Gusht 18, 2016 12:29 CET

Çudia dhe befasia, janë karakteristika të tjera të letërsisë popullore. Lexuesi gjatë gjithë tregimit ndjen që transmetuesi i tregimit mundohet që më ngjarje të papritura dhe të jashtëzakonshme, të çudisë lexuesit. 

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane. 
Në edicionet e kaluara kemi folur rreth karakteristikave të tregimeve popullore dhe në këtë kuadër kemi shqyrtuar disa karakteristika të tyre si roli i transmetuesit, ngjarjet e jashtëzakonshme, absolutizmi dhe mosekzistenca e kohës dhe vendit të caktuar. Një prej karakteristikave të tjera të tregimeve popullore është gjithëpërfshirja. Në tregimet popullore mjaftohet vetëm me përfshirjen në përgjithësi të rrethanave dhe situatave, ndërsa nuk i kushtohet vëmendje dhe specifikat shpirtërore dhe morale të personazheve. Në këto tregime shpjegimi i ngjarjeve dhe i çështjeve bëhet në formë të përgjithshme. Për shembull një mbret ka dy fëmijë, njëri i mirë dhe tjetri është i keq. Nuk përmendet arsyeja për të cilën njëri është i keq dhe tjetri është i mirë. Virtytet e individëve kryesisht kanë aspekt të përgjithshëm, për shembull virtyti i trimërisë dhe bujarisë së Rostamit (heroit të Shahnames së Ferdosit) që nga lindje e shoqëron heroin e tregimit dhe mund të përputhet edhe me çdo individ tjetër përveç Rostamit. Nëse bëhet ndonjë ndryshim në virtytin e heroizmit ose të personazhit të ligësisë, ky ndryshim bëhet vetëm në sjelljen e tij, por nuk është ndonjë ndryshim fondamental. Në tregimet popullore, personazhet janë shembuj të përgjithshëm të këtyre virtyteve të përgjithshme dhe të vizioneve të përgjithshme. Kjo përfshirje e përgjithshme është bërë shkak që personazhet të ndahen nga njerëzit e zakonshëm dhe të prezantohen si shëmbëlltyrë e virtyteve të përgjithshme. 
Një tjetër karakteristikë e tregimeve popullore është kjo që personazhet e këtyre tregimeve janë të njëjtë në të folur. Në këto tregime, heronjtë nuk mund të dallohen nga metoda e të folurit. Nuk ka dallim mes princit të edukuar dhe të arsimuar dhe popullit të thjeshtë. Grat flasin sikur burrat dhe fëmijët sikur të mëdhenjtë. Në këto tregime nga bisedat mes personazheve, nuk mund të kuptohen karakteristikat morale dhe sjelljet e personazheve.
Fati dhe përcaktimi në tregimet popullore luan rolin themelor. Personazhet e këtyre tregimeve nuk të ikin nga fati i tyre i vulosur dhe i përfunduar. Personazhet vetëm kanë fat të ndryshëm. Sipas mendimit të shumë studiuesve të tregimeve popullore, heroi i vërtetë i këtyre tregimeve është caktimi dhe fati. Personazhet e tregimeve popullore të gjithë janë vegël në dorën e fatit dhe si një fije kashtë rrotullohen në duart e fatit. Çudia dhe befasia, janë karakteristika të tjera të letërsisë popullore. Lexuesi gjatë gjithë tregimit ndjen që transmetuesi i tregimit mundohet më ngjarje të papritura dhe të jashtëzakonshme, ta çudisë lexuesit. Mund të ndodhë që ky pasion të buron nga ky fakt që këto tregime janë krijuar për tu folur dhe për tu transmetuar dhe pastaj janë paraqitur në formën e shkruar. Transmetuesi i këtyre tregimeve ishte i sigurt se në secilin kuvend të transmetimit do të ketë dëgjues të rinj dhe transmetimi i këtyre ngjarjeve do të ketë risi për atë. 
Një tjetër karakteristikë e tregimeve popullore është pavarësia e ngjarjeve. Tregimet e gjata popullore janë të përbëra nga ngjarje të pavarura dhe këto ngjarje njëkohësisht me faktin se janë gati të plota, kanë një lidhje indirekte me njëra-tjetrën dhe në këtë mënyrë krijojnë planin fillestar të tregimeve të gjata.
Miq të dashur vazhdimin e temës do ta lëmë për edicionin e ardhshëm, ndërsa tani po paraqesim tregimin e javës. Në këtë tregim janë përdorur veprime të jashtëzakonshme, miq të jashtëzakonshëm dhe kafshë mirënjohëse të cilat konsiderohen karakteristika të tregimeve popullore. Sipas transmetimeve të shënuara nga Arne Tompson, ky tregim është transmetuar në metoda dhe gjuhë të ndryshme si në gjuhën suedeze, skoceze, franceze, polake, turke, spanjolle, finlandeze, ruse, gjermane etj..
Në një kohë një mbret kishte një vajzë e cila në mirësi dhe bukuri kishte krijuar një famë në të gjithë vendin. Mirëpo familja e saj kishte vendosur kushte shumë të vështira për martesën e saj dhe çdo kush që kërkonte dorën e saj përballej me kushte aq të vështira saqë pendohej për këtë vendim dhe ikte me vrap. Një ditë një burrë tullac vendosi pesë bukë në torbën e tij dhe u nis të shkojë për të kërkuar dorën e vajzës së mbretit. Gjatë rrugës duke ecur, arriti në një pyll. Ai në mes të pyllit e pa një Div i cili kërciste dhëmbët sikur të mos ketë ngrënë asgjë për disa ditë. Ai tha me vete: “Kjo kafshë është e uritur, është mirë që t’i japë këto bukë”. Tullaci hapi torbën në të cilën kishte vendosur bukët dhe ia dha ato Divit dhe dëshiroi që të largohet, mirëpo Divi u kthye drejt tullacit dhe i tha: “O tullac shkëput nga unë një qime dhe shko!” Burri pa flok tha: “Çka më duhet qimja e flokut tënd?” Divi tha: “Më në fund një ditë do të duhet”. Burri pa flokë shkëputi një qime nga floku i Divit dhe u nis rrugës së tij. Gjatë rrugës, arriti pranë një burimi të ujit. Një Div tjetër qëndronte pranë burimit të ujit dhe dridhej nga të ftohtit dhe i dridheshin dhëmbët sikur të ishte mesi i dimrit. Tullaci tha me vete: “Kjo kafshë ka të ftohtë, prandaj është mirë që t’i jap setrën time, sepse ai ka të ftohtë më shumë se unë”. Kështu tullaci hoqi setrën e tij dhe e vendosi atë mbi supet e divit dhe deshi të largohej, mirëpo Divi i tha atij: “O djalosh i ri shkule nga unë një qime dhe merre me vete. Tullaci tha: “Po për çfarë më duhet qimja jote?!” Divi tha: “Tani ti merre një qime nga unë, ndoshta një ditë do të duhet!”. Tullaci shkuli një qime nga Divi dhe u nis të vazhdojë rrugën. Gjatë rrugës arriti pranë një lumi ku pa një rresht milingona që mundoheshin të kalonin lumin, mirëpo njëra pas tjetrës binin në ujë dhe mbyteshin. Tullaci mori një shkop të gjatë dhe ndërtoi një urë pranë milingonave. Pastaj dëshiroi të vazhdojë rrugën, por papritur dëgjoi një zë. E pa që pranë veshit të tij ndodhej një milingonë e cila i tha atij: “O djalosh i ri, shkule një qime nga unë dhe pastaj shko!”. Tullaci tha: “Për çfarë më duhet qimja jote?!” Milingona i tha: “Unë jam mbreti i milingonave dhe nuk do të harroj këtë të mirë që ke bërë për milingonat, ndoshta një ditë edhe ne mund të ndihmojmë ty”. Tullaci shkëputi një qime edhe nga milingona dhe e vendosi atë në faculetën e tij pranë qimeve të divit, pastaj u nis të vazhdojë rrugën. Eci e eci derisa arriti pranë pallatit të mbretit. Trokiti në portë dhe dikush doli e pyeti: “O djalosh i ri çfarë dëshiron?” Tullaci tha: “Kam ardhur të kërkoi dorën e vajzës së mbretit”. Personi pyeti: “Për kënd e kërkon dorën e vajzës së mbretit?” Tullaci tha: “Mirë, dihet se për kënd, për vete”. Personi shkoi dhe e informoi mbretin për këtë duke thënë: “Qoftë me shëndet mbreti, një tullac ka ardhur të kërkojë dorën e vajzës së mbretit”. Mbreti tha: “Shkoni përgatitni hamamin (banjën) dhe hidheni tullacin në hamam!” Tani dëgjoni se çfarë ishte ai hamam. Mbreti kishte urdhëruar të ndërtohej një hamam, ujin e të cilit e ngrohnin shtatë ditë e shtatë net dhe çdo njeri që vinte për të kërkuar dorën e vajzës së mbretit, e hidhnin atë në hamam dhe askush nuk dilte gjallë nga ky hamam. Tullacin e drejtuan drejt hamamit dhe i treguan atij portën e hamamit duke i thënë: “Nëse kërkon dorën e vajzës së mbretit, sëpari duhet të pastrohesh në këtë hamam. Tullaci pasi u afrua pranë hamamit, e kuptoi se për çfarë bëhet fjalë sepse njeriu nuk mund të dilte gjallë nga aty. Muret e hamamit ishin skuqur nga ngrohtësia dhe pishina ishte mbushur plotë me ujë të ngrohtë dhe vlonte nga i nxehti. Papritur ju kujtua Divi i dytë që kishte takuar në rrugë. E dogji qimen e tij dhe sa qel e mbyll sytë ju shfaq Divi dhe i tha atij: “O djalosh i ri çfarë urdhri ke për mua?”. Tullaci i tregoi atij hamamin dhe ngjarjen me të cilën ishte përballur. Divi i tha atij: “Mos u shqetëso!” Pastaj mori një frymë të thellë dhe futi të gjithë ngrohtësinë e hamamit brenda në gjoksin e tij dhe në këtë mënyrë hamami u freskua. Të nesërmen njerëzit e mbretit erdhën e hapën derën dhe e shikuan tullacin i cili kishte shkuar në mes të pishinës dhe i gjithë hamami ishte freskuar. U kthyen dhe e informuan mbretin për ngjarjen. Mbreti tha: “Nuk ka problem, shkoni përgatiteni një ushqim me 300 kg oriz dhe me 300 kg mish dhe tregoni atij se duhet të hajë të gjithë ushqimin, përndryshe do t’i këpusim kokën!” Njerëzit e mbretit erdhën pranë tullacit dhe i treguan atij kushtin. Tullaci kur e kuptoi këtë kusht, vendosi dorën mbi kokën e tij pa flokë dhe në këtë çast iu kujtua Divi i parë. Nxori qimen e Divit të parë dhe e dogji atë në zjarrin e oxhakut. Sa qel e mbyll sytë iu paraqit Divi i parë. Njerëzit e mbretit kishin vendosur të gjithë ushqimin në tepsia dhe tabakë. Divi i uritur dhe me oreks të madh hëngri të gjithë ushqimin. Njerëzit e mbretit shkuan dhe e informuan mbretin se tullaci kishte plotësuar kushtin. Mbreti tha: “Mirë tani do të vendosim një kusht nga cili tullaci nuk do të shpëtojë gjallë”. (Vazhdon në edicionin e ardhshëm).