Roli i ideve humaniste në shfaqjen e sekularizmit
Zhvillimet intelektuale që ndodhen në perëndim gjatë periudhës së iluminizmit, në realitet ishin reagim ndaj lëvizjeve intelektuale të shekujve të Mesjetës në Evropë.
Në edicionet e kaluara thamë se sekularizmi në kuptim të përgjithshëm do të thotë ndarja e fesë nga sfera e jetës së njeriut dhe reduktimi i saj në dëshirën individuale dhe ky është produkt i rrethanave kulturore dhe historike në perëndim. Zhvillimet intelektuale që ndodhen në perëndim gjatë periudhës së iluminizmit, në realitet ishin reagim ndaj lëvizjeve intelektuale të shekujve të Mesjetës në Evropë. Këto lëvizje intelektuale buruan nga zhvillimet historike dhe shoqërore në Evropë gjatë njëmijë viteve të Mesjetës (476 deri në vitin 1492). Një vështrim i shkurt mbi historinë e kulturës dhe të menduarit në perëndim tregon se secila prej karakteristikave të sekularizmit është reflektim i reagimeve dhe veprimeve që u bënë nga udhëheqësit e Kishës në emër të fesë krishtere gjatë periudhës së Mesjetës. Para kësaj, kemi shqyrtuar disa faktorë që ndikuan në shfaqjen e sekularizmit në kulturën perëndimore dhe kemi paraqitur dallimet e kulturës dhe të menduarit islam me ato. Përballja e mendjes dhe besimit, e fesë dhe botës, si dhe disharmonia e shkencave të reja me mësimet e fesë krishtere, janë disa prej karakteristikave të kulturës së perëndimit të cilat u bënë shkak që të menduarit e perëndimorëve të anojë drejt sekularizmit. Mirëpo ata të cilët kanë njohuri deri diku me fenë islame, pohojnë se këto karakteristika nuk mund të përgjithësohen në botën islame. Në të menduarin islam, mendja ka një pozitë të veçantë deri në atë masë saqë besimi pa mendjen dhe logjikën, konsiderohet i papranueshëm. Gjithashtu bota në mësimet islame është djep për edukimin e njeriut të lumtur dhe Zoti në mënyrë të objektivizuar, në qenien e njeriut ka vendosur dëshirat materiale dhe interesimin për këtë botë. Prandaj feja dhe bota nuk janë të pozicionuara kundër njëra-tjetrës, por rruga për afrimin e njeriut pranë Zotit dhe arritjen e tij në lumturinë e përhershme, kalon pikërisht nëpërmjet kësaj jete materiale dhe natyrisht me udhëzimet hyjnore. Pas shqyrtimit të shkaqeve të formimit të sekularizmit, do të shqyrtojmë bazat mendore dhe ideologjike të sekularizmit. Mendimtarët konsiderojnë se humanizmi është një prej bazave themelore dhe të rëndësishme në të menduarin sekularist. Edha baza të tjera janë caktuar për sekularizmin dhe shqyrtimi i tyre do të lehtësohet më tepër pasi të shqyrtohet humanizmi. Bazat më të rëndësishme të sekularizmit janë scientizmi, pozitivizmi, liberalizmi dhe racionalizmi të cilat do t’i shqyrtojmë në edicionet e ardhshme dhe do të bëjmë një krahasim të tyre me mësimet islame. Në lidhje me identitetin e vërtetë të njeriut, kapacitetet dhe talentet e tij, ekzistojnë pikëpamje të ndryshme.
Në një pikëpamje e cila është e njohur me emrin humanizëm, njeriu është përkufizuar si një qenie e pavarur, e pa lidhur me Zotin dhe botën tjetër. Në këtë teori pretendohet se njeriu duke u mbështetur në kapacitetet e tij njerëzore, duhet ta gjejë rrugën për të arritur në lumturi e cila përfshinë lumturinë dhe forcën në këtë botë materiale. Njeriu është një qenie që posedon lirinë e zgjedhjes, posedon forcën absolute dhe që është i dorëzuar plotësisht tek vetja e tij, prandaj ai është i liruar nga çfarëdo lloj detyrimi dhe obligimi që mund të vije jashtë dëshirës dhe kërkesës së tij. Humanizmi e konsideron njeriun si një qenie që nuk ka nevojë për Zotin dhe udhëzimet e Tij dhe thotë se njeriu është boshti kryesor i botës, prandaj dëshira dhe vullneti i tij duhet të jetë bazë e ligjeve dhe marrëdhënieve të botës. Kjo shkollë e të menduarit mohon çfarëdo përpjekjeje metafizike për zgjidhjen e problemeve njerëzore dhe për të shpjeguar realitetin e ekzistencës. Me fjalën humanizëm në fillim quhej një lëvizje kulturore në periudhën e renesancës, qëllimi i së cilës ishte ky që duke u bazuar në tekstet klasike të Greqisë së vjetër, mundohej të zbulonte forcat e brendshme të njeriut dhe të nxjerrë shkencën, jetën morale dhe fetare të njerëzve nga kontrolli i Kishës. Mirëpo me kalimin e kohës humanizmi gjeti një kuptim më të gjerë dhe ushtroi ndikim mbi sfera të ndryshme të politikës, kulturës, filozofisë dhe shkencave të tjera. Me fjalë të tjera, të menduarin e sotshëm të perëndimit nuk mund ta interpretojmë në mënyrë të ndarë nga reflektimet e humanizmit. Në të menduarin e Greqisë së vjetër, njeriu dhe atributet e tij ishin bosht kryesor. Edhe hynit dhe zotat kishin formë dhe personifikim njerëzor. Temë e arteve dhe ideve ishte vazhdimisht njeriu dhe kapacitetet e tij dhe sofistët që ishin të urtët e Greqisë, njeriun e konsideronin standard të çdo gjëje, mirëpo për shkak të ekstremizmit të ndjekur në këtë të menduar, ata kaluan në sferën e dyshimeve dhe të dilemave. Me rënien e kulturës së Greqisë dhe përhapjen e interpretimit të kishës së krishterë, situata u ndryshua tërësisht dhe antropologjia krishtere ngadhënjeu mbi antropologjinë nën ndikimin e kulturës greke. Njeriu sipas interpretimit të Kishës, ishte një qenie që për shkak të mëkatit të Ademit në parajsë, ka ardhur në këtë botë mëkatar, ndërsa mendja dhe të menduarit e tij nuk luajnë rol në lumturinë dhe vuajtjen e tij, prandaj është më mirë që mendja dhe të menduarit të pushohet plotësisht së funksionuari. Në interpretimin e Kishës gjatë shekujve të mesjetës rreth njeriut, dëshirat natyrore dhe instinkti i njeriut janë pengesë në arritjen e besimit të plotë dhe për këtë shkak klerikët për të arritur në shkallët më të larta të besimit, duhet të largohen nga këto dëshira. Në realitet, humanizmi dhe rikthimi në bindjet humaniste të grekëve të vjetër, ishte reagim ndaj vështrimit të mbyllur dhe irracional të Kishës ndaj njeriut, ndaj aftësive dhe natyrës arbitrare të tij. Humanistët në mënyrë të qartë pohonin se privilegjet dhe të drejtat nga të cilat Kisha e ka privuar njeriun gjatë shekujve të mesjetës, duhet t’i rikthehen përsëri njeriut. Kritika të shumta janë bërë ndaj humanizmit që shumica e tyre u janë drejtuar humanistëve ekstremë të cilët insistonin në aftësitë e njeriut dhe anashkalonin kufizimet e mendjes dhe eksperiencës njerëzore. Kritikët thonë se mos reflektimi në këtë kufizim dhe këto mangësi është bërë shkak që individi dhe shoqëria moderne të përballet me dëme dhe kriza serioze. Shqyrtimi i kritikave që kanë bërë mendimtarët ndaj humanizmit, kërkon një sferë më të gjerë se sa një edicion të këtij programi. Me këtë rast do të paraqesim vetëm disa dallime të humanizmit me mësimet islame në mënyrë që të bëhet e qartë se ky lloj i të menduari çfarë pozite ka në përballje me mësimet islame.
Sipas mësimeve islame, Zoti është boshti i botës së ekzistencës dhe jo njeriu. Mirëpo fakti se njeriu nuk është bosht i ekzistencës, jo vetëm që nuk është në kundërshtim me pozitën e njeriut, por e vendos atë në një pozitë në të cilën nuk kanë arritur shkollat të tjera të të menduarit. Njeriu në fenë islame nuk është vetëm një qenie materiale, por posedon edhe shpirtin nga i cili varet njerëzia e tij. Njeriu është një qenie e amshueshme që ka ardhur në këtë botë i pastër nga çfarëdo ndotësie që Zoti me profetin e brendshëm do të thotë mendjen dhe me profetin e jashtëm do të thotë të dërguarin e Zotit, e udhëzon atë drejt lumturisë së amshueshme. Jeta e njeriut nuk përfundon me vdekjen, sepse jeta e tij e vërtetë fillon pas vdekjes dhe në botën tjetër. Kur’ani i shenjtë, e quan njeriun krijesën më të nderuar dhe më të ngritur, si dhe zëvendës të Zotit në tokë. Njeriu është një krijesë që edhe engjëjt pranë Fronit Hyjnor janë përulur përpara madhështisë së tij, ndërsa Zoti të gjitha mirësitë dhe mundësitë e botës i ka nënshtruar para tij në mënyrë që ai të arrijë në lumturinë e amshueshme. Njeriu është krijesa më e afërt me Krijuesin natyrisht nëse do të ndjek rrugën e udhëzimit, ndërsa nëse e ndjek rrugën e shtrembërimit, atëherë do të jetë më i ulët nga të gjitha krijesat e tjera. Njeriu është i lirë në zgjedhjen e kësaj rruge. Më parë kemi thënë se sipas pikëpamjeve islame, mendja dhe të menduarit e njeriut kanë vlerë shumë të madhe dhe besimi që nuk bazohet në mendje, është i papranueshëm. Mirëpo mendja e eksperienca e njeriut, gjithashtu ka edhe disa kufizime dhe në përgjithësi nuk është e pastër nga gabimi. Gjithnjë koha ka treguar se shkenca njerëzore mund të gabojë. Përveç kësaj, njeriu islam, nuk është vetëm një qenie materiale që e gjithë e vërteta e tij të përshkruhet në jetën e botës materiale. Njeriu nuk është i këputur nga fillimi dhe bota tjetër dhe e vërteta e jetës për atë do të ndodhë në një botë më superiore se bota materiale. Mirëpo mendja e njeriut për të njohur marrëdhëniet e kësaj bote me botën e tjetër, për ta njohur shpirtin, nevojat dhe faktorët e lumturisë së tij të amshueshme, ka nevojë për shpallje hyjnore. Njeriu nuk është krijues, por vet ai dhe bota në të cilën jeton me të gjitha ligjet që sundojnë mbi atë, janë krijesa të Zotit i cili nuk kryen asnjë veprim pa qëllim. Nga pikëpamja e Kur’anit të shenjtë, vlerat morale të njeriut nuk i nënshtrohen dëshirave dhe kërkesave të tij, por ato janë në bazë të lidhjes së tij me krijesat e tjera të botës dhe ndikimit të veprimeve të njeriut ndaj krijesave të botës, si dhe në bazë të lidhjes së veprimeve të tij dhe ndikimit të tyre në jetën dhe lumturinë e amshueshme të botës tjetër. Prandaj, kritika e rëndësishme që është bërë nga pikëpamja e mësimeve islame ndaj humanizmit perëndimor, është përkufizimi tërësisht material i njeriut dhe anashkalimi i personalitetit të vërtetë të njeriut dhe thelbit spiritual të tij. Mendimtari i njohur iranian Morteza Motahari thotë: “Njeriu nga pikëpamja perëndimore ka shënuar rënie deri në nivel të një makine dhe është mohuar shpirti dhe origjina e tij”. Thamë se humanizmi ishte një lloj reagimi kundër mospërfilljes disa shekullore të njeriut dhe aftësive të tij nga Kisha. Kthimi i ngutur në të menduarin e grekëve të vjetër, vendosja e njeriut në pozitën e Zotit, heqja e fesë dhe theksimi mbi aftësitë materiale të njeriut, janë rezultat i interpretimit të gabuar të Kishës. Ky vështrim ndaj njeriut nuk ka vend në Islam. Nga pikëpamja e Islamit, interpretimi i shekujve të mesjetës rreth njeriut është aq shumë larg të vërtetës sa është edhe interpretimi humanist ndaj tij. Prandaj, humanizmi si një prej bazave të rëndësishme të sekularizmit, nuk mund të gjejë kuptim në të menduarin islam për shkak të llojit të interpretimit të Islamit rreth njeriut.