May 18, 2024 18:41 CET

Zoti nuk e pranon shtypjen. Pranimi i shtypjes nuk është i denjë për dinjitetin njerëzor. Zoti nuk do që ta shohë kurrë njeriun nën sundimin e shtypjes; kjo është arsyeja pse Ai i përgatiti shtigjet e lirisë së tij. Një person që e konsideron Zotin si pronar të tijin, nuk pranon të jetë rob i asnjë qenieje njerëzore. Po aq sa e konsideron të lejuar përuljen para Zotit, aq edhe i shmanget përkuljes para robërve të cilët kanë nevojë për Zotin e tyre. Njeriu është mëkëmbësi i Zotit në tokë dhe Zoti

Podkasti “Muhaxhiri i Xhenetit” (Biografia e Selman Farsiut) Episodi i tretë

Ky podkast është rrëfimi i jetës së Selman Farisiut, njërit prej shokëve të veçantë të Profetit të Shenjtë (s.a.v.s.).

Përshëndetje!

Do të jemi së bashku me episodin e tretë të podkastit “Muhaxhiri i Xhenetit”, që bën fjalë për jetën e Selman Farisiut, sahabiut të veçantë të Profetit të dashur të Islamit (s.a.v.s.), i cili u përjetësua në histori.

Në dy episodet e mëparshme, ju treguam për përpjekjet e Ruzbehut, apo Selman Farisiut, për të gjetur të vërtetën; se si ai përshkoi një rrugë të gjatë plot ulje-ngritje për të arritur në Islam.

Tani, pasi kaluan shumë ditë e netë, Ruzbehu e gjeti të vërtetën që po kërkonte dhe me një ton të mallëngjyer thotë: “Më në fund arrita në bregun e shpëtimit. Në zemrën dhe mendjen time kishte një boshllëk që duhej mbushur vetëm me të vërtetën. Për ta mbushur atë, përshkova të gjitha guroret dhe kriporet. U enda nëpër shkretëtira dhe fusha, nga pallati në kolibe dhe nga fisnikëria në skllavëri, por kësaj rruge nuk iu ndava. Ju më shpëtuat. Unë u arratisa nga vendi i largët i legjendave dhe u nisa drejt një të vërtete që ende i duhej pak kohë të shfaqej. Shkova nga tempulli zoroastrian në kishën e krishterë; nga rrafshinat e Ammurijes përfundova tek dhimbjet e skllavërisë në Uadil-Kura dhe në duar të Beni Kurejdhas! Unë kam përshkuar një rrugë të vështirë dhe jam munduar deri në fund për të ardhur tek ju! Po kërkoja për një ideologji që i do njerëzit për hir të njerëzimit dhe botën për hir të drejtësisë! Për një fe që nuk i jep askujt një privilegj përtej besimit të tij. Për një ritual në të cilin të jetë njeriu dhe i Vërteti; njeriu dhe Zoti; një marrëdhënie dashurie dykahëshe, mes të cilëve të mos ketë asnjë pengesë. Tani jam në det dhe dua të më pranoni në anijen tuaj të shpëtimit! Dua të udhëtoj drejt skajeve të së vërtetës. Dua të zbuloj thellësinë e detit!"

Selmani kishte gjetur gjënë e tij të humbur dhe donte të ishte gjithmonë me të Dërguarin e Zotit dhe në shërbim të tij. Ai donte të mësonte fenë e re prej tij dhe të dëgjonte nga i Dërguari i Zotit përgjigje për pyetjet që i rrinin në mendje prej vitesh, për të cilat asnjë shkollë apo fe nuk i kishte dhënë ndonjë përgjigje të përshtatshme. Por mjerisht, skllavëria e pengonte që të realizonte këtë dëshirë. Ai u mërzit dhe u pikëllua shumë që nuk mundi të ndiqte gjurmët e Profetit dhe të merrte pjesë në betejat e Bedrit dhe të Uhudit.

Zoti nuk e pranon shtypjen. Pranimi i shtypjes nuk është i denjë për dinjitetin njerëzor. Zoti nuk do që ta shohë kurrë njeriun nën sundimin e shtypjes; kjo është arsyeja pse Ai i përgatiti shtigjet e lirisë së tij. Një person që e konsideron Zotin si pronar të tijin, nuk pranon të jetë rob i asnjë qenieje njerëzore. Po aq sa e konsideron të lejuar përuljen para Zotit, aq edhe i shmanget përkuljes para robërve të cilët kanë nevojë për Zotin e tyre. Njeriu është mëkëmbësi i Zotit në tokë dhe Zoti nuk e pranon poshtërimin e tij! Përulësia përpara Zotit është vetë dinjiteti, ndërsa përulja para krijesave të Tij është kulmi i poshtërimit. Çlirojeni veten nga prangat e të tjerëve përveç Zotit, dhe gjejeni të vërtetën tuaj pranë Tij! Mos u bëni padrejtësi të tjerëve dhe mos e pranoni padrejtësinë! Kudo që të fitoni pushtet, qoftë ky pushtet në shtëpitë tuaja, mbi gratë tuaja ose mbi skllavet apo skllevërit a shërbëtorët tuaj, qoftë edhe në ndonjë vend tjetër, kurrë mos e konsideroni veten pronar të një njeriu tjetër. Kudo e kurdo që të keni pushtet, tregohuni të sjellshëm! Ndaj grave tuaja, të cilat Zoti i ka bërë burim paqeje dhe qetësie për ju, mos tregoni asgjë tjetër përveç mirësisë dhe dhembshurisë, sepse Zoti nuk e pranon padrejtësinë nga askush. Islami është feja e lirisë dhe e çlirimit të njeriut. Por Selmani ishte rob dhe skllav. Ai nuk mund të shijonte siç ia kishte ënda ëmbëlsinë e pranisë së Profetit, ndërsa mbante në qafë zinxhirët e robërisë ndaj dikujt tjetër përveç Zotit.

Një ditë, ai shkoi te i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!). Me ta parë, Pejgamberi pa një trishtim të madh dhe shumë mall në fytyrën e tij dhe para se Selmani të hapte gojën, i tha: “Çliroje veten përmes një marrëveshjeje të shkruar (mukatebe)!” Marrëveshje e shkruar (mukatebe) në atë kohë ishte e tillë që skllavi t’i kërkonte pronarit të tij që ta lironte në këmbim të një pagese monetare apo të një malli, ose pronari i skllavit të bënte një marrëveshje me skllavin që ai t'ia paguante çmimin e vet përmes punës dhe të lirohej. Selmani, i lumturuar, shkoi te pronari e tij hebre dhe diskutoi me të për lirinë e vet. Hebreu lakmitar, në këmbim të lirisë së Selmanit nxori justifikime dhe kërkoi më shumë para. Më në fund, deklaroi kushtin e lirimit të tij, që ishte mbjellja dhe rritja e 300 palmave (pemë hurmaje arabe) dhe të paguarit e 40 okëve flori [280 mithkal ar, ku çdo okë është e barasvlefshme me 7 mithkal (çdo mithkal = 4.608 gramë flori)].

Profeti (s.a.v.s) përpiqej vazhdimisht ta lironte Selmanin me çdo çmim. Marrëdhënia e Profetit me Selmanin dhe qëndrimi ndaj tij tregojnë qartë refuzimin që bënte ai zotëri ndaj diskriminimit dhe privilegjeve klasore e racore. Ky lloj qëndrimi i Profetit (s.a.v.s) ndaj atyre myslimanëve arabë që ishin ende të varur nga paragjykimet e epërsisë etnike dhe privilegjeve klasore e racore, tregonte ecurinë praktike të tij. Nga këndvështrimi i disa myslimanëve arabë, Selmani ishte një skllav i liruar, pavarësisht se ai vinte nga qytetërimi i përparuar i Iranit dhe nga një familje që kishte shumë prona dhe nuk ishte nga raca arabe, të cilën ata e konsideronin si raca superiore. Prandaj, lirimi i Selmanit ishte një mundësi e përshtatshme për të mohuar vlerat racore dhe klasore.

Ndoshta hebreu nuk ka dashur ta humbasë Selmanin e ditur duke vendosur një shumë të tepruar për lirinë e tij dhe ndoshta pasi ka kuptuar dëshirën e shokëve të Profetit për lirinë e tij është treguar lakmitar dhe ka vënë një kusht të tillë për lirimin e tij. Pa dyshim, njohja e brendshme e Profetit për Selmanin, vëmendja ndaj tij dhe biseda me të, fliste për personalitetin e vyer dhe të ditur të Selmanit, i cili i bëri sahabët të kthenin sytë drejt tij. Prandaj, lirimi i një personaliteti të tillë nga skllavëria nuk është i krahasueshëm me standardet materiale. Por sido që të jetë, përmbushja e kushteve të burrit hebre për Selmanin ishte shumë e rëndë dhe e kushtueshme dhe kërkonte disa vite për t’u shlyer. Por dashuria për të qenë në praninë e të Dërguarit të Zotit dhe për t'i shërbyer atij, çdo të pamundur ia bënte të mundur Selmanit. Ai kishte vuajtur shumë vështirësi para dhe gjatë migrimit të tij të gjatë dhe kishte parë ndihmën dhe mëshirën e Zotit. Nga ana tjetër, shpresa për lirinë e tij me porosinë e Profetit (s.a.v.s) për t'u çliruar me marrëveshje ishte e sigurt dhe ai e dinte se në këto fjalë kishte urtësi.

Selmani i tregoi Profetit (s.a.v.s) për dakordësinë e tij me hebreun. I Dërguari i Zotit i urdhëroi shokët e tij që të ndihmonin vëllain e tyre, Selmanin. Me këtë orientim të Profetit, shokët e tij i dhanë Selmanit treqind fidanë hurma. Pastaj Profeti (s.a.v.s.) i tha atij: “Kur të kesh mbledhur treqind fidanë, më njofto që t'i mbjell!” Kur Selmani mblodhi treqind fidanë dhe hapi gropat, e lajmëroi Profetin. Profeti (s.a.v.s.) erdhi dhe i mbolli me duart e tij të treqind fidanët dhe të gjithë mbinë dhe lulëzuan. Selmani u kujdes për ta për një vit dhe ia dorëzoi çifutit. Mirëpo ai duhej të jepte edhe dyzet okë flori. Kur Selmani po mendonte se nga t’i fitonte ato, Profeti (s.a.v.s.) e thirri pranë vetes. Kur Selmani shkoi te Profeti (s.a.v.s.), i dha arin që i kishin sjellë dhe i tha: “Merre arin dhe përdore për të paguar kontratën!”. Selmani e mori copën e arit, të cilës nuk ia dinte peshën dhe tha: “Si mund të jap dyzet okë flori nga kjo copë?” Hazreti (s.a.v.s.) i tha: “Shko dhe jepja se e rregullon Zoti atë punë!” Selmani shkoi dhe i dha arin, i cili ishte saktësisht dyzet okë. Kështu, ai u çlirua nga robëria dhe nxitoi të shkonte në shërbim të të Dërguarit të Zotit (s.a.v.s.).

“Sot në emër të Islamit ti je i lirë dhe shoh një ditë kur emri i Islamit në botë do të mbrohet nga ti dhe nga burra të etnisë tënde. Shoh ditën kur do të shkrihesh plotësisht në Islam dhe e gjithë ekzistenca jote do të jetë Islam. Prandaj që sot po të quaj Selman. Sepse shpirti yt është i shëndetshëm dhe këtë pastërti e përhap në botën që të rrethon. Babai yt qoftë i kënaqur me ty, sepse je një person i ditur dhe i mençur dhe bota do të jetë më e mirë me ty. Nga sot, në mesin tonë ti do të quhesh Selman. Selman!” Dhe kështu, emri i Ruzbehut u ndryshua në Selman nga njeriu më i mirë i njerëzimit, domethënë Profeti i Zotit, Hazreti Muhamed (s.a.v.s.).

Selmani e vuri veten dhe dijen e tij në dispozicion të qëllimeve të Islamit për shumë vite dhe shkeli në detin e së vërtetës duke hipur në anijen e shpëtimit të të Dërguarit (s.a.v.s)! Ai ishte aq i dashur dhe i respektuar në mesin e myslimanëve, saqë muhaxhirët e konsideronin atë të tyrin. Ensarët, gjithashtu, pretenduan se ai nuk erdhi nga Meka me muhaxhirët, kështu që ishte prej tyre.

Një nga virtytet e shumta të Selman Farisiut është besimi i tij. Në brendësi, ai ishte gjithmonë besimtar dhe monotesit. Imam Sadiku (a.s.), imami i gjashtë i shiitëve, prej të cilit janë transmetuar më shumë tradita në mesin e imamëve shiitë, arsye për të cilën edhe medhhebi i tyre është quajtur Xhaferi, në deklaratën rreth besimit të Selman Farisiut thotë: “Ai kurrë nuk e ndoti brendinë e tij me politeizëm dhe gjëra të tjera përveç Zotit. Përkundrazi, ka qenë gjithmonë në monoteizmin e Ibrahim Halilit. Selmani, si shumë besimtarë dhe monoteistë të tjerë në botë, në brendinë e tij ishte besimtar dhe monoteist, e kështu më vonë arriti pozita të larta imani."

Në një transmetim tjetër, Imam Sadiku (a.s.) thotë për besimin (iman): “Imani është si një shkallë me dhjetë nivele, të cilat duhet të ngjiten hap pas hapi. Dhe dijeni se Selman Farisiu ishte në shkallën e dhjetë të besimit.”

Prandaj, për të arritur kulmin e besimit, duhet të durohen shumë mundime dhe vuajtje. Ashtu si Selmani, i cili vuajti dhe pa shumë hidhërime derisa ia doli të arrinte majat e besimit. Besimi i Selmanit ishte i tillë që Profeti i Zotit (s.a.v.s.) ka thënë disa herë në raste të ndryshme: “Selmani është prej nesh, Ehli Bejtit." ose "Selmani është i imi!" (Bihar Al-Enwar/vëll. 22) Domethënë, Selmani është nga familja jonë, Ehli Bejti, si njëri nga anëtarët e familjes.

Selmani i përkiste të vërtetës dhe nuk mund të pranohen kufij për etninë dhe racën e tij. Krah për krah Profetit, ai mori pjesë në shumë luftëra për të mbrojtur Islamin dhe lirinë njerëzore. Thonë se ai pati një jetë të gjatë dhe gjatë gjithë jetës së tij nuk kurseu asnjë përpjekje për të mbrojtur Islamin dhe Ehli Bejtin!

Në mesin e shokëve të Profetit, askush nuk e ka arritur nivelin e Selmanit për sa i përket diturisë. Ai mësoi shumë nga Profeti dhe qartësia e diturisë profetike lëshoi rrënjë në çdo hap të jetës së tij për të qenë përgjithmonë nën hijen e mendimit të tij! Profeti i Shenjtë (s.a.v.s.) në lidhje me këtë ka thënë: “Kushdo që dëshiron të shikojë një njeri, zemrën e të cilit Zoti e ndriçoi me besim, le të shohë Selmanin!”.

Pasi u lirua nga skllavëria, Selmani ka qëndruar vazhdimisht pranë të Dërguarit të Zotit deri në atë pikë sa ka pasur takime private me të. Në këto qëndrime, ai mësoi dhe ndoqi mendimet dhe sjelljen e Profetit, u rrit sipas metodës së tij dhe i përshtati dëshirat e tij me ato të Profetit (s.a.v.s.).

Kemi arritur në fund të episodit të tretë të podcast-it "Muhaxhiri i Xhenetit". Në episodin e ardhshëm, do të flasim për rolin e Selmanit në promovimin e Islamit dhe shërbimet e tij ndaj Profetit (s.a.v.s.).

Ju mund ta dëgjoni këtë podcast në kanalin tonë të radios ose në profilet tona në rrjetet sociale. Pas disa ditësh, teksti i podkastit do të publikohet në faqen zyrtare të radios www.parstoday.ir/sq dhe https://iranradio.ir/sq/. 

Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podcast-it, ta ndani atë me miqtë tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.

Faleminderit që dëgjuat podkastin tonë. Bashkë mirë u takofshim! Zoti ju ruajttë dhe ju ndihmoftë!

Tags