May 19, 2024 19:46 CET

Kryqtarët kryen shumë krime në Kuds. Një prift i quajtur Raymond d'Aguilers, i cili vetë ishte dëshmitar i ngjarjeve, shkruan: "Gjëra të mrekullueshme mund të shihen nga të gjitha anët. Një grupi myslimanësh iu pre koka... një grup tjetër u vra me shigjeta ose u detyrua të hidhej nga kullat përposhtë. Disa u torturuan për disa ditë dhe më pas u dogjën në zjarr. Rrugëve kishte grumbuj kokash, duarsh e këmbësh të të vdekurve".

Palestina, çështja e parë e Umetit Islam (6)

Në këtë program do të kemi një përmbledhje të shkurtër të historisë së Palestinës nga Mesjeta deri në formimin e lëvizjes hebraike në shekullin e 19-të. Qëndroni me ne.

Pas një sërë sulmesh dhe bastisjesh që me sa duket kishin arsye fetare, kryqtarët vunë këmbën në Palestinë dhe në Lindje, dhe pas pushtimit të disa qyteteve palestineze, përfshirë qytetin Ramla, ata gjithashtu rrethuan Kudsin për një muaj. Pas një serie të gjatë konfliktesh, më në fund, më 15 korrik 1099 e.r. myslimanët u dorëzuan. Kryqtarët, të cilët ishin nga popuj dhe kombësi të ndryshme evropiane, kur pushtuan Kudsin, i harruan plotësisht arsyet fetare dhe duke pushtuar qytetin, i masakruan njerëzit e kësaj toke duke vrarë shtatëdhjetë mijë myslimanë. Dhe, çuditërisht, në librat dhe dokumentet që i përkasin periudhës së Mesjetës, kjo masakër është lavdëruar!

Gjatë kësaj periudhe, Bejtul Mukaddesi u bë një qytet i krishterë dhe jo të krishterët nuk kishin të drejtë të banonin në të. Xhamitë u shndërruan në kisha ose u përdorën si vende jo fetare. Kryqtarët e rrëzuan gjysmëhënën nga maja e Kupolës së Shkëmbit dhe në vend të saj vendosën kryqin. Kështu, ata e shkatërruan shenjtërinë e Xhamisë Al-Aksa, e plaçkitën atë dhe e penguan thirrjen e ezanit aty për gati një shekull.

Në dokumentet dhe librat që i përkasin Mesjetës janë lavdëruar vrasjet dhe masakrat ndaj banorëve të Kudsit gjatë pushtimit të kësaj toke!

Kryqtarët kryen shumë krime në Kuds. Një prift i quajtur Raymond d'Aguilers, i cili vetë ishte dëshmitar i ngjarjeve, shkruan: "Gjëra të mrekullueshme mund të shihen nga të gjitha anët. Një grupi myslimanësh iu pre koka... një grup tjetër u vra me shigjeta ose u detyrua të hidhej nga kullat përposhtë. Disa u torturuan për disa ditë dhe më pas u dogjën në zjarr. Rrugëve kishte grumbuj kokash, duarsh e këmbësh të të vdekurve".

Godefroy de Bouillon, komandanti i kryqtarëve, që më vonë u bë Mbreti i Palestinës, shkroi në raportin e tij drejtuar Papës: "Nëse doni të dini se çfarë ndodhi me armiqtë që ranë në duart tona në Bejtul Mukaddes, vetëm dijeni se njerëzit tanë në Tempullin e Solomonit vraponin në një det gjaku myslimanësh, ku gjaku arrinte deri te gjunjët e kuajve".

Për këtë ngjarje kanë shkruar hollësisht edhe autorë të tjerë dhe tregojnë se si gratë goditeshin për vdekje me hanxharë, foshnjat i merrnin nga këmbët, i ndanin me forcë nga gjoksi i nënave dhe i hidhnin nga muret, ose duke i përplasur ata pas shtyllave ua thyenin qafën. Judenjtë që mbijetuan i mblodhën në një sinagogë dhe i dogjën të gjallë. Ata masakruan edhe shtatëdhjetë mijë muslimanë që kishin mbetur në qytet.

Kryqëzatat zgjatën për rreth dy shekuj dhe të krishterët e sunduan Palestinën për 90 vjet. Ndërkohë, në një moment, Salahuddin Ejubi në vitin 583 hixhri / 1187 e.r. gjatë betejës disaditore Hattin, që u zhvillua në veri të Palestinës, duke mbledhur një forcë të madhe myslimanësh, fitoi mbi kryqtarët dhe pas çlirimit të qyteteve të tjera, ai rrethoi Kudsin për një kohë të gjatë.

Dhe, më në fund, pas disa muajsh ai e çliroi këtë qytet dhe e pastroi Kupolën e Shkëmbit dhe Xhaminë Al-Aksa nga njollat e papastërtive. Por pas vdekjes së Sulltan Salahuddinit në vitin 589 hixhri / 1193 e.r. dhe varrosjes së tij pranë Xhamisë Emevite, fëmijët e tij patën një mosmarrëveshje dhe kryqtarët e shfrytëzuan këtë situatë për të sulmuar Palestinën dhe duke pushtuar pjesë të saj, ata e ripushtuan qytetin e Kudsit. Pas kësaj, mbreti i Egjiptit al-Saleh Ejub arriti të çlirojë Kudsin dhe Gazën pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Megjithatë, dëbimi i plotë i kryqtarëve nga toka e Palestinës ndodhi rreth dy shekuj pas kryqëzatës së parë.

Momenti i dorëzimit të Guy de Lusignan (Mbreti i Jerusalemit-Kuds) para Salahuddinit pas përfundimit të betejës së Hattinit

Gjatë dëbimit të kryqtarëve nga toka palestineze, banorët dhe populli arab i Palestinës shoqëronin ushtrinë dhe forcat islame, kërkonin të merrnin pjesë në luftën kundër kryqtarëve dhe luajtën rolin e udhërrëfyesit për myslimanët për të gjetur rrugë të sigurta dhe vendin ku mblidheshin kryqtarët.

Uilliam i Tirit (William of Tyre), kryepeshkop dhe historian mesjetar, shkruante për këtë: "Ata i mësuan armiqtë tanë, me fjalë të tjera: myslimanët, se si të na shkatërronin, sepse ata kishin informacione të mjaftueshme për gjendjen tonë."

Të nderuar dëgjues, është me vend të dini se pas kryqëzatës së shtatë dhe vdekjes së sulltanit të fundit Ejubid, në Egjipt erdhën në pushtet Mamlukët, një dinasti islamike e përbërë nga komandantë turq. Ata fituan mbi kryqtarët dhe morën në dorë punët e qyteteve të ndryshme, përfshirë Kudsin, për rreth tre shekuj. Në këtë mënyrë filloi epoka e prosperitetit të ripërtërirë të Kudsit dhe Palestinës. Ata treguan një vëmendje të veçantë ndaj Kudsit dhe Palestinës dhe disa prej tyre reduktuan taksat dhe u dhuruan xhamive të Kudsit kopje Kur'anësh të shtrenjtë.

Gjithashtu, ata punuan shumë për të ndërtuar xhami të reja, shkolla, teqe, nënkalime dhe karvanseraje për të varfërit. Mamlukët luftuan edhe kundër ushtrisë mongole, e cila kishte nisur një sulm në tokat islame dhe ishte gati të pushtonte Kudsin dhe e mundën atë, si dhe i shkatërruan të mbijetuarit e kryqtarëve në qytetin Akka.

Njëkohësisht me këtë epokë, pra në shekullin e 13-të, u themelua dinastia osmane nga Osman Gazi në zonën e Turqisë së sotme me luftëra të gjata dhe çlirime të shumta. Pas vdekjes së Osmanit dhe disa pasardhësve të tij, qeverisja mbërriti tek Sulltan Muhammedi (Fatihu). Sulltan Muhammedi në vitin 1453 e.r. / 875 hixhri, çliroi qytetin e Kostandinopojës, i cili ishte qendra më e rëndësishme e pushtetit të kryqtarëve dhe kryeqyteti i Bizantit dhe i ndoqi kryqtarët deri në portat e Evropës. Pas kësaj fitoreje ai u emërua “Muhammed Fatih”.

Hyrja e Sulltan Muhammed Fatihut në Kostandinopojë

Çlirimi i Kostandinopojës ishte një pikë kthese në historinë e Evropës, dhe ashtu siç dituria dhe qytetërimi i myslimanëve hynë në Evropë me kryqëzatat, kjo ngjarje ishte edhe fundi i Mesjetës dhe burimi i ndryshimeve të mëdha të Rilindjes e pas saj, dhe Kostandinopoja për një periudhë 500-vjeçare u bë kryeqyteti i Perandorisë Osmane.

Osmanët çliruan shumë vende të Evropës Lindore si Bullgarinë, Jugosllavinë, Rumaninë dhe pjesë të Greqisë etj., dhe territori i tyre u zgjerua në botën arabe, ku vende si Iraku, vendet e Shamit (Levanti), Hixhazi, Egjipti, Sudani dhe shumica e vendeve arabe perëndimore (vendet e Maghrebit) ishin në varësi të Perandorisë Osmane. Ata, më në fund, në gusht të vitit 1516 e.r. çliruan edhe Palestinën.

Sulltanët osmanë sunduan mbi të gjithë tokën e Palestinës, përfshirë Kudsin e Shenjtë, për më shumë se katër shekuj. Depërtimi i pushtetit të kësaj qeverie dhe zgjerimi i dominimit të tyre mbi Azinë, Afrikën dhe disa pjesë të Evropës i kishte shqetësuar vendet evropiane si Anglia, Franca, Rusia cariste dhe Italia, dhe ata ishin të frikësuar tmerrësisht nga dominimi i pushtetit osman. Ata donin të pengonin me çdo mjet zgjerimin e pushtetit të asaj qeverie dhe ta shkatërronin atë.

Ndërkohë, qeveria që veproi më shumë për të fituar pushtetin dhe për të sulmuar qeverinë osmane ishte Anglia. Nga ana tjetër, sulltani dhe punonjësit e qeverisë osmane në kolonitë e tyre perandorake ishin bërë të rreptë dhe të pamëshirshëm ndaj nënshtetasve dhe popullit dhe ky ishte një faktor që mund t'i detyronte njerëzit e viseve të pushtuara të kryenin trazira.

Kësisoj, në fund të shekullit të 19-të, në Palestinë, veçanërisht në Kuds, u zhvilluan revolta të shumta dhe qeveria britanike, politika e së cilës deri atëherë bazohej në mbështetjen dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane në Azi, papritmas ndryshoi politikën e saj dhe u distancua nga qeveria osmane.

Qeveria britanike bëri shumë komplote për të ruajtur kontrollin mbi Kanalin e Suezit, për të vazhduar fuqinë dhe ndikimin e saj në Indi, si dhe për të shkatërruar qeverinë osmane, dhe duke bërë marrëveshje me arabët, i bëri ata të shpresonin për mbështetjen e saj. Qeveria britanike, duke provokuar zemërimin e arabëve, i bëri ata që të revoltoheshin kundër qeverisë osmane. Ndër të tjera, (Sherif) Husejnin, emirin (prijësin) e Mekës, i cili ishte përfaqësues i osmanëve në Hixhaz dhe një njeri ambicioz, e nxitën që të ndahej nga osmanët.

Në një situatë të tillë, disa hebrenj propozuan idenë e një kombi të vetëm hebre dhe ndërmorën hapa për të formuar një vend të pavarur, gjë që u inkurajua dhe u mbështet nga qeveria britanike. Dhe kështu, lëvizja e popullit hebre lindi në vitin 1880 në Evropën Qendrore.

Në programin e radhës do të gjurmojmë së bashku historinë e tokës së Palestinës. Deri atëherë, Zoti ju ruajttë dhe ju ndihmoftë!

Tags