Shkurt 03, 2016 11:53 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth vështrimit të fesë ndaj botës dhe jetës materialiste që e bënë të dallueshëm ndodhjen e sekularizmit në të menduarin dhe kulturën islame nga ajo perëndimore.

Miq të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame” ku do të flasim rreth mënyrës së vështrimit të fesë ndaj botës dhe jetës materiale.

 

Shumë faktorë kryesorë që në botën perëndimore janë bërë shkak për shfaqjen e sekularizmit, nuk mund të gjejnë shembull konkretë në të menduarin islam. Në edicionet e kaluara kemi numëruar disa prej dallimeve mes kulturës dhe të menduarit të krishterë me kulturën dhe të menduarit islam. Dallimi në qasjen në librin qiellor të pashtrembëruar, lloji marrëdhënies së shkencës dhe fesë, si dhe lidhja mes mendjes dhe besimit, ishin disa prej këtyre dallimeve të numëruara. Në këtë edicion do të flasim rreth një mësimi të fesë islame i cili i ndryshon kushtet e ndodhjes së sekularizmit në kulturën dhe të menduarin islam nga ato të kulturës perëndimore.

 

Vështrimi që ka feja krishtere ndaj jetës së kësaj bote është manifestuar në murgëri. Të gjithë të krishterët nuk e zgjedhin jetën e murgërisë, mirëpo sipas burimeve historike mësohet se që nga shekulli i parë i erës së re, në mesin e të krishterëve ka ekzistuar murgëria në formë individuale dhe kolektive. Megjithëkëtë kjo formë arriti kulmin e përhapjes që shekulli i tretë. Murgjit e krishterë për tu thelluar më shumë në moralin shpirtëror dhe në gnosticizëm, gjithnjë kanë zgjedhur të vetmohen në manastire dhe në ambiente të tjera fetare. Ata e konsiderojnë të ndaluar për veten kontaktin me jashtë dhe interesimin ndaj kësaj bote dhe ndaj çështjeve materiale. Në shumë raste ata nuk marrin në pronësi asgjë, ndërsa largohen edhe nga martesa dhe formimi i familjes. Në shkollën e të menduarit katolik, priftërinjtë dhe klerikët nuk lejohen të martohen. Poles i cili ka shkruar një pjesë të madhe të Ingjilit, ka jetuar i pamartuar dhe ka thënë: “Dëshira ime është kjo që ju të qëndroni larg nga çfarëdo brenge. Njeriu i pamartuar më tepër interesohet për çështje hyjnore dhe dëshiron ta bëjë të kënaqur Zotin me veprat e tij. Mirëpo njeriu i martuar interesohet më tepër për çështjet e kësaj bote dhe dëshiron që ta kënaq bashkëshorten e tij, prandaj për këtë arsye ai tërhiqet në dy drejtime. Unë, këtë e them për të mirën tuaj, por qëllimi im nuk është që të vendos kushte për ju, por dëshiroj që ju të bëni atë çfarë është e drejtë dhe pa kurrfarë brenge tjetër, të gjithë kohën të përkushtoheni në adhurimin e Zotit”. Ky pretendim i Poles jepet në kohën kur dishepullit e Haretit Isa a.s. kanë qenë të martuar dhe nuk kanë qenë murgj. Megjithëkëtë mendimi të cilin e predikonte Poles është përhapur më shumë se veprimet e shokëve më të afërt të Hazretit Isa a.s..

 

Shfaqja dhe vazhdimi i stilit të jetës si murgj përgjatë shekujve tregon se në të menduarin krishterë ekziston një bazë e pranuar rreth qortimit të kësaj bote. Zgjedhja e jetës si murg nga ana e personaliteteve të mëdha së krishtere në realitet dërgon këtë mesazh që duke u larguar nga kjo botë dhe nga dëshirat e egos, njeriu mund të arrijë në shkallë të larta të besimit dhe të lumturisë në botën tjetër. Në bazë të mësimeve të fesë së krishterë, bota konsiderohet një faktor i qortuar dhe prania e njeriut në botë është rezultat i mëkatit të njeriut të parë Ademit a.s., prandaj largimi nga kënaqësitë e kësaj bote është më mirë për lumturinë e njeriut dhe udhëzimin e tij. Ky vështrim ndaj jetës së kësaj bote është bërë shkak për shfaqjen e protestantizmit në shekullin 16. Martin Loter, themelues i shkollës protestante, nuk pranon këtë mendim dhe besonte se martesa dhe shfrytëzimi i të mirave të kësaj bote nuk është në dëm të njeriut. Martin Loter ka theksuar se njeriu duhet të lejohen priftërinjtë që të martohen.

 

Edhe pse shkolla protestante krijoi një term në bindjet e udhëheqësve të krishterë rreth murgjinë, mirëpo katolikët dhe ortodoksët vazhduan të theksojnë mbi superioritetin e jetës murgjiste në manastire. Sidoqoftë ky mendim ka sunduar për 16 shekuj në botën krishtere pa kurrfarë konkurrence. Një metodë e tillë është në kontradiktë me natyrën qenësore të njeriut dhe për këtë arsye kanë ndodhur shumës shtrembërime nga aspekti moral dhe ekonomik në kisha. Këto shtrembërime po vazhdojnë edhe sot dhe duke marrë parasysh mediat grupore, informacionet rreth tyre nuk mund të mbahen sekret. Papa gjithashtu duke shprehur turp, po konfirmon informacione të tilla. Sundimi i këtij të menduari në botën e krishterë konsiderohet faktor tjetër në shfaqjen e idesë për ndarjen e fesë nga sferat e ndryshme të jetës. T; gjitha fetë qiellore dhe profetët e Zotit kanë ftuar njerëzi drejt udhëzimit dhe të mirës dhe padyshim që Zoti i cili është Krijues i njeriut, nuk ka urdhëruar asgjë në kundërshtim me natyrën qenësore të njeriut. Mësimet e profetëve të Zotit para Profetit Muhamed s.a.v.s., sipas dëshmive historike, kanë pësuar ndryshime dhe shtrembërime. Për shkak të pamundësisë së njeriut në ruajtjen e mësimeve hyjnore nga shtrembërimi, gjatë periudhave historike janë dërguar profetë të tjerë për udhëzimin e njerëzimit. Islami që është feja e fundit hyjnore është shpallur në kohën kur shoqëria njerëzore kishte kapacitetin e nevojshëm për të ruajtur trashëgimitë e saj. Sipas mendimtarëve dhe historianëve, libri qiellor i myslimanëve që nga koha e shpalljes dhe deri më tani nuk pa pësuar kurrfarë ndryshimi. Mësimet e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. janë mbrojtur nga shtrembërimet edhe nëpërmjet pranisë së imamëve masum (a.s.) që nga koha e Ehli Bejtit (a.s.) deri dy shekuj pas vdekjes së Profetit s.a.v.s. Tani të shikojmë se feja islame si feja e fundit e shpallur nga Zoti çfarë pikëpamje dhe qëndrimi ka ndaj kësaj bote dhe shfrytëzimit të begative të saj.

 

Në të menduarin burimor islam, bota dhe begatitë e saj materiale në vetvete jo vetëm që nuk janë të qortuara, por ato konsiderohen edhe mjet për edukimin dhe lumturinë e njeriut. Ajo që në Islam prezantohet si asketizëm ka domethënie të veçantë që do ta prezantojmë në vazhdim. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: “Bota është fushë në të cilën mbillen gjërat për botën tjetër”. Njeriu gjatë jetës në këtë botë dhe në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, ka mundësi të mëdha për arritjen e përkryerjes në aspekte të ndryshme. Gjithashtu në mësimet islame largimi nga bota nuk do të thotë largimi nga kënaqësitë e kësaj bote dhe nga marrëdhëniet shoqërore. Kur’ani i shenjtë në lidhje me atë besimtarë të krishterë të cilët ndjekin rrugën e murgërisë ka thënë: “Murgëria (largimi nga bota) është rrugë të cilën e kanë shpikur vet ata, ne nuk kemi urdhëruar një gjë të tillë për ata”. (Surja Hadid, 27). Profeti s.a.v.s. gjithashtu ka thënë. “Nuk ka robëri në Islam”. Zoti i madhëruar në Kur’anin e shenjtë ka kujtuar begatitë materiale të kësaj bote si bashkëshortja dhe fëmijët, natyra dhe llojet e ndryshme të ushqimeve të lejuara të cilat i ka quajtur argumente hyjnore. Në Kur’anin e shenjtë nganjëherë Zoti edhe betohet në këto begati dhe shfrytëzimi i tyre në kuadër të limiteve të natyrës qenësore të njeriut jo vetëm që është lejuar për edhe është obliguar. Prandaj, sipas ajeteve kur’anore dhe transmetimeve profetike, njeriu nuk ka të drejtë të ndalojë veten plotësisht nga këto begati të kësaj bote. Imam Xhafer Sadik (a.s.) ka thënë: “Myslimani i mençur e meriton që të bëjë përpjekje për sigurimin e nevojave të jetës, të punojë për tu përgatitur për botën tjetër; dhe të arri kënaqësi me gjërat e lejuara”. Islami për murgjit dhe ata që janë larguar nga kjo botë, jo vetëm që nuk e konsideron veti pozitive vetminë dhe jo martesën, por e ka dënuar dhe ndaluar një veprim të tillë. Profeti s.a.v.s. ka thënë: “Kur një person të shkojë për të kërkuar dorën e një femre dhe ka moral të mirë dhe është fetar, pranojeni kërkesën e tij, sepse nëse nuk veproni kështu atëherë toka do të mbushet me intriga dhe degjenerim”. Ndërkohë, Zoti i madhëruar në Kur’an thotë: “Dhe prej argumenteve hyjnore është se Ai ka krijuar femrat si bashkëshorte për meshkujt në mënyrë që ata të qetësohen pranë tyre dhe mes juve ka vendosur dashurinë dhe mëshirën. Me të vërtetë në këtë begati ka shenjë për ata të cilët mendojnë”. (Surja Rum, ajeti 21).

 

Në mësimet islame nuk është qortuar as dashuria ndaj këtyre begative. Dashuria të cilën Zoti e ka vendosur në qenien e njeriut nuk është e paqëllimtë. Mendimtari i njohur iranian Mortaza Motahari në lidhje me këtë ka thënë: “Atë çfarë e konsideron të qortuar Kur’ani i shenjtë është varësia, kënaqësia dhe mjaftueshmëria vetëm me çështjet e kësaj bote materiale. Në Islam qortohet mendimi që konsideron botën materiale qëllim final të njeriut, sepse kjo e pengon njeriun nga arritja në lumturinë e përhershme. Kur’ani i shenjtë i përshkruan në këtë mënyrë ata që ndjekin këtë mendim: “Ata të cilët nuk kanë shpresë të takohen me Zotin dhe janë të kënaqur me jetën në këtë botë dhe ata që neglizhojnë argumentet tona”. (Junes ajeti 7). Në këtë ajet qortohet kënaqësia, mjaftueshmëria dhe qetësimi në të mirat materiale. Kjo është mënyrë e qortimit të botë”. Prandaj asketizmi në Islam do të thotë që njeriu botën materiale mos ta vendos qëllim final të përkryerjes së tij, por të vetëdijesohet për qenien e tij njerëzore. Njeriu përkryerjen finale duhet ta konsiderojë lumturinë në botën tjetër dhe arritjen e pëlqimit hyjnor, ndërsa të mirat materiale në këtë rrugë duhet t’i shfrytëzojë në bazë të natyrës së tij qenësore. Respektimi i mësimeve islame bënë që instinktet e njeriut të udhëzohen drejt përkryerjes së njeriut. Përkufizimi që ofron Islami ndaj asketizmit është bërë shkak që besimtarët myslimanë mos të jenë pasiv ndaj botës. Prandaj nga pikëpamja islame, bota nuk konsiderohet një fenomen në kundërshtim me natyrën qenësore të njeriut.