Dhjetor 13, 2020 18:36 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth valës së re të vrasjes së myslimanëve në Mianmar nga ushtria e Mianmarit nën petkun e luftës kundër terroristëve ekstremistë myslimanë.

Vala e Islamofobisë nuk kufizohet vetëm me shtetet perëndimore, sepse shtetet dhe mediat perëndimore gjatë viteve të fundit kanë bërë përpjekje të mëdha për ta përhapur Islamofobinë dhe urrejtjen ndaj Islamit në nivel global. Një prej ngjarjeve të hidhura aktuale është vrasje e myslimanëve në Mianmar në heshtjen e mediave dhe të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe nën heshtjen e shteteve perëndimore që pretendojnë se janë mbrojtëse të të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Minoriteti i myslimanëve në Mianmar i quajtur Rohingia ka disa dekada që po vuan nga diskriminimi dhe racizmi. Budistët e Mianmarit në mënyrë zyrtare nuk i njohin myslimanët Ruhingia as edhe si qytetarë të këtij vendi, prandaj kryejnë çfarëdo veprimi diskriminues dhe racist ndaj minoritetit mysliman Ruhingia. Në këtë mënyrë kohë pas kohe fillon një valë e dhunës, veprimeve raciste dhe vrasjes së myslimanëve nga ana e budistëve ekstremistë. Budistët ekstremistë në valën më të re të krimeve kundër myslimanëve Ruhingia, kanë vrarë me qindra myslimanët dhe me dhjetëra mijëra persona i kanë shpërngulur dhe u kanë djegur shtëpitë e tyre. Gjithashtu edhe ata që kanë arritur të arratisen dhe të kërkojnë strehim në Bangladesh, qeveria e këtij vendi nuk ka pranuar që t’i strehojë ata në qytetet e Bangladeshit, por ka krijuar kampe refugjatesh në zonat kufitare mes Bangladeshit dhe Mianmarit dhe myslimanët Ruhingia të shpërngulur nga shtëpitë e tyre, po jetojnë në kushte shumë të vështira.

Gjendja katastrofale e myslimanëve të shpërngulur të Mianmari

Ushtria e Mianmari nën petkun e luftës kundër terroristëve ekstremistë, kësaj radhe vet në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kryer vrasjen dhe masakrimin e myslimanëve Ruhingia. Mianmari nuk ka as resurse të çmuara natyrore dhe nuk ka as ndonjë pozitë të rëndësishme strategjike me të cilën do të tërhiqte vëmendjen e shteteve perëndimore pretenduese për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Aung San Suçi është një prej figurave të dalluara politike të Mianmarit e cila për shkak të luftës shumë vjeçare kundër regjimit ushtarak të Mianmarit, është mbështetur nga shtetet perëndimore dhe është konsideruar si person që i plotëson kushtet për të marrë çmimin Nobel për paqe, mirëpo as ajo nuk e shfrytëzoi reputacionin e saj për t’i kundërshtuar veprimet diskriminuese dhe raciste nda myslimanëve Rohingia në Mianmar.

Ajo çfarë po ndodhë në Mianmar dhe në zonat kufitare të Bangladeshit, nga aspekti i formës nuk ka dallim me atë çfarë ndodhte me popullin e Irakut dhe Sirisë gjatë disa viteve të kaluara. Dallimi i vetëm ishte ky që myslimanët e Mianmarit po përballen me një terrorizëm të cilin askush në botë nuk e quan me emrin terrorizëm.

Gjenocidi ndaj myslimanëve të Mianmarit në heshtje

Kufijtë e Bangladeshit në krahasim me kufijtë e Evropës, për qeveritë dhe mediat perëndimore nuk kanë vlerën e duhur që të tërheqin vëmendjen ndaj mijëra të shpërngulurve dhe refugjatëve myslimanë të Mianmarit. Pamjet filmike rreth të shpërngulurve myslimanë të Mianmarit të cilat këtyre ditëve po publikohen nga agjencitë e lajmeve dhe kanalet informative, nuk kanë vlerë të madhe për evropianët në krahasim me fluksin e refugjatëve të cilët gjatë dy-tre viteve të kaluara kanë hyrë në Evropë. Natyrisht se jeta e refugjatëve sirianë dhe irakianë nuk ka ndonjë vlerë të veçantë për evropianët. Ajo çfarë i ka shtyrë shteteve evropiane të lëvizin me dinamizëm ndaj fluksit të refugjatëve nga qendrat e krizës në Lindjen e Mesme, është fakti se u sfidua pretendimi i tyre për humanizëm dhe të drejta të njeriut. Ata nga njëra anë synojnë të mbyllin kufijtë e tyre për refugjatët, ndërsa nga ana tjetër kjo politikë është në kundërshtim të plotë me pretendimet dhe ligjet humaniste të evropianëve. Mirëpo në një rajon me mijëra kilometra më larg Evropës, as budistët ekstremistë nuk konsiderohen kërcënim për Evropën dhe as myslimanët e pambrojtur dhe të shtypur nga Mianmari nuk sfidojnë pretendimet humaniste të shteteve perëndimore që janë pretendues të humanizmit. Krimet të cilat kryejnë budistët ekstremist në Mianmar kundër myslimanëve nuk mund të krahasohen me vuajtjet e Aung San Suçi që ka përjetuar në rrugën e lirisë dhe gjatë luftës së saj me regjimin e ushtarakëve. Vuajtjet për të cilat Aung San Suçi i ka plotësuar kushtet për ta fituar çmimin Nobel për paqe. Aktualisht me mijëra gra myslimane të Mianmarit po vuajnë vuajtje me qindra herë më të rënda dhe më të çnjerëzore se sa vuajtjet e Aung San Suçi, për ta fituar lirinë dhe për të pasur një jetë me dinjitet dhe të ndershme, mirëpo në Perëndim dhe në botën e komunikimit askush nuk është i gatshëm as edhe të shikojë fotografitë e burrave, grave dhe fëmijëve myslimanë të përvuajtur të Mianmarit dhe as të protestojë për këtë tragjedi njerëzore në nivel të mediave perëndimor. Thuajse myslimanët e Mianmarit nuk janë njerëz që të kenë vlerën e vëmendjes.

Veprimet e dyanshme të shteteve perëndimore në mbrojtje ndaj lirisë dhe humanizmit, nuk është një çështje që mund të mbulohet para syve liridashësve të botës. Heshtja dhe mosveprimi ndaj dhunës dhe padrejtësisë që po përjeton minoriteti më i shtypur fetar dhe etnik i botës në Mianmar, është një tjetër shembull konkret i sjelljeve të dyanshme të shteteve perëndimore në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë. Nëse tani zhvillohet një takim mes znj. Aung San Suçi dhe një prej funksionarëve shtetëror evropianë ose amerikanë, menjëherë rrëfehet biografia e saj në luftën për të fituar liri dhe gjithashtu çmimi Nobel për paqe, mirëpo nuk flitet asgjë për dhunën dhe padrejtësinë që po ushtrohet ndaj myslimanëve të Mianmarit. Thuajse nuk ekziston fare minoriteti me emrin Myslimanët Ruhingia në Mianmar. Ndërkohë myslimanët Ruhingia kanë vetëm botën islame, botën e cila vet është përfshirë nga trazirat, lufta, mosmarrëveshjet dhe përçarjet e ndryshme. Por shpresojmë se kësaj bote akoma t’i ketë mbetur një brengë e vogël për shqyrtimin e situatës së myslimanëve të botës dhe duke vë në veprim Organizatën për Bashkëpunim Islamik dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të gjejë një rrugëzgjidhje dhe kurim për dhimbjet dhe situatën e pasigurt të myslimanëve të shpërngulur të Mianmarit. Republika Islamike e Iranit gjithmonë ka qenë dhe është e ndjeshme ndaj çdo lloj padrejtësie dhe dhune që ushtrohet në rajone të ndryshme të botës dhe ka reaguar në mënyrë adekuate ndaj situatave të tilla. Prandaj edhe ndaj myslimanëve Ruhingia ekziston kjo ndjeshmëri e Iranit. Në reagim ndaj valës së re të dhunës dhe vrasjes së myslimanëve Ruhingia, Bahram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, duke vë në dukje vazhdimin e veprimeve çnjerëzore dhe të dhunshme kundër myslimanëve në Mianmar, ka deklaruar: “Në kuadër të respektimit të të drejtave parësore dhe dinjitetit njerëzor si një normë e njohur zyrtarisht, qeveria e Republikës Islamike të Iranit ka shprehur shqetësime të thella ndaj vazhdimit të shkeljes së të drejtave të myslimanëve në Mianmar dhe politikës diskriminuese dhe të dhunshme e cila u bë shkak për vrasjen dhe shpërnguljen e dhunshme të një numri të madh të tyre”. Gazeta “Ra’jul-Jeum” në lidhje me këtë çështje ka shkruar: “Protesta e Iranit ndaj shkeljes së të drejtave të minoritetit mysliman të Mianmarit dhe ndaj vrasjes së tyre, është i vetmi zë i cili është ngritur dhe dëgjohet në heshtjen absolute të vendeve të tjera myslimanë në lidhje me situatën shumë të keqe dhe katastrofale të minoritetit të myslimanëve Ruhingia të Mianmarit. Pritet që edhe vendet e tjera islame të tregojnë një reagim të ngjashëm në lidhje me këtë çështje”.

Tags