Rrugëtimi i Selman Farisiut drejt Islamit
Gjatë rrugës së të vërtetës, Selmani ishte i përkushtuar në zgjedhjen e udhërrëfyesit dhe mësimin prej tij. Besimi i tij në këtë metodë ishte sekreti i suksesit dhe i arritjes së qëllimeve të tij. Me ndihmën e këtyre udhërrëfyesve të së vërtetës, ai i ngjiti shkallët derisa arriti të vërtetën.
Podkasti “Muhaxhiri i Xhenetit” (Biografia e Selman Farsiut), episodi i dytë
“Muhaxhiri i Xhenetit” është një tregim për jetën e Selman Farisiut, për të cilin Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Selmani është njëri prej nesh, Ehli-Bejtit.”
Jemi së bashku me episodin e dytë të podkastit "Muhaxhiri i Xhenetit".
"Muhaxhiri i Xhenetit" është një tregim për jetën e Selman Farisiut, për të cilin Profeti (s.a.v.s.) ka thënë: “Selmani është njëri prej nesh, Ehli-Bejtit.” Një sahabiu joarab nga toka e Iranit, kërkues i së vërtetës, i cili në kërkim të së vërtetës ka vuajtur për vite me radhë për të gjetur gjënë e tij të humbur dhe që, në fund, ia arriti qëllimit.
Në episodin e mëparshëm, folëm për vendlindjen e Selmanit dhe fenë e atij rajoni, si dhe për gjendjen e tij në rini dhe rrugën e tij plot gjarpërime drejt Islamit. Qëndroni me ne për të dëgjuar rezultatin e këtij kërkimi që, më në fund, finalizohet me bashkimin e Selman Farisiut, ose ndryshe Ruzbehut, me Islamin.
Sipas informacioneve që mori për nisjen e karvanit për në Sham, Ruzbehu e arriti atë në kohë dhe u nis së bashku me ta për në Sham (Siri). Në atë kohë, Shami ishte një nga qendrat e rëndësishme të Krishterimit dhe pjesë e territorit bizantin. Në atë tokë të shenjtë ndodhej kibla e parë e myslimanëve dhe vendprehjet e disa profetëve. Ekzistenca e shumë kishave dhe objekteve të kultit e kishte kthyer atë vend në një lloj qendre fetare dhe shpirtërore për të krishterët. Damasku dhe Palestina ishin ndër qytetet e mëdha dhe të rëndësishme të Shamit, në të cilët ndodheshin qendrat kryesore të manastireve dhe kishave. Prandaj, Ruzbehu, me propozim të priftit të krishterë, shkoi në Sham në fazën e parë të migrimit të tij.
Me të mbërritur në Sham, Ruzbehu shkoi në një kishë ku foli me të krishterët dhe i pyeti për peshkopin dhe klerikun e tyre të lartë. Ata e njohën me peshkopin e qytetit. Ruzbehu shkoi te peshkopi dhe foli për atë që i kishte ndodhur, për prejardhjen e tij dhe se pasi ishte menduar dhe kishte kërkuar, ai ishte prirur drejt Krishterimit se dhe synonte ta mësonte këtë fe. Ai tha se donte të mësonte nga peshkopi dhe të qëndronte në kishë, të kryente adhurime me të dhe t'i shërbente atij. Peshkopi, gjithashtu, pranoi që ai të qëndronte në kishë dhe të mësonte fenë e krishterë.
Pasi jetoi me peshkopin për ca kohë, Ruzbehu e kuptoi se ai ishte një person hipokrit, i padenjë dhe i keq, pasi që i inkurajonte njerëzit t'u jepnin lëmoshë të varfërve, ndërsa vetë, jo vetëm që nuk jepte, por i mbante për vete shumat që njerëzit jepnin për ta. Pas vdekjes së peshkopit, njerëzit, të cilët e njihnin për njeri të drejtë, deshën ta varrosnin trupin e tij me respekt e madhështi. Ruzbehu, i cili ishte shumë i mërzitur me këtë situatë, ua tregoi atyre të vërtetën, por askush nuk u besoi fjalëve të tij. Njerëzit i kërkuan atij prova dhe Ruzbehu u paraqiti atyre si dëshmi shtatë poçe plot me florinj e argjend blatimesh (zotimesh), të cilat kleriku hipokrit i kishte fshehur. Pas kësaj, njerëzit e varën trupin e peshkopit në litar dhe e goditën me gurë.
Me vdekjen e peshkopit hipokrit, vendin e tij e zuri një burrë i devotshëm, fetar dhe shpirtmirë, i cili vepronte sipas parimeve të Krishterimit. Ruzbehu ishte plotësisht i kënaqur me të. Ai bënte shumë vepra të mira dhe merrej me adhurim e lutje natë e ditë. Ruzbehut i pëlqeu peshkopi i ri dhe mësoi shumë gjëra prej tij. I qëndroi në shërbim derisa pa në fytyrën e tij shenjat e vdekjes. Në atë gjendje, Ruzbehu e pyeti për porositë e fundit, duke i thënë: “Tek cili person do të më dorëzosh tani dhe çfarë më urdhëron?” Peshkopi tha: “Unë nuk njoh askënd përveç një njeriu shpirtëror që ndodhet në Mosul. Shko pranë tij dhe do ta gjesh si unë”.
Shpirti kërkues e bëri Selman Farisiun të niste udhëtime të gjata në kërkim të një feje më të mirë. Këtë herë ai shkoi në Mosul me udhëzimin dhe urdhrin e peshkopit nga Shami. Mosuli ishte porta e Lindjes dhe kishte një kishë të suksesshme. Atje ndodhej vendprehja e Xhorxhisit, njërit prej murgjve dhe klerikëve të mëdhenj të fesë së krishterë në Mosul. Kjo kishte bërë që kisha e atij vendi të lulëzonte.
Kur arriti në Mosul, ai shkoi te një klerik i devotshëm, të cilin ia kishte prezantuar peshkopi i Shamit dhe i tregoi për aventurën që kishte kaluar. Ai i kërkoi murgut që ta lejonte t’i shërbente për një kohë dhe të përfitonte prej dijes së tij. Kleriku e pranoi dhe Selmani u bë shërbëtor i kishës. Selman Farisiu e gjeti atë një person të madh, të bekuar dhe të devotshëm, i cili kishte arritur nivelin e përsosurisë në njohjen e Ungjillit. Prandaj, deri në vdekjen e klerikut, ai ishte në shërbim të tij. Para vdekjes së tij, murgu e urdhëroi Ruzbehun që më pas të shkonte tek një murg që jetonte në Nusejbin.
Nusejbin ishte një qytet në Mesopotami, i vendosur në udhën mes Mosulit dhe Shamit. Nga aty deri në Mosul duheshin plot gjashtë ditë udhëtim. Ky qytet ishte më i vogël se Mosuli, por shumë më i këndshëm dhe ishte plot me kopshte me pemë frutore. Nusejbini kishte një treg të madh dhe ndërtesa luksoze me njerëz të pasur dhe miqësorë.
Pas vdekjes së udhëheqësit shpirtëror të Mosulit, sipas porosisë së tij Ruzbehu shkoi në Nusejbin dhe e gjeti udhëheqësin shpirtëror atje si një njeri të madh, asket e të devotshëm dhe shumë të aftë në njohuritë fetare. Ai, ashtu si klerikët e mëparshëm, jetonte një jetë të pastër dhe ishte i zellshëm në shërbim të të varfërve. Para vdekjes së tij, ai e këshilloi Ruzbehun që të shkonte në shërbim të një peshkopi tjetër në qytetin Ammurije.
Me porosi të udhëheqësit fetar të Nusejbinit, Ruzbehu shkoi në Ammurije, në territorin bizantin. Në lidhje me udhëtimin për në Ammurije dhe motivimin për të shkuar atje, Ruzbehu ka thënë: “Para vdekjes së tij, murgu i Nusejbinit më porositi të shkoja pranë dikujt në Ammurije. Lëviza dhe shkova në Ammurije tek ai. I tregova për të kaluarën time dhe për atë që më kishte ndodhur. Unë pashë se udhëheqësi shpirtëror i Ammurijes ishte një njeri shumë i zellshëm dhe i devotshëm. Ai ishte njeri i ditur, sidomos në dijen rreth Ungjillit, në të cilën nuk kishte të barabartë. Për të krishterët, ai ishte shumë i sinqertë dhe fjala i kishte peshë. Qëndrova pak me të dhe përfitova nga njohuritë e tij”.
Kur erdhi koha e vdekjes së udhëheqësit fetar të Ammurijes, Ruzbehu i tha atij: “Kam qenë në qytete të ndryshme. Prijësi i Shamit më dërgoi te prijësi i Mosulit, prijësi i Mosulit tek prijësi i Nusajbinit dhe ai gjithashtu më udhëzoi dhe më urdhëroi për tek ju. Tani, pas jush, pranë cilit person më rekomandoni të studioj?” Prijësi shpirtëror i Ammurijes tha: “Biri im, sot nuk njoh ndonjë besimtar të devotshëm të kësaj feje që të ta prezantoj. Por mendoj se ka ardhur koha që të shpallet një profet i ri abrahamik. Ai do të shfaqet në tokën arabe, në një tokë mes gurëve të zinj ku rriten palmat. Ai profet ka disa shenja: do ta pranojë dhuratën por nuk do ta pranojë lëmoshën, si dhe do të ketë një vulë profetësie midis dy shpatullave të tij. Nëse mundesh, shko tek ai!”
Gjatë udhëtimeve të tij, Selmani njohu dijetarë dhe studiues të mëdhenj të krishterë duke përvetësuar mendimet dhe besimet e tyre, Ungjillin dhe interpretimin e tij, etikën, mësimet dhe teologjinë e Krishterimit. Si një i krishterë i devotshëm e besnik dhe dikush që kishte studiuar Ungjillin dhe shkencat e tij, ai padyshim e njihte konceptin "Paraclete" dhe lajmin e mirë (sihariqin) që kishte dhënë Libri Qiellor për shfaqjen e Profetit pas Krishtit dhe ishte lajmëtar i shfaqjes së tij.
Gjatë rrugës së të vërtetës, Selmani ishte i përkushtuar në zgjedhjen e udhërrëfyesit dhe mësimin prej tij. Besimi i tij në këtë metodë ishte sekreti i suksesit dhe i arritjes së qëllimeve të tij. Me ndihmën e këtyre udhërrëfyesve të së vërtetës, ai i ngjiti shkallët derisa arriti të vërtetën.
Me sugjerimin e peshkopit të Ammurijes, i pajisur me përvojë dhe me motivin e kërkimit të së vërtetës dhe lumturisë, Selmani u nis për në Hixhaz. Në mendjen dhe ndërgjegjen e tij po vlonte mendimi për të emigruar në atë tokë dhe për të shkuar në prani të Profetit të fundit. Ditë e natë përpiqej t’i bashkohej ndonjë karvani që shkonte për në Hixhaz.
Më në fund, një karvan tregtarësh mbërriti në Ammurije nga Hixhazi. Kur karvani ishte gati të kthehej, ai u kërkoi prijësve të tij, të cilët ishin nga fisi Beni Kelb, që ta shoqëronin për në Hixhaz, në këmbim të pasurisë së tij që përbëhej nga disa krerë lopë dhe dele. Ata pranuan dhe e morën me vete për në Hixhaz.
Selmanin e priste një fat i panjohur. Ai, me ndershmëri, ua kishte dhënë të gjithë pasurinë prijësve të karvanit për ta çuar në Hixhaz, por ata e tradhtuan Selmanin. Burrat e karvanit e shitën atë si skllav. I gjendur i rrethuar dhe i pambrojtur në një tokë përvëluese dhe me njerëz të dhunshëm, atij iu desh t'i dorëzohej kërkesës së tyre.
Sipas transmetimit të Ibn Is'hakut, përfituesit, kur arritën në një zonë të quajtur Uadil-Kura, i bënë padrejtësi dhe e mashtruan atë duke e shitur tek një tregtar hebre. Selmani kaloi ca kohë si skllav në Uadil-Kura derisa, një ditë, një çifut nga Beni Kurejdha erdhi atje, e bleu atë dhe e mori me vete në Jethrib (Medine).
Kur Selmani mbërriti në Jethrib dhe sytë i ranë tek palmat dhe gurët e zinj të dy kodrave, qau në mënyrë të pakontrolluar nga gëzimi. Ai ishte i sigurt se kishte ecur në rrugën e duhur. Atij iu kujtuan fjalët e prijësit shpirtëror dhe peshkopit të Ammurijes, i cili në bisedën e tyre të fundit i kishte thënë: “Biri im, sot nuk njoh ndonjë besimtar të devotshëm të kësaj feje që të ta prezantoj. Por mendoj se ka ardhur koha që të shpallet një profet i ri abrahamik. Ai do të shfaqet në tokën arabe, në një tokë mes gurëve të zinj ku rriten palmat.” Shenjat natyrore dhe gjeografike që peshkopi i kishte përshkruar Selmanit ishin pikërisht ato që ai po shihte me sytë e tij.
Selmani i kalonte me vështirësi ditët e tij në kushtet e vështira të jetës prej skllavi. Kjo lloj jete, pozita shoqërore dhe komunikimi i kufizuar nuk e lejonin atë të merrte më shumë lajme për Profetin. Por në zemrën e Selmanit drita e shpresës për çlirim nuk u shua kurrë. Me njohuritë, përvojën e jetës dhe sjelljen e tij fetare, ai besonte në lajmin e shfaqjes së një profeti në Mekë dhe i duronte mundimet e vuajtjet nga malli i takimit me të. Në kulmin e jetës së ngjizur me vështirësitë e skllavërisë për një personalitet të ditur si ai, që ishte i ngujuar mes njerëzve primitivë, Selmani ishte gjithmonë në një gjendje emocioni dhe pritjeje derisa takoi mikun e tij.
Vetë Selmani tregon: “Atë ditë, unë isha duke punuar te Beni Kurejdhah, në majën e një palme. Pronari im ishte ulur nën pemë. Dikush erdhi tek ai dhe i tha: 'Sot erdhi një person nga Meka e u vendos në Kuba dhe banorët e Jethribit u mblodhën rreth tij. Ai pretendon se është profet i Zotit'. Kur e dëgjova këtë, nga lumturia për pak desh rashë nga palma. Zbrita me të shpejtë nga pema, shkova tek ai person dhe i thashë: 'Kush është njeriu i ardhur nga Meka dhe çfarë thotë?' Papritur, hebreu që më kishte blerë u zemërua dhe u ngrit në këmbë. Më goditi me shuplakë dhe më tha në mënyrë agresive: 'Shko merru me punën tënde, kjo nuk ka të bëjë me ty'. Dhe unë vazhdova punën time”.
Selmani vazhdon duke thënë: “Kur erdhi nata, mora me vete pak ushqim që kisha dhe shkova në Kuba. Shkova tek Profeti dhe i thashë se 'më njoftuan që ju jeni njeri i drejtë dhe se ju dhe shokët tuaj jeni të huaj këtu. Kam sjellë me vete pak ushqim si sadaka (lëmoshë) dhe juve së bashku me shokët tuaj ju konsideroj si më të denjë për ta konsumuar sesa banorët vendas. Pranojeni dhe hajeni atë.' I Dërguari i Zotit e mori ushqimin nga unë dhe ua dha shokëve të tij për ta ngrënë, por vetë nuk pranoi të hante. Këtu m'u kujtuan fjalët e prijësit shpirtëror të Ammurijes, i cili tha se Profeti e pranon lëmoshën, por nuk ha prej saj. Ai e pranon dhuratën dhe ha prej saj. Mbi shpatullat e tij ka një vulë profetësie. Një ditë tjetër, kur mbarova punën tek palmat, disa hurma që kishin mbetur për mua ia çova Profetit (s.a.v.s.) dhe i thashë se këto janë një dhuratë për ju dhe shokët tuaj, kështu që mund të hani prej saj. Profeti (s.a.v.s.) i mori dhe i hëngri me shokët e tij. Ditën e tretë kisha planifikuar të shkoja t’i shërbeja Profetit, por ai kishte shkuar tek varrezat Baki'. Shkova në Baki', e pashë atë të ulur dhe përballë tij ishin ulur edhe shokët e vet. I përshëndeta dhe qëndrova prapa tij në mënyrë që të mund të shihja mes dy shpatullave. Po vështroja shpinën e tij. I Dërguari i Zotit ishte i vetëdijshëm dhe e kuptoi qëllimin tim. Pastaj e hoqi mantelin që kishte veshur dhe unë pashë vulën e profetësisë në shpinën e tij. Mbeta pa mend. Iu hodha tek këmbët dhe fillova të qaja. Më pas u ngrita i përkulur, e putha në shpinë dhe i thashë: 'Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se ti je i Dërguari i Tij!' Më pas i tregova historinë e jetës sime. Profeti më nderoi dhe më përkëdheli. Pasi dëgjuan historinë time, shokët thanë me habi se kjo është një situatë dhe një ngjarje e çuditshme. Njerëzit e Medinës u mblodhën rreth meje dhe pyetën për mua dhe Profeti dëshironte që unë t'u flisja njerëzve për atë që më kishte ndodhur”.
Pas takimit me Profetin (s.a.v.s.) dhe konvertimit të tij në Islam, jeta e Selmanit mori një kthesë të re. Selmani bëhej çdo ditë më i freskët, më me krahë e më i lulëzuar dhe entuziazmi i bashkimit me Profetin ia kishte pushtuar qenien. Selmani e kishte gjetur atë që kishte humbur dhe donte të ishte gjithmonë me të Dërguarin e Zotit (s.a.v.s.) dhe në shërbim të tij. Ai donte të mësonte fenë e re dhe të dëgjonte nga i Dërguari i Zotit (s.a.v.s.) përgjigjet për pyetjet që i rrinin në mendje prej vitesh, për të cilat asnjë shkollë apo fe nuk i qe përgjigjur në mënyrë të përshtatshme. Por mjerisht, skllavëria e tij po e pengonte atë ta realizonte këtë dëshirë.
Kemi arritur në fund të episodit të dytë të podcast-it "Muhaxhiri i Xhenetit". Në episodin e ardhshëm do të flasim për lirimin e Selmanit nga zgjedha e Beni Kurejdhas, shoqërimin e tij me Profetin (s.a.v.s.), ngjarjet pas konvertimit të Selmanit në Islam dhe për mënyrën se si Selmani u bë një pjesëtar i Ehli-Bejtit (familjes) të Profetit (s.a.v.s.).
Ju mund ta dëgjoni këtë podcast në kanalin tonë të radios, në faqen tonë të internetit www.parstoday.ir/sq, si dhe në faqet tona nëpër mediat sociale. Pas disa ditësh, teksti i podcast-it do të jetë në faqen e radios në adresën www.parstoday.ir/sq si dhe në uebfaqen https://iranradio.ir/sq/. Mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne, gjithashtu, do t'ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkastit, ta ndani atë me miqtë tuaj dhe t’ua prezantoni atë të tjerëve.
Faleminderit që dëgjuat podkastin tonë! Në programin e ardhshëm do t'ju prezantojmë episodin e tretë të këtij podkasti. Zoti ju ndihmoftë dhe ju ruajttë!