May 28, 2016 08:01 CET
  • Harresa e botës tjetër një ndër hipotezat e sekularizmit

Në këtë edicion do të flasim rreth harresës së botës tjetër në sekularizëm.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame”. Në edicionin e kaluar shqyrtuam kuptimin e jetës nga pikëpamja e sekularizmit dhe islamit në mënyrë të veçantë dhe u munduam të krahasojmë kriteret kryesore të këtyre dy pikëpamjeve me njëra-tjetrën. Në këtë edicion do të shqyrtojmë çështjen e "harresës së botës tjetër" si një prej hipotezave të sekularizmit. Pa këtë hipotezë, esencialisht do të jetë e pamundur jetesa sipas stilit sekularist. Me fjalë të tjera, njeriu i cili nuk e konsideron vdekjen si përfundim të tij dhe të besojë se pas vdekjes atë e pret një lloj tjetër i jetës i cili nuk është i pavarur nga veprat dhe sjelljet e tij në këtë jetë të kufizuar të kësaj bote, nuk mund ta ndërtojë jetën e tij mbi baza të sekularizmit. Kjo hipotezë i forcon bazat e tjera të sekularizmit. Mund të thuhet se duke marrë për hipotezë "të harruarit e botës tjetër" dhe si pasojë me përhapjen e stilit të jetës sekulariste, njeriu për çdo ditë e më tepër zhytet në rrethin e tij të harresës dhe me neglizhencë ndaj fillimit të krijimit dhe botës tjetër, nuk ndjenë nevojën për fe. Vdekja është një e vërtetë të cilën e vërejmë për çdo ditë në mënyrë të qartë ose dëgjojmë vazhdimisht diçka në lidhje me atë, mirëpo njeriu i hutuar me mashtrimet e kësaj bote mendon se vdekja është shkatërrim dhe jeta pas saj nuk ka kuptim, prandaj ai frikësohet nga kujtimi i vdekjes dhe ik nga shenjat e saj. Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë i drejtohet njerëzve të tillë me këto fjalë: "Ku do që të jeni, vdekje do t'iu gjejë juve, edhe nëse ju do të jeni në pallate dhe kështjella shumë të forta". Në një vend tjetër në Kur'an thuhet: "Vdekja nga e cila ju ikni, padyshim se do t'iu takojë juve". Zoti i madhëruar në ajetet e lartpërmendure kur'anore vë në dukje këtë çështje të rëndësishme se ikja nga vdekja nuk ka kurrfarë dobie dhe me të vërtetë një ditë do të arrijë vdekja e njeriut dhe kjo është e vërtetë e prerë në botën e ekzistencës. Çështja se a përfundon jeta e njeriut me vdekjen ose jo, gjithmonë ka qenë një prej pyetjeve esenciale të njeriut. Kjo është për arsye se njeriu e konsideron qenien e tij plotë me dëshirë për pavdekshmëri dhe përkryerje dhe për shkak të talenteve dhe privilegjeve qenësore superiore të tij në krahasim me gjallesat e tjera, mendon se ai ka një fisnikëri dhe dinjitet të lartë të cilin nuk e kanë kafshët dhe trupat e tjerë të ngurtë. Për këtë arsye, për njeriun është shumë e dhimbshme që qenia e tij e çmuar me vdekje të shndërrohet në hiç. Nga ana tjetër, njeriu duke shfrytëzuar në mënyrë të drejtë mendjen e tij, mund ta kuptojë se ai nuk është një qenie vetëm materialiste dhe e kësaj bote, si dhe synimin e tij final nuk mund ta gjejë në këtë botë materiale, pavarësisht faktit se nganjëherë mendja e njeriut nuk ka informacione për detajet e jetës pas vdekjes dhe për lidhjen mes dy botëve. Përballja e njeriut me këtë çështje është e dyanshme: një grup i njerëzve mundohen që në çfarëdo mënyre të mundshme, të harrojnë vdekjen dhe botën pas saj në mënyrë që të mos brengosen me kujtimin e shkatërrimit të tyre. Një grup tjetër i njerëzve mendojnë për vdekjen, mirëpo pasi mendja e njeriut ka kufizime të caktuara dhe në mënyrë të vetme nuk mund ta njohë botën pas vdekjes, në fund arrijnë në këtë konkludim se jeta e njeriut është e paqëllimtë dhe nihiliste. Mirëpo ekziston edhe një grup tjetër i njerëzve të cilët për tu informuar më saktë rreth vdekjes dhe për ta njohur më mirë fatin e tyre pas vdekjes, e shfrytëzojnë edhe shpalljen hyjnore përkrah mendjes njerëzore dhe duke u bazuar në mësimet hyjnore, e sistemojnë jetën e tyre në këtë botë në atë mënyrë që ajo të jetë e dobishme edhe për jetën në botën tjetër.

Ashtu siç thamë në edicionet e kaluara, sekularizmi e trajton njeriun vetëm nga çasti i lindjes deri në vdekje dhe pretendon se sistemon jetën e tij në këtë botë në atë mënyrë që ai të mos ketë nevojë për botën tjetër për të qenë i lumtur. Mendimtarët sekularistë anashkalojnë pasionin e njeriut për pavdekshmëri dhe përkryerje dhe pohojnë se njeriu nuk duhet të kërkojë diçka të madhe dhe diçka më të lartë se sa kjo botë materiale. Në edicionet e kaluara kemi treguar një pjesë të përpjekjeve të tyre për ta prezantuar jetën e njeriut me kuptimin dhe mundësinë që njeriu të jetojë në mënyrë të moralshme në një botë pa Zot dhe pa patur nevojë për botën tjetër. Kemi paraqitur gjithashtu edhe kritikat e pikëpamjes së Islamit ndaj këtyre përpjekjeve, tani do të shqyrtojmë se ndikim i kujtimit të vdekjes në jetën e njeriut a është një ndikim konstruktiv ose dekonstruktiv?

Nëse do ta konsiderojmë vdekjen përfundim të qenies së njeriut, të menduarit rreth saj do të jetë një gjë e tmerrshme dhe destruktive. Mirëpo në përputhje me të menduarin islam, vdekja është fillim i jetës së amshueshme të njeriut në botën tjetër e cila nga shumë aspekte të ndryshme është superiore në krahasim me botën materiale. Çështje tjetër e rëndësishme është kjo që sipas mësimeve islame, edhe veprimi ynë më i vogël në këtë botë ushtron ndikim të drejtpërdrejtë në lumturinë ose vuajtjen në botën tjetër. Prandaj, nëse do ta shikojmë vdekjen si një fillim përsëri, atëherë si mund të jetë i tmerrshëm të menduarit rreth saj? E vërteta është kjo që të menduarit rreth vdekjes dhe jetës pas saj në këtë formë, do të jetë shumë tërheqëse dhe në mënyrë të çuditshme mund të shtojë motivin dhe aftësinë e njeriut për të arritur në qëllimin e lartë të krijimit. Mund të mendohen shumë veprime morale dhe njerëzore të cilat e zbukurojnë botën dhe e bëjnë atë të dashur, si për shembull sakrifica dhe flijimi i njeriut për të shpëtuar njerëzit e tjerë. Besimi në botën tjetër bëhet shkak që njeriu të fitojë guximin për kryerjen e veprimeve të tilla, për arsye se ai e din se atë çfarë e ka dhënë në rrugën e Zotit është shumë e vogël në krahasim me shpërblimin që do ta marrë në botën tjetër. Besimi në botën tjetër mund të jetë garanci për zbatim të mirë edhe në veprimet morale të një shkalle më të ulët. Të kujtuarit e vdekjes e ndihmon njeriun edhe në perceptimin e veprimeve të këqija dhe mëkateve. Dijetarët e moralit sekularist ende nuk mund t'i japin përgjigje kësaj pyetjes se nëse kryerja e një veprimi jo moral nuk është i dëmshëm për të tjerët, për çfarë arsye nuk duhet të kryhet ai veprim? Mirëpo të menduarit islam ka përgjigje të mirë për këtë pyetje dhe ajo është kjo që kryerja e mëkatit dhe e veprimeve jo morale edhe pse duket që nuk sjell dëm për të tjerët, mirëpo ajo bëhet shkak që njeriu të bie nga shkalla e përkryerjes dhe ushtron ndikim negativ mbi jetën e amshueshme të tij në botën tjetër. Prandaj, ky përkujtim i vdekjes mund t'i japë njeriut forcë të mirë për të kontrolluar veprimet dhe sjelljet e tij në çfarëdo rrethanash.

Disa besojnë se të menduarit rreth vdekjes e vendos njeriun në një gjendje të pandjenjë dhe të mplakur dhe e ndalon atë nga aktiviteti konstruktiv në jetë. Në të kundërtën mësimet islame inkurajojnë njeriun që gjithnjë të ketë parasysh se vdekjen e ka përpara. Natyrisht se kjo vdekje është fillim i një jete tjetër. Në këtë mënyrë njeri ndjenë që një rast i pashembullt që ekziston në këtë botë për sprovim dhe për përkryerje është duke mbaruar, prandaj çdo çast i kësaj jete do të bëhet i çmuar për atë dhe ai mundohet ta shfrytëzojë atë sa më mirë. Një njeri i tillë nuk e humbë kot kohën e tij, për arsye se e di që kjo botë është ndërtuese e botës tjetër. Ai i cili e beson vdekjen dhe botën tjetër nuk e lidh zemrën për pozitat dhe pasuritë e kësaj bote. Jo në këtë kuptim që nuk shfrytëzon të mirat e kësaj bote, por një person i tillë nuk është lakmitar për të fituar pozitë dhe funksione të larta për arsye se ai dëshirat e tij nuk i ka vendosur në këtë botë. Isa a.s. ka thënë: "Lakmitari i botës është sikur një person që pi ujë në det. Sa më shumë që të pi, aq më shumë i shtohet etja që të pi edhe më shumë". Prandaj ai që beson në ditën e Kiametit përfiton nga të gjitha mirësitë e botës, mirëpo nuk e lidh zemrën për ato dhe për të arritur deri tek ato mirësi nuk shfrytëzon çdo mjet. Shumë luftëra dhe krime në shoqëritë njerëzore bëhen për shkak të lakmisë për realizimin e dëshirave të kësaj bote dhe për të arritur në pozita dhe pasuri të kësaj bote. Ai i cili beson në kiamet dhe në jetën pas vdekjes, nuk zhgënjehet dhe nuk bie në depresion për shkak të mungesave dhe vështirësive që i imponohen atij në mënyrë të padëshiruar në këtë botë. Një njeri i tillë e di se në çfarëdo rrethana që të jetë, Zoti i madhëruar kërkon kryerjen e detyrave në përputhje me mundësitë dhe aftësitë e tij, ndërsa kryerja e këtyre detyrave mund ta çojë atë në përkryerjen e merituar njerëzore. Ai për këtë arsye nuk zhgënjehet. Këtë edicion po e përfundojmë me një thënie të Imam Aliut (a.s.) i cili ka thënë: "O robër të Zotit! Dijeni që njerëzit e devotshëm kanë përfituar edhe nga kjo botë e përkohshme edhe nga bota tjetër që do të vije. Ata janë shoqëruar në këtë botë me njerëzit e dashuruar në këtë botë, ndërsa adhuruesit e kësaj bote nuk i shoqërojnë njerëzit e devotshëm në botën tjetër. Ata në botë nëpërmjet rrugëve të lejuara, kanë banuar në vendet më të mira dhe kanë ngrënë ushqimet më të mira. Ata kanë përfituar nga kjo botë ashtu siç kanë përfituar adhuruesit e kësaj bote. Ata kanë arritur në suksese ashtu siç kanë arritur adhuruesit e kësaj bote. Pastaj kanë arritur në destinacionin e shpëtimit me një barrë shumë të dobishme, kanë kaluar këtë botë dhe me plotë fitime kanë shkuar në botën tjetër. Ata në këtë botë kanë arritur në atë shkallë të kënaqësisë që të mos dëshirojnë asgjë dhe janë bindur që në botën tjetër ata do të jenë pranë Zotit. Lutjet e tyre nuk kanë mbetur pa përgjigje, ndërsa nuk është reduktuar as kënaqësia e tyre në këtë bote"

Tags