhur syrin me gropën e syrit. Studimet antropologjike tregojnë se sipas shumë gjasave, gruaja në fjalë ishte e moshës 25-30 vjeç dhe ishte fëmijë i lindur nga dy raca. Gjërat e gjetura në këtë varr me dy pjesë, ishin enët e punuara prej dheu, rruazat e bizhuterisë, një qese lëkure dhe një pasqyrë bronzi.

Gjetja e syrit artificial në qytetin Shahre Sukhte

Zbulimi i një loje të ngjashme me lojën e tavllës së sotshme (Backgammon), është një tjetër befasi e këtij qyteti dhe duke marrë parasysh lashtësinë e Shahre Sukhte, mund të thuhet se tavlla më vjetër në botë i përket banorëve të këtij qyteti. Në varrezën numër 761, është gjetur një lojë e ngjashme me lojën e tavllës së sotshme me 60 rruaza e cila është edhe më e vjetër se lojërat e Sumerianasve që i përkasin 5000 vite më parë.   

Një prej gjetjeve më të çuditshme arkeologjike të këtij qyteti, janë gjurmët e zbuluara në lidhje me ndërhyrjen më të vjetër kirurgjike në trurin e njeriut në këtë qytet. Gjatë gërmimeve arkeologjike është gjetur një kafkë (kocka) e një vajze 12-13 vjeçare që për t’i kuruar asaj sëmundjen hidrosofali, mjekët ia kishin hequr një pjesë të kockës së kafkës dhe e kishin bërë operacion dhe ajo vajzë kishte jetuar shumë kohë pas kësaj ndërhyrje kirurgjike.

Gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në Shahre Sukhte, është gjetur edhe një vizore e prodhuar nga druri Eboni. Kjo vizore është e gjatë 10 centimetër dhe me precizitet gjysmë milimetri, e cila tregon se banorët e këtij qyteti kishin arritur një zhvillim shumë të madh në shkencën e matematikës.

Arkeologët gjatë gërmimeve në një varrë të vjetër 5000 vjet, kanë gjetur një gotë mbi të cilën vërehet pikturimi i një dhie së bashku me një pemë. Ata pas studimeve të bërë mbi këtë gotë, e kanë kuptuar se piktura që ekziston mbi këtë gotë përkundër pikturave mbi objektet dhe gjërat e tjera të gjetura në këtë zonë arkeologjike të Shahre Sukhte, ka një përsëritje të bërë me qëllim në atë mënyrë që piktura tregon lëvizjen e dhisë drejt pemës. Artisti i cili ka pikturuar mbi këtë gotë të punuar prej dheu, ka arritur që në pesë lëvizje, të dizajnojë një dhi e cila lëviz drejt pemës dhe ushqehet me gjethet e saj. Arkeologët duke afruar këto piktura me njëra-tjetrën, kanë arritur të fitojnë një model të një pamje të lëvizshme në formën e një filmi 20 sekondash. Kjo gotë përdorej për të pirë pije. Lartësia e saj është 10 centimetër dhe qëndron mbi një këmbëz.

Disa prej objekteve dhe gjërave që janë gjetur në Shahre Sukhte

Në konferencën e 38 të organizatës UNESCO të zhvilluar në vitin 2014, qyteti Shahre Sukhte si monumenti i 17-të historik i Iranit, është regjistruar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s i cili me një lashtësi historike mbi 5000 vjet, aktualisht njihet si një prej qyteteve antike më të zhvilluara të botë. Mirëpo një çështje tjetër e rëndësishme është kjo që Shahre Sukhte nuk ishte i vetmi rajon nga pjesa jugore e Iranit i cili në atë kohë kishte arritur në një niveli relativisht të lartë të qytetërimit, për arsye se në fqinjësi të Shahre Sukhte në rajonet siç është zona arkeologjike Jahja dhe Tel Ablis dhe Bam e Shahdad, janë bërë gërmime arkeologjike të cilat tregojnë për ekzistencën e një qytetërimi të zhvilluar në pjesën e gjerë jugore të Iranit dhe në brigjet e Gjirit Persik.

Tags