Shkurt 03, 2016 11:37 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Lëvizjet takfiriste, skenar destruktiv”.

Në edicionin e kaluar në vazhdim të shqyrtimit të bindjeve të selefizmit, diskutuam rreth konceptit të “ndjekjes” në të menduarin selefist. Ekzistojnë dy lloj perceptime nga koncepti “ndjekje”. Perceptimi i parë rreth konceptit të “ndjekjes”, do të thotë pranimi dhe besnikëria e plotë ndaj secilës sjellje, apo veprimi dhe fjale të myslimanëve të gjeneratave selef dhe ndjekja e tyre në të gjitha fushat duke përfshirë bindjet fetare, qëndrimet politike, shoqërore dhe ekonomike. Selefistët ekstremistë, çfarëdo lloj ndryshimi në metodën e jetesës së myslimanëve të gjeneratave selef, e konsiderojnë risi dhe të ndaluar në bazë të sheriatit. Një perceptim i tillë rreth konceptit të ndjekjes së gjeneratave selef, përballet me shumë probleme serioze, për arsye se edhe vet veprimet e myslimanëve selef janë në kundërshtim të plotë me këtë perceptim. Kjo do të thotë se vet myslimanët e gjeneratave selef nuk kanë ndjekur në këtë mënyrë myslimanët para tyre. Përballë imitimit verbal dhe pa logjikë, ekziston metoda e dytë e “ndjekjes”. “Ndjekja” është një prej parimeve dhe bazave islame dhe në jurisprudencën islame ekzistojnë dispozita të veçanta në lidhje me këtë çështje. Nëse nga koncepti “ndjekja e myslimanëve të gjeneratave selef” është për qëllim një kuptim dhe domethënie e tillë, atëherë nuk mund të quhet ajo një shkollë dhe doktrinë fetare e veçantë, për arsye se ndjekja e myslimanëve të gjeneratave selef në këtë kuptim, në realitet do të thotë kthim në ndjekjen dhe pasimin e fesë dhe të bazave të saj dhe roli i myslimanëve të gjeneratave selef në këtë fushë është vetëm komentimi dhe shpjegimi i atyre parimeve. Hapi i parë në shqyrtimin e çdo shkolle të mendimit, ekziston një metodë e caktuar e cila përdorët nga ajo shkollë e mendimit për të arritur në të vërtetën ose njohjen. Kjo do të thotë se sheriati islam duhet ta njohë si të vlefshme atë metodë për arritjen e të vërtetave fetare. Zakonisht në metodologji, janë paraparë katër metoda të njohjes: metoda e parë për zbulimin e të vërtetës është mendja. Mendja është faktor që e dallon njeriun nga krijesat e tjera. Njeriu nëpërmjet mendjes, arrijnë të zbulojë dhe kuptojë shumicën e të vërtetave. Në burimet fetare, përdorimi i metodës racionale është një prej rrugëve të vlefshme të njohjes. Kur’ani i shenjtë në shumë raste ka porositur myslimanët që të mendojnë dhe logjikojnë dhe fjalët derivative të nocionit mendje janë përsëritur 43 herë në Kur’anin e shenjtë. Kur’ani gjithashtu, nganjëherë përdor metodën racionale për zbulimin e të vërtetës si në rastin e vërtetimit të Njëshmërisë në procesin e krijimit të gjithësisë nga vetëm një Krijues dhe një Zot. Në lidhje me këtë në ajetin 22 të sures Anbija thuhet: “Nëse mes tokës dhe qiejve do të ekzistonin më shumë zota, atëherë do të shkatërrohej toka dhe qiejt”. Disa ajete kur’anore kanë vë në dukje ndikimin e dobishëm të të menduarit si ajetet 17 dhe 18 të sures Zumar ku thuhet: “O i Dërguar! Lajmëroji robërit e Zotit të cilët dëgjojnë fjalët e tua dhe ndjekin fjalët më të mira. Ata janë të udhëzuar nga Zoti dhe poseduesit e mendjes”. Disa ajete të tjera kur’anore gjithashtu paralajmërojnë njerëzit për pasojat e mosndjekjes së mendjes si ajeti 10 i sures Mulk i cili thotë: “Nëse do të kishim vesh për të dëgjuar dhe ose të mendonim me mendje, nuk do të ishim mes banorëve të ferrit”.
Nga pikëpamja e Islamit, njohja zyrtare e mendjes për zbulimin e të vërtetave, nuk është e kontestueshme, mirëpo ajo që u bë shkak për mosmarrëveshje mes pikëpamjeve në këtë fushë, është niveli i shfrytëzimit të mendjes dhe kufijtë e kredibilitetit të metodës racionale. Në këtë fazë, zakonisht shkollat dhe rrymat e të menduarit janë futur në ekstremitet. Nga njëra anë disa rryma ekstremiste të shkollës Mu’tezile, mendjen e konsiderojnë të vetmen metodë për zbulimin e të vërtetave. Ky grup e refuzon çdo metodë tjetër, përveç mendjes. Kjo është në kohën kur feja ka pjesë të ndryshme dhe një prej tyre përbëhet nga çështjet adhurimit dhe të qenurit rob i Zotit që domethënia e tyre nuk mund të zbulohet me anë të mendjes. Çështje të tilla janë agjërimi 30 ditor i muajit të ramazanit, dhe falja e namazit të drekës me katër rekate. Në anën e kundërt qëndron një grup tjetër i cili e konsideron mendjen plotësisht të paaftë në zbulimin e të vërtetave dhe beson se mendja nuk mund të zgjidh asnjë prej problemeve të njohjes në jetën fetare të njeriut dhe tërësisht është e pavlefshme. Një pikëpamje e tillë gjithashtu, duke marrë parasysh metodën dhe njohuritë kur’anore, nuk ka kredipilitet. Nga pikëpamja e Islamit, ajo që ka vlerë në këtë drejtim është racionalizmi i bazuar në ekuilibër, me fjalë të tjera, fusha të ndryshme të fesë duhet të dallohen nga njëra-tjetra. Disa fusha si ajo që përfshinë bindjet fetare, plotësojnë kushtet për të menduar dhe ato mund të vërtetohen nëpërmjet mendjes. Çështje të kësaj natyre, përbëjnë infrastrukturën e diskutimeve fetare. Mirëpo disa fusha të tjera të fesë përfshinë çështje të cilat nuk mund të perceptohen me mendje dhe e vërteta rreth tyre mund të zbulohet për ndjekësit e fesë vetëm nëpërmjet metodës së transmetimit. E tillë është domethënia e shumë prej dispozitave fetare ose të ngjarjeve të cilat do të ndodhin në ditën e Kiametit. Pas mendjes, metoda e dytë në bazë të së cilës mund të zbulohen të vërtetat e fesë është “transmetimi”. Disa çështje fetare nuk mund të vërtetohen nëpërmjet metodës së mendjes dhe duhet vërtetuar vetëm me anë të metodës së transmetimit. Për shembull, bartja e sunetit profetik për gjeneratat e ardhshme mund të bëhet vetëm me metodën e transmetimit. Transmetimet dhe jeta dhe vepra e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe të prijësve të mëdhenj fetarë, mund të vërtetohen vetëm nëpërmjet metodës së transmetimit. Në kredibilitetit fetar të metodës së transmetimit nuk ekziston mosmarrëveshje mes shkollave të ndryshme të mendimit islam dhe të shkollat islame e pranojnë atë, mirëpo mosmarrëveshjet në lidhje me këtë çështje qëndrojnë rreth kufijve të kredibilitetit fetar të transmetimit dhe kushtet e këtij kredibiliteti. Transmetimi bëhej në kuadër të lajmit dhe hadithit që bartej mes njerëzve. Hadithi gjithashtu transmetohej në forma të ndryshme.
Pas mendjes dhe transmetimit, metoda e tretë e zbulimit të të vërtetave të fesë është zbulimi dhe intuita dhe perceptimi spiritual. Kjo metodë edhe pse mund të konsiderohet një metodë e vlefshme, mirëpo nuk mund të shfrytëzohet nga të gjithë dhe ka nevojë për një brendësi dhe ndërgjegjeje të pastër. Disa përkrahës të intuitës, e kanë konsideruar mendjen plotësisht të paaftë, ndërsa disa të tjerë, vetëm mendjen e kanë konsideruar të pamjaftueshme në këtë drejtim. Zakonisht kjo metodë është një metodë personale dhe nuk konsiderohet argument për të tjerët. Nëse kjo metodë ndiqet në bazë të rrugës së drejtë, atëherë mund të konsiderohet argument për individin. Prandaj, kjo metodë praktikohet kryesisht nga të dashurit e Zotit nëpërmjet zbulimeve shpirtërore. Metoda e katërt për zbulimin e të vërtetave është metoda eksperimentale. Kryesisht metoda eksperimentale përdoret në çështjet konkrete dhe të dukshme. Mendimtarët perëndimorë kanë bërë përpjekje të ndryshme për të eksperimentuar disa çështje të shkencave shoqërore, mirëpo kjo metodë praktikohet vetëm në shkencat ekzakte si fizikë, kimi etj., kurse nuk ka ndonjë pozitë të veçantë në njohjen e njohurive fetare. Në çështjen e metodologjisë, myslimanët për njohjen e njohurive fetare, me përjashtim të metodës së zbulimit dhe intuitës që ka përdorim të kufizuar, kryesisht ndjekin metodën racionale dhe metodën e transmetimit dhe secila prej këtyre dy metodave janë plotësuese të njëra-tjetrës, por edhe korrigjuese të njëra-tjetrës. Pavarësisht se mes dijetarëve myslimanë ekzistojnë mosmarrëveshje në lidhje me përparësinë e njërës ndaj tjetrës ose rreth kufijve të tyre, mirëpo gjithnjë është përdorur elementi i mendjes dhe transmetimit si metoda për zbulimin e të vërtetës dhe njohjes. Por, në të menduarin e selefistëve duke anashkaluar tërësisht mendjen, ata kanë një vështrim ekstremist ndaj transmetimit. Në vështrimin e selefistëve, në zbulimin e çështjeve dhe njohurive fetare, vetëm transmetimi është metodë që ka kredibilitet. Dallimi që ka ky grup me myslimanët e tjerë, qëndron në vështrimin e përgjithshëm dhe përdorimin absolut dhe pa kontestim të kësaj metode. Kjo do të thotë se për selefistët nuk ka rëndësi parësore shqyrtimi i kushteve të nevojshme të transmetimit si gjendje e transmetuesit, kushtet e transmetuesit, dokumentimi dhe maturia për atë. Çështja tjetër në lidhje me njohjen e bazave të bindjeve fetare të selefistëve është epistemologjia. Epistemologjia është një shkencë e cila trajton çështje rreth njohjeve të njeriut dhe përcaktimit të kriterit të vërtetësisë dhe pavërtetësisë së tyre. Prandaj, qëllimi i epistemologjisë është njohja e lidhjeve dhe natyrës së njohjes dhe metodën e arritjes së saj dhe si rezultat patologjinë dhe mangësitë e saj të mundshme. Pikë fillestare në epistemologji janë pyetjet si nga cili burim fitohet njohja ose dituria në pikëpamjen e selefistëve? Çfarë janë patologjitë dhe dëmet e kësaj njohje? Dhe kjo njohje deri në çfarë mase ka arritur t’i udhëzojë selefistët drejt realitetit të njohurive fetare? Më pas, kjo njohje deri në çfarë mase ka kredibilitet nga pikëpamja islame dhe deri ku janë kufijtë e saj? Nuk ka dyshim se mes metodologjisë dhe epistemologjisë, ekziston një lidhje e dyanshme. Secila metodë rezulton me një njohje të veçantë, për shembull nëse me sy të kokës do të vështrohet bota (metoda eksperimentale), do të fitohet një njohje eksperimentale rreth botës. Nëse do të shikohet bota me sytë e zemrës (metoda sipirituale), atëherë do të fitohet një njohje intuitive. Prandaj metoda eksperimentale ofron njohjen eksperimentale dhe krijon shkencat si fizikën dhe kiminë. Metoda racionale ofron njohje racionale dhe krijon shkencat si filozofinë, logjikën dhe matematikën. Metoda e transmetimit ofron njohjen e transmetimit dhe krijon shkencat si shkenca e hadithit dhe historinë. Prandaj, mes metodës të cilën e ndjek njeriu për të fituar njohje dhe llojit të njohjes, ekziston lidhje e drejtpërdrejtë.