May 10, 2021 11:49 CET

Në këtë program, ne do të flasim për zakonet dhe ushqimet e muajit të shenjtë të Ramazanit në Arabinë Saudite. Qëndroni me ne.

Arabia Saudite, zyrtarisht Mbretëria e Arabisë Saudite, është vendi më i madh në Azinë Perëndimore. Kryeqyteti i Arabisë Saudite është Riadi dhe feja e tij zyrtare është Islami. Vendi ka një popullsi prej më shumë se tridhjetë e pesë milion banorësh.

Në Arabinë Saudite, populli mysliman i këtij vendi ashtu si myslimanët e tjerë në të gjithë botën përgatitet për muajin e Ramazanit dhe ata që janë duke agjëruar në Kadha agjërojnë në muajin Sha'ban. Ditë të qeta dhe  netë të ngarkuara janë karakteristikë e Ramazanit në Arabinë Saudite. Shumë njerëz shkojnë për shëtitje natën ose në orët e para të mëngjesit. Ata blejnë në mbrëmje dhe shkojnë për vizita tek miqtë gjatë natës. Kjo është diçka e paimagjinueshme në çdo kohë tjetër të vitit.

Unë jam Abdul Rasul, një djalë i ri nga Riadi. Ramazani më pëlqen shumë, sepse në vendin tim, njerëzit janë më dashamirës gjatë Ramazanit. Për shembull, gjatë orëve të Iftarit dhe pas dritave të kuqe ose rrugëve të zëna, unë shoh vullnetarë që u ofrojnë kalimtarëve për ujë dhe hurma. Gjithashtu një zakon i mirë në Arabinë Saudite gjatë muajit të Ramazanit është të vendosni tryeza iftari për punëtorët e huaj që jetojnë në Arabinë Saudite. Një tjetër veprim dashamirës është shpërndarja e vakteve të Iftarit midis agjëruesve në rrugë dhe ambiente publike.

Ramazani është një muaj i provës së durimit, duke u përgatitur për problemet dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Mësimi më i rëndësishëm është të falim për të tjerët, edhe nëse ne vetë jemi në situatë të vështirë dhe të ngushtë.

Një nga traditat më të vjetra të Ramazanit në Arabinë Saudite është saharisti( njoftuesi i saharit). Saharisti në mes të natës ecën në zona të banuara dhe zgjon adhuruesit me një daulle për të ngrënë saharin. Ne saharistin me daulle e quajmë "Aboutabilla". Rëndësia e kësaj tradite është e atillë që pa këtë traditë, duket se Ramazani nuk është i plotë në Arabinë Saudite. Aboutabilla ecën rrugëve duke u i rënë daulles deri në agim dhe fëmijët e entuziazmuar dhe të magjepsur pas tij, e ndjekin atë në rrugë. Ai është përgjegjës për këtë gjatë gjithë muajit të Ramazanit dhe njerëzit atij i japin para, dhurata dhe ëmbëlsira, dhe ata luten për të.

Sa i përket tryezës së Iftarit, ajo është aq shumë e rëndësishme për agjëruesit dhe përgatitësit e saj besojnë aq shumë në shpërblimin e kësaj pune, saqë nëse mysafiri i tyre nuk e pranon ftesën e tyre për Iftar, atyre u thyhet zemra jashtëzakonisht shumë. Një nga zakonet e popullit saudit është që ata e prishin agjërimin çdo natë në shtëpinë e njërit prej anëtarëve të familjes dhe ata mund të qëndrojnë atje deri në vaktin e mëngjesit. Ata zakonisht fillojnë nga shtëpia e madhe e familjes dhe pastaj është radha e anëtarëve të tjerë. Myslimanët me agjërim në Arabinë Saudite e prishin agjërimin me hurma dhe kafe arabe. Një nga ëmbëlsirat arabe është hanini, e cila është një kombinim i hurmave dhe miellit të grurit, vajit të kafshëve dhe sheqerit, i cili është shumë popullor në mesin e popullit saudit. Në arabisht, ëmbëlsirat quhen halviat, e cila konsumohet gjerësisht gjatë Ramazanit.

Ne arabët gjithashtu e duam shumë Assidan, e cila është një lloj hallva e ëmbël arabe. Gjithashtu, Tharid, e cila është një ushqim i përbërë nga perime, copa të vogla mishi qengji, kungull i njomë, karota dhe patate, që shërbehet me bukë.

Kafeja arabe shërbehet e hidhur në Arabinë Saudite. Tek ajo vendosin kanellë të thërrmuar dhe ajo merr një shije edhe më të fortë. Sambuse ( një lloj pite), gjellët me mbushje dhe supat me grurë janë disa nga pjatat e tjera të njohura në Arabinë Saudite. Një nga pijet e famshme të Arabisë Saudite është shurupi Sobia, i cili është një pije e përbërë nga qumështi dhe niseshteja.

Unë jam nga Riadi, por në shumicën e viteve gjatë Ramazanit unë udhëtoj në Mekë ose Medinë dhe kryej detyrat e mia fetare në Xhaminë e Profetit ose Xhaminë e Shenjtë. Tani do t'ju tregoj për karakteristikat e këtyre dy qyteteve saudite në mënyrë që të dini arsyen e dëshirës time për të udhëtuar tek ato.

Qyteti i Medinës, ashtu si qyteti i Mekës, gjatë muajit të Ramazanit përjeton një prani të madhe të myslimaneve. Ata vijnë nga e gjithë bota për të vizituar Qaben dhe zakonisht kalojnë muajin e shenjtë të Ramazanit në këto dy qytete. Në Medinë, të gjithë myslimanët shkojnë në Xhaminë e Profetit me rroba të bardha. Pëshpërima e lutjes së turmës bën përshtypje për të gjithë. Natën, dritat e ndritshme të kupolës dhe minareve të Xhamisë së Profetit ndriçojnë të gjithë qytetin e Medinës. Kujtimi që kam për muajin e Ramazanit në qytetin e Medinës është se një ditë agjërova për gjashtëmbëdhjetë orë; Unë hyra në Xhaminë e Profetit një orë para perëndimit të diellit. Xhamia ishte plot me njerëz që, si unë, kishin ardhur për të prishur agjërimin e tyre të gjatë. Turma e agjëruesve ishte ulur rreth tryezës. Vullnetarët shpërndanë pjata plastike dhe u dhanë agjëruesve hurma dhe pako të freskëta që përmbanin kos të ftohtë dhe gota me ujë. Ata e bënë këtë me kujdes dhe ndjeshmëri në mënyrë që ushqimi të arrinte për të gjithë ata  mijëra njerëz që ishin ulur rreth tryezës së Iftarit.

Medina është një qytet plot qetësi për vizitorët. Mbase sepse pas përndjekjes së Profetit dhe pasuesve të tij të parë në Mekë, ishte qyteti i Medinës që u bë streha e tij e qetë.

Kam udhëtuar në Mekë gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Këto dhjetë ditë janë koha më e ngarkuar në Mekë, veçanërisht në Xhaminë e Shenjtë. Çdo natë që shkoja në Xhaminë e Shenjtë, ajo ishte e mbushur me njerëz. Mesxhid al-Haram është aq e mbushur me njerëz saqë gjëja e parë që duhej të bëja ishte të gjeja një vend për t'u lutur. Aq më shumë për mua, që doja të qëndroja atje deri në agim. Pas rreth gjashtëmbëdhjetë orë agjërimi në një temperaturë prej pesëdhjetë gradë, më në fund u transmetua ezani i Maghribit. E nisa prishjen e agjërimit me një gllënjkë uji, një ndjenjë mirënjohjeje dhe respekti të thellë u formua tek unë në atë moment, të cilën nuk e kisha provuar kurrë. Pas këtij iftari të shkurtër, të gjithë u ngritën dhe në më pak se pesë minuta, u rreshtuan ngadalë për t'u lutur.

Në netët e Kadrit, një turmë e madhe njerëzish mblidhet në Xhaminë e Shenjtë. Më shumë se dy milion myslimanë kalojnë natën e kadrit në atmosferën shpirtërore të Xhamisë së Shenjtë. Pas netëve të Kadrit, Arabia Saudite merr pamjen dhe aromën e festës.

Fiter Bajrami është një festë e shkëlqyer në Arabinë Saudite sepse është festa e fundit e Ramazanit. Është interesante se në Mekë, ditën e Fiter Bajramit, nuk shihet asnjë shenjë për veshje të reja apo ushqime të veçanta. Ditën e Fiter Bajramit, të gjithë vrapojnë drejt xhamive dhe Qabes për të kryer në mënyrë sa më të lavdishme lutjet e Fiter Bajramit. Lutjet zakonisht bëhen pas lindjes së diellit, por njerëzit shkojnë në xhami shumë orë para lindjes së diellit. Fëmijët shpërndajnë ëmbëlsira dhe çokollata dhe njerëzit pas lutjeve kthehen në shtëpitë e tyre. Disa njerëz, si unë, shkojnë në aeroport për t'u kthyer në vendin ose qytetin e tyre. Sa hap e mbyll sytë, xhamia zbrazet plotësisht nga njerëzit.

Një ngjarje shumë interesante në lidhje me Fiter Bajramin në Arabinë Saudite është se ky vend ka planifikuar një festë të veçantë të Fiter Bajramit për dymbëdhjetë ditë, e cila tregon rëndësinë e kësaj feste të madhe, vizitat dhe lumturinë e saj dhe ky është numri më i lartë i pushimeve në botë për festën e Fiter Bajramit.

Ne në kohën midis perëndimit të diellit të ditës së fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe lutjeve të Fiter Bajramit u japim zeqatin tonë të festës së Fiter Bajramit njerëzve të varfër dhe në nevojë. Sidoqoftë, në disa raste kjo fillon dy ditë para festës. Në qytete të tjera, të tilla si qyteti im i lindjes Riadi, bazuar në zakonet tona antike, në mëngjesin e Fiter Bajramit ne i ofrojmë njëri-tjetrin, kafe, çaj, lëngje frutash dhe një shumëllojshmëri hurmash. Mes nesh një nga ushqimet më të famshme të Fiter Bajramit është Alkabasa, e cila bëhet nga orizi dhe mishi. Një tjetër nga ushqimet tona të shijshme që në ditën e Fiter Bajramit, ne konsumojmë pas lutjeve të Fiter Bajramit është ëmbëlsira Al-Manar, të cilat gratë i kanë gatuar që një ditë më parë. Në këtë ditë, ne u japim fëmijëve ëmbëlsira dhe lodra si dhurata. Gjatë udhëtimit tim në Mekë në muajin e Ramazanit, mësova se agjërimi nuk ka të bëjë vetëm me abstenimin nga instinktet e brendshme pasi falënderimi për atë që kemi është gjithashtu një mësim i shkëlqyer që kam mësuar nga Ramazani.

 

Tags