Islamofobia në perëndim
Qyteti Munster i Gjermanisë nga 11 deri 13 shtator, ishte organizator i konferencës për dialog ndërfetar me pjesëmarrjen e rreth 3000 përfaqësuesve të feve të ndryshme dhe temë kryesore e kësaj konference ishte paqja.
Dialogu mes feve të ndryshme është një prej rrugëve të rëndësishme për të njohur fetë dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për të theksuar të përbashkëtat në botën me plotë trazira dhe të paqetë të sotshme. Qasja e të gjitha feve është thirrja në të mirën dhe largimi nga e keqja. E mira dhe e keqja janë dy fjalë kyçe e të gjitha feve. Gati të gjitha fetë qiellore dhe ideologjitë e tjera joqiellore në këtë çështje kanë qëndrime të përbashkëta. Mirëpo secila prej feve duke marrë parasysh mësimet e tyre, kanë rrugë dhe programe të ndryshme për të njohur të mirën dhe të keqen dhe për të thirrur ndjekësit e tyre për të kryer vepra të mira dhe për t’u larguar nga veprat e këqija. Hazreti Muhamed s.a.v.s., profeti i fundit i Zotit të madhëruar i dërguar për të udhëzuar njerëzit në tokë dhe librat qiellorë para Islamit kanë lajmëruar ardhjen e një profeti me emrin Muhamed s.a.v.s.. Në të vërtetë Hazreti Muhamed s.a.v.s. duke thirrur njerëzit në Islam, ka prezantuar fenë më të përkryer dhe Islami është feja plotësuese e të gjitha feve qiellore. Zoti i madhëruar ka dërguar profetët për udhëzimin e njerëzve dhe për thirrjen e njerëzve në kryerjen e veprave të mira dhe për të bërë të qartë këtë fakt se jeta e njeriut nuk kufizohet vetëm me jetën në këtë botë materiale sepse njeriu ka një jetë të përhershme në botën tjetër. Pozita e njeriut në botën tjetër përcaktohet me veprat e tij në këtë botë dhe veprat e njeriut në këtë botë e bëjnë të qartë pozitën e njeriut në botën e përhershëm. Profetët me qëllim të përbashkët janë dërguar si profet dhe duke marrë parasysh potencialin e njerëzve të po asaj periudhe, kanë kumtuar mesazhin hyjnor për njerëzit. Hazreti Muhamed s.a.v.s. është plotësues i mësimeve të profetëve paraardhës. Në këtë edicion nuk do të flasim rreth kësaj se cila fe është më shumë ose më pak e vërtetë, por kemi qëllim që të prezantojmë në mënyrë të përgjithshme mësimet e Islamit dhe feve të tjera. Në asnjërën prej mësimeve të feve qiellore dhe joqiellore, nuk janë thirrur njerëzit në ekstremizëm dhe në dhunë për të imponuar bindjet e veta për të tjerët. Nëse disa njerëz duke u mbështetur në disa prej mësimeve fetare kryejnë veprime ekstremiste dhe të dhunshme, atë këtë e bëjnë vetëm për t’i dhënë legjitimitet ideve dhe veprimeve të tyre në mesin e ndjekësve të asaj feje. Për këtë arsye, për shkak të perceptimeve të ndryshme të një grupi të personave ekstremistë dhe të dhunshëm nga mësimet e një feje të caktuar, ajo fe nuk duhet bëhet objekt i sulmeve me qëllim që të krijohet frikë për të tjerët.
Natyrisht se në këtë drejtim ekziston një përjashtim dhe ai i përket Islamit. Fjala Islamofobi është një term i përhapur në fjalorin medial dhe politik të perëndimit. Në lidhje me asnjë fe tjetër nuk krijohet një frikë dhe urrejtje e këtillë. Mirëpo në lidhje me Islamin, ekzistojnë motive politike shumë të mëdha për islamofobi dhe urrejtje kundër Islamit. Islamofobia është një koncept i cili përmban frikë, paragjykim dhe diskriminim irracional ndaj Islamit dhe myslimanëve. Tematikë e islamofobisë është kjo që bota islame në përgjithësi dhe myslimanët me qëndrim në vendet perëndimore në mënyrë të veçantë, janë burim i kërcënimit dhe rrezikut për njerëzit, kulturën dhe civilizimin perëndimor. Në përgjithësi islamofobia tregon këtë çështje se Islami nuk ka kurrfarë të përbashkëte me fetë e tjera dhe as me kulturat e tjera, ajo është një fe e dhunshme, e ngurtë dhe pa tolerancë, ndërsa civilizimi islamik në krahasim me civilizimin perëndimor ndodhet në një shkallë më të ulët dhe ajo para se të jetë një fe, është një ideologji politike. Në bazë të kësaj, myslimanët gjithnjë prezantohen si kërcënues të vlerave kombëtare dhe kulturore të perëndimit. Qeveritë dhe mediat perëndimore gjithashtu për të dokumentuar dhe për ta përhapur këtë bindje dhe mendim të gabuar rreth mësimeve drejtësidashëse dhe paqedashëse të Islamit, po prezantojnë dhe përhapin në nivel të gjerë veprimet kriminele të grupeve takfiriste dhe terroriste të tillë si ISIS në emër të Islamit. Ata kanë qëllime të mëdha në krijimin e islamofobisë dhe urrejtjes ndaj Islamit në nivel të shoqërive perëndimore dhe të botës. Për fat të keq në konferencat ndërfetare që organizohen në shtetet perëndimore, në vend që këto konferenca të organizohen me qëllim të shkëmbimit të mendimeve dhe ideve dhe pastrimit të pikëpamjeve dhe mendimeve të gabuara dhe të pavërteta në lidhje me fetë, më shumë përdoren si një qendër për përhapjen e bindjeve të gabuara perëndimore në lidhje me Islamin dhe për përhapjen e tyre në një nivel më të gjerë në mesin e përfaqësuesve të feve të tjera qiellore.
Konferenca për dialog ndërfetar në Munster të Gjermanisë, gjithashtu nuk kishte mbetur larg dhe e sigurt nga kjo “sëmundje” e madhe. Në mesin e folësve në ceremoninë e hapjes së kësaj konference ishte edhe Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë. Kancelarja e Gjermanisë gjatë fjalës së saj kërkoi nga përfaqësuesit e feve dhe të kishave që të përballen në mënyrë serioze me uzurpimin dhe keqpërdorimin e fesë nga ana e grupeve armiqësore ndaj njerëzimit. Merkel deklaroi: “Fetë janë garantuese për vendosjen e paqes dhe për këtë arsye nuk mund të ketë kurrfarë shkaku për të arsyetuar luftën dhe veprimet e dhunshëm në emër të një feje”. Kancelarja e Gjermanisë në fjalën e saj nuk foli fare për rolin e perëndimit në zhvillimin dhe zgjerimin e ekstremizmit dhe terrorizmit në botë. Shumë prej lëvizjeve ekstremiste në botë synojnë t’i japin legjitimitet veprimeve të tyre duke shfrytëzuar fenë, mirëpo këto lëvizje ekstremiste nuk krijohen në vakum. Rrethanat e aktivizimit të lëvizjeve ekstremiste dhe terroriste i krijojnë ata të cilët përkundër pretendimeve që bëjnë, nuk kanë kurrfarë zotimi ndaj parimeve morale dhe njerëzore dhe as nuk respektojnë ligjet dhe të drejtat ndërkombëtare. Destabilizimi dhe pasiguria që ekziston në shumicën e vendeve islamike, është rezultat i politikave të shteteve perëndimore. Perëndimi luanin rolin kryesor në prishjen e imazhit të Islamit dhe përhapjen e ekstremizmit dhe për ta paraqitur të dhunshëm Islamin në shoqëritë perëndimore dhe të botës. Shtetet perëndimore në rastet në të cilat myslimanët janë viktimë e ekstremizmit dhe dhunës, i anashkalojnë ato raste në mënyrë shumë pasive. Mirëpo në raste kur kriminelët e ISIS dhe Al Kaidasë në emër të Islamit, kryejnë krime dhe dhunë ndaj njerëzve, mediat dhe shtetet perëndimore i mbulojnë ato në nivelin më të gjerë. Reagimi i qeverive perëndimore ndaj vrasjes masive dhe tragjedisë së myslimanëve Rohingia në Mianmar, është një shembull i gjallë i kësaj sjellje të dyanshme të shteteve dhe mediave perëndimore. Heshtja e shteteve dhe gjigandëve medialë në perëndim përball krimeve kundër njerëzve të shtypur, të pambrojtur dhe të pafajshëm si dhe djegia e shtëpive të myslimanëve Ruhingia, përdhunimi i grave dhe vrasja e fëmijëve, kryqëzimi i burrave myslimanë dhe djegia e tyre për së gjalli si dhe privimi i komunitetit mysliman Ruhingia nga të drejta qytetare; paraqet dhe tregon më së miri standardet e dyanshme të perëndimit në përballje me gjenocidin, aparteidin, ekstremizmin dhe terrorizmin. Shtetet dhe qeveritë perëndimore nuk janë të gatshme as të kritikojnë dhe kërkojnë nga Aung San Suu Kyi, fituesja e çmimit Nobel për paqe, për t’i dhënë fund vrasjes së myslimanëve Ruhingia në Mianmar. Vallë nëse në vend të myslimanëve Ruhingia do të ishin besimtarë të fesë së krishterë ose hebre dhe të përballeshin me krime të tilla, vallë a do të reagonin përsëri në këtë mënyrë shtetet dhe qeveritë perëndimore? A do ta mbronin përsëri dhënien e çmimit Nobel për paqe për Aung San Suu Kyi?