May 05, 2024 18:03 CET

Në këtë podkast do të njihemi me një nga sahabet e Vulës së Profetëve, hazretit Muhamed Mustafasë (s.a.v.s.). Po, në këtë podkast do t'ju tregojmë për Selman Farisiun, njërin prej sahabëve të Profetit të nderuar (s.a.v.s.), një person i cili në mesin e shokëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) ka pasur një jetë plot ndryshime dhe pozitë të veçantë pranë Profetit (s.a.v.s.); një figurë e shquar dhe e pranuar nga të gjitha sektet dhe medh’hebet islame, të cilat e përmendin atë si njërin prej “

Ky podkast është një rrëfim rreth jetës së Selman Farisiut, njërit prej shokëve dhe shoqëruesve të Profetit të nderuar të Islamit (s.a.v.s.).

Tema e programit 

Ky podkast është një rrëfim rreth jetës së Selman Farisiut, njërit prej shokëve dhe shoqëruesve të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.

Rëndësia e programit

Njohja e Selman Farisiut dhe jetës së tij mund të jetë një model për çdo kërkues të së vërtetës dhe përkryerjes dhe një udhëzim për të arritur deri te qëllimi i synuar. Selman Farisiu është një person që për të arritur lirinë e vërtetë heq dorë nga liria e tij dhe merr mbi vete barrën e robërisë që vetë Pejgamberi (s.a.v.s.) të vendosë mbi kokën e tij kurorën e dinjitetit dhe të krenarisë. Për të pasur parasysh rëndësinë dhe pozitën e Selman Farisiut na mjaftojnë fjalët e Pejgamberit të nderuar (s.a.v.s.), i cili ka thënë: “Selmani është nga ne, Elhi-Bejti.”

Numri i episodeve:

Pesë pjesë që përfshinë tema si "Jeta dhe historia e Selman Farisiut para Islamit", "Pranimi i Islamit nga Selman Farisiu", "Karakteristikat e njohura të personalitetit të Selman Farisiut", "Qeverisja e Selmanit në Medain dhe ndarja e tij nga jeta".

Burimet:

Librat:  "Muhaxhiri i hakikatit" (Husejn Xha’fari), "Selmani i pastër" (Louis Massignon)

Modele ideologjike: Biografia e sahabeve të Pejgamberit (s.a), imamëve dhe personaliteteve fetare (Xhevad Muhaddesi); Pararendësi i marrëdhënies së Iranit me Islamin (Muhammed Mehdi Eshtehardi).

Përshëndetje! Mirë se vini në podkastin “Muhaxhiri i Xhenetit”! Në këtë podkast do të njihemi me një nga sahabet e Vulës së Profetëve, hazretit Muhamed Mustafasë (s.a.v.s.). Po, në këtë podkast do t'ju tregojmë për Selman Farisiun, njërin prej sahabëve të Profetit të nderuar (s.a.v.s.), një person i cili në mesin e shokëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) ka pasur një jetë plot ndryshime dhe pozitë të veçantë pranë Profetit (s.a.v.s.); një figurë e shquar dhe e pranuar nga të gjitha sektet dhe medh’hebet islame, të cilat e përmendin atë si njërin prej “Katër Shtyllave”. Tipare si dija e thellë, besimi i përsosur, asketizmi, urtësia, modestia, përpjekja për Islamin, gjithashtu dhe ndryshimet gjatë rrjedhës së jetës që e bënë të ankorojë në bregun paqësor të Islamit, e bëjnë më tërheqëse njohjen e tregimit të jetës së Selman Farisiut. Në mesin e shoqërive islamike janë shumë të paktë ata që nuk e kanë dëgjuar emrin e tij dhe kjo tregon për pozitën e tij madhështore dhe të veçantë në mesin e myslimanëve. Por fakti se si mundi një joarab të arrijë në një pozitë ku Prijësi dhe Vula e Profetëve, Pejgamberi i nderuar (s.a.v.s.) të thotë për të që “Xheneti është më i përmalluar për ta takuar Selmanin sesa ai Xhenetin”, tregon një të vërtetë njohja e së cilës e çon në pozitën e synuar çdo njeri që adhuron Zotin dhe është në kërkim të së vërtetës. Në këtë podkast do t’ju tregojmë për jetën e tij. Shpresojmë të kënaqeni duke na ndjekur.

Ruzbehu ka lindur dhe është rritur në Xhej, një qytet ku njerëzit adhuronin zjarrin. Babai i tij, Bedekhshan Moubed ishte prej parisë së rajonit dhe kreu i fesë në qytetin Xhej. Ky qytet ka qenë një nga rajonet e vjetra të Isfahanit të sotëm, i cili në atë kohë ishte një nga zonat kryesore të banuara nga zoroastrianët. Babai i Ruzbehut ishte një klerik zoroastrian dhe puna e tij e përhershme ishte t’i shtonte dru zjarrit. E gjithë përpjekja e babait të Ruzbehut ishte që djali ta zëvendësonte, por i biri e urrente shumë këtë pozitë. Ruzbehu kishte një shpirt të lehtë si puplat e shpendëve fluturues. Dëshira për të shkuar sa nga njëra anë në tjetrën i vlonte përbrenda. Që në adoleshencë, babai e kishte detyruar të bënte roje në tempullin e tij, por në të vërtetë i burgosuri ishte Ruzbehu dhe gardiani ishte zjarri.

Kur shikonte adhurimin e njerëzve, Ruzbehu thoshte me vete: “Si e adhurojnë këta njerëz një zjarr të cilin e kanë ndezur vetë?! A nuk e shuan atë një grusht ujë?! A nuk ia fik dritën një grusht dhe a nuk ia shpërndan hirin era sa andej-këtej?!"

Të menduarit e kishte sjellë Ruzbehun në një përfundim se kjo botë e ka një krijues; një Krijues që e ka krijuar zjarrin për ta përdorur njeriu. Ai nuk mund ta pranonte që Zoti i tij ishte i kënaqur me epërsinë dhe dominancën e të pasurve ndaj të varfërve dhe nuk donte ta pranonte një zot, robërit e të cilit zjarrin e mangët nga urtia dhe fuqia ta ngrinin lart e ta adhuronin. Ruzbehu zhytej me orë të tëra në mendimet e tij dhe bërtiste me zemërim: “Ky adhurim është i kotë dhe kjo shoqëri është e degjeneruar!"

Pastaj, kur zemërimi i shuhej, thoshte me dhimbje: “Ku mund të gjej dikë që të më udhëzojë drejt Krijuesit të gjithësisë dhe të Tokës??

Sistemi i klasave në kohën e Ruzbehut në Iran kërkonte që djemtë të mësonin mjeshtëritë dhe profesionet e baballarëve të tyre në mënyrë që të bëheshin persona përgjegjës dhe të ishin të aftë për të mbajtur mbi supe barrën e jetës. Ruzbehu, gjithashtu, kishte arritur në atë moshë që babai t'ia mësonte djalit të tij inteligjent teknikat dhe mjeshtëritë që njihte dhe që kishin lidhje me klasën dhe profesionin e tij. Përveç kësaj, detyrat e shumta të babait dhe presioni i punës bënë që gradualisht djali i tij të njihet me punën dhe të futet në mjeshtërinë e vet. Me këtë menaxhim, edhe e ardhmja e Ruzbehut do të sigurohej, edhe mendimeve bezdisëse dhe pyetjeve të tij panumërta do t’u jepej fund.

Me po këtë qëllim, një ditë babai e dërgoi në ara për të mbikëqyrur punët e fermerëve dhe të mbate rendin. Babai ia la të gjitha porositë e domosdoshme Ruzbehut dhe i kërkoi që të mos bëhej shkak shqetësimi për të e të kthehej në kohë në shtëpi. Rrugës për në fermë, Ruzbehu dëgjoi një zë tërheqës që po recitonte. Një zë që e ekzaltoi shpirtin adhurues tek ai dhe një recitim i këndshëm që i dha një ndjenjë të ëmbël shpirtërore. Në mënyrë të pavullnetshme ndërroi rrugë drejt burimit nga vinte zëri derisa arriti tek një kishë. U fut brenda. Atje u përball me një pamje që nuk e kishte parë ndonjëherë deri më tani, si pikturat mbi muret e kishës dhe rreshtat e rregullta të njerëzve, të cilët këndonin me zë të bukur të cilët ishin përgjunjur në shenjë nderimi. Disa ishin të zënë duke lexuar një libër, për të cilin më vonë do të mësonte se ishte Ungjilli, disa duke u lutur e përgjëruar, e disa të tjerë duke u falur.

Që në pamje të parë, feja dhe besimi i Mesihut rrezatoi një rreze imani mbi zemrën e Ruzbehut dhe pati një ndikim të papritur mbi shpirtin e tij. Ai u magjeps pas adhurimit që bënin të krishterët. Pas fundit të ceremonisë, shkoi pranë një kleriku të krishterë dhe e pyeti atë rreth veprimeve që po kryenin dhe besimit të tyre. Si përgjigje, dëgjoi se ishin të krishterë dhe po merreshin me falje dhe adhurim.

I krishteri, me një fyryrë të qeshur, ia prezantoi fenë e vet në mënyrë të detajuar. I tregoi për përzemërsinë, drejtësinë, altruizmin e Mesihut dhe i përcolli fjalë prej tij që ia rritën Ruzbehut pasionin dhe entuziazmin. Ruzbehu e pyeti klerikun e krishterë: “Nëse dikush kërkon të shqyrtojë dhe mësojë më shumë rreth Krishtërimit, ku duhet të shkojë??

Kleriku i krishterë iu përgjigj se rajonet e Sirisë dhe Palestinës janë qendra e fesë së krishterë dhe se Isai (a.s.) ka lindur në Betlehem, dhe në po ato rrethina e ka prezantuar fenë e tij, që më pas është përhapur në rajone të tjera të botës.

Fjalët e klerikut dhe pyetjet e Ruzbehut zgjatën shumë. Dita po ngrysej. Ai e përshëndeti klerikun dhe u kujtua për porositë e babait dhe punët që i kishte ngarkuar. Vrapoi me të shpejtë drejt shtëpisë. Babai kishte dërguar disa prej shërbëtorëve në kërkim të tij.

Kur Ruzbehu u kthye në shtëpi, e pa babanë të shqetësuar dhe të përhumbur. Ai i foli të birit me një ton plot zemërim duke i thënë: “Ku ishe deri tani?”

Ruzbehu iu përgjigj me qetësi: “U ndesha me një grup të krishterësh, të cilët po faleshin në kishën e tyre. Ajo që pashë tek ata më habiti dhe zbulova se feja e tyre është më e mirë se e jona.”

Babait, i cili e përgatiste vazhdimisht të birin që të bëhej përgjegjës i tempullit të zjarrit pas tij dhe e detyronte t’i kryente të gjitha ritualet zoroastriane, fjalia “Pa dyshim që feja e krishterë është më e mirë se feja jonë!”, i erdhi si një shuplakë mbi kokë.

Ruzbehu i tregoi babait për ngjarjen. I tregoi për Zotin e të krishterëve. Kur babai e mori nën kontroll zemërimin e tij, me një ton të butë dhe vazhdimisht të shqetësuar, i tregoi të birit për fenë zoroastriane dhe domosdoshmërinë për t’i mbetur besnik asaj dhe fesë së të parëve. Si fillim, u mundua ta bindte të birin me metoda të ndryshme, por Ruzbehu me plot respekt i hidhte poshtë një e nga një argumentet e babait. Në fund i tha: “Baba i dashur! Ti pason paraardhësit dhe fisnikët e tu në lartësimin e zjarrit, por më trego se çfarë pozite i jep këtij zjarri që e ndezim me duart tona? Jeta dhe vdekja e këtij zjarri është në duart tona, atëherë si mund të jetë ky zoti ynë?!”

Kur babai i dëgjoi argumentimet e Ruzbehut u mërzit më shumë dhe iu shtua shqetësimi. E qortonte veten se përse i kishte dhënë leje të birit të dilte nga shtëpia. Metoda e përkujdesjes së babait për Ruzbehun u bë më e vështirë. E mbylli brenda. Madje, ia lidhi edhe këmbët me zinxhir dhe dha urdhër që rojet dhe punëtorët ta mbanin nën vëzhgim që të mos dilte nga shtëpia. Mbyllja në shtëpi ishte një mundësi që Ruzbehu të mendohej më shumë rreth Krishtërimit dhe asaj që kishte parë e dëgjuar dhe të rishikonte e reflektonte mbi besimet e veta rreth fesë zoroastriane, ritualeve të adhurimit dhe rregullave të saj.

E vërteta ishte kjo që në atë kohë, njëkohësisht me sundimin e Sasanidëve në Iran, fesë zoroastriane nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveç një fasade sipërfaqësore, dhe ajo fe nuk mund t’u jepte përgjigje nevojave shpirtërore të një personi si Ruzbehu. Ndryshimet dhe tjetërsimet shpirtërore dhe ideologjike të Ruzbehut, të cilat ishin ngritur nga natyra e tij fillestare (fitrah), ishin rreth çështjes së monoteizmit. Kërkimet dhe udhëtimet e tij ideologjiko-shpirtërore e kishin afruar më shumë pranë Zotit të vërtetë. Ndihej shumë i vetmuar e i huaj. Ndjente se nuk e kuptonte njeri dhe se kishte mbetur larg nga origjina e tij, por shpresa për shpëtimin nga kjo gjendje, i falte atij motivim dhe vullnet.

Mbyllja e tij në shtëpi vinte si pasojë e përzemërsisë dhe e dashamirësisë së babait, e cila në pamje të jashtme ishte shenjë e shqetësimit të tij për të ruajtur të birin, por në të vërtetë ishte shenjë e frikës së tij ndaj shpirtit hulumtues të Ruzbehut. Pa dyshim që babai i tij e dinte mirë se ai shpirti hulumtues i të birit rreth së vërtetës nuk do të qetësohej.

Në kohën e Sasanidëve, veçanërisht në dekadat e fundit të sundimit të kësaj dinastie, Irani nuk kishte përputhje dhe lidhje me kërkesën e lirisë dhe të drejtat e individit. Sistemi klasor i asaj periudhe ndërtohej mbi prejadhjen e gjakun, dhe lëvizjet shoqërore dhe zhvendosja nga një klasë në tjetrën ishte e ndaluar dhe e vështirë. Struktura anti-individuale e sistemit shoqëror sundues që klasës i jepte më shumë rëndësi sesa individit, i nxiste njerëzit për një jetë familjare. Kështu, për një person ishte shumë e vështirë, madje e pamundur ta linte vatanin dhe mëmëdhenë e të arratisej.

Në këto kushte familjare dhe shoqërore Ruzbehu e mori vendimin të largohet nga vatani për të zbuluar të vërtetën. Ndarja nga familja dhe largimi nga atdheu ishte një vendim i vështirë dhe një fakt shumë i ndjeshëm dhe i rëndësishëm në jetën e tij. Ruzbehu ishte edukuar në kushtet më të rehatshme dhe më të begata, por fryma e kërkimit të së drejtës dhe e bota e tij e brendshme e trazuar ia ndryshuan këndvështrimin mbi jetën.

Dëshira e tij për të njohur veten dhe Zotin ishte aq e fuqishme saqë hoqi dorë nga jeta komode dhe pozita profesionale e shoqërore që e priste me anë të mbështetjes së babait. Ai kishte menduar për orë të tëra për përballjet e mundshme me vështirësitë rraskapitëse që e prisnin me hedhjen e hapave drejt kësaj rruge, dhe kishte menduar disa herë për fatin e tij të paditur larg familjes së vet, por përballë thirrjes së natyrës fillestare (fitrah), ai mori vendim të heqë dorë nga të gjitha dëshirat dhe përkatësitë të cilat ishin si një digë në rrugën e tij të njohjes së origjinës së krijimit.

Pavarësisht ekzistencës së të gjitha këtyre pengesave, ai mori vendimin për të emigruar. Ruzbehu nuk ishte i mërzitur me sjelljen e babait ndaj tij dhe e dinte që ai ia kishte vendosur të gjitha këto kufizime si pasojë e dashurisë së madhe që kishte për të, por ai kishte kuptuar që pakënaqësia ndaj asaj kohe nuk duhej ta shpiente në udhë pa krye dhe pesimizëm dhe se duhej ta kërkonte të vërtetën e humbur dhe shpëtimin e tij në një vend tjetër në mesin e të tjerë njerëzve. Prandaj, pavarësisht përkujdesjes së babait për të mos dalë nga shtëpia, i kërkoi njërit prej shërbëtorëve të vjetër të shtëpisë, me të cilin kishte lidhje të mira shoqërore, që po të shihte ndonjë person ose karvan që udhëtonte drejt Shamit (Sirisë) apo rajoneve të banuara nga të krishterët, ta njoftonte atë.

Një natë, shërbëtori erdhi pranë tij dhe i tha se atë natë një karvan do të nisej drejt Shamit. Ruzbehu e falënderoi dhe për të mos e marrë vesh njeri daljen e tij nga shtëpia, veshi rrobat e shërbëtorit dhe iu bashkangjit karvanit. Të nesërmen, kur babai i Ruzbehut mësoi për mungesën e tij, u nervozua e u mërzit shumë dhe dërgoi rojet dhe njerëzit e vet në kërkim, por nuk gjetën ndonjë shenjë prej tij.

Ashtu siç çlirohen rrezet e para të dritës nga errësira në agim, Ruzbehu u shkëput nga lidhjet e tij, dhe para agimit, në errësirën e natës, doli ngadalë dhe me qetësi nga shtëpia dhe iu bashkua karvanit, i cili së bashku me flladin e këndshëm të agimit u nis drejt Damaskut. Me një karvan që i jepte një formë tjetër të ardhmes së tij...