Prill 20, 2018 09:47 CET

Në emër të Zotit Një, krijuesit të gjithësisë! Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Tregimet dhe legjendat iraniane”. Së pari, në vazhdim të edicionit të kaluar, do të flasim rreth artit të transmetimit si një prej degëve të letërsisë popullore persiane. Më pas së bashku me ju miq të nderuar do të shkojmë në botën e tregimeve iraniane dhe do të paraqesin një tregim.

Thamë se transmetuesit e tregimeve janë psikologë të mirë dhe duke marrë parasysh kushtet morale të publikut, realizojnë programin e tyre. Ata janë edhe artistë të talentuar dhe kanë talent të mirë për të ngjallur entuziazmin e publikut. Gjithashtu thamë se në transmetimin e tregimeve nuk është e domosdoshme që një tregim të përfundon në mënyrë të plotë që të fillojë pastaj një tregim tjetër. Nganjëherë dy ose disa tregime përzien me njëri-tjetrin dhe të gjithë përfundojnë në formë të një tregimi. Disa studiues besojnë se bazën e çdo vepre të re letrare duhet ta kërkojmë në të kaluarën, sidomos në traditat lindore. Ata besojnë se kjo karakteristikë e transmetimit të tregimeve, do të thotë përzierja e dy ose e më shumë tregimeve, mund të konsiderohet si rrënjë e tregimeve moderne të sotshme.

Burimet e punës së transmetuesve të tregimeve, janë të ndryshme në çdo sferë. Tregimet epike dhe kreshnike përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kulturës kombëtare të iranianëve dhe ekzistojnë tre lloj të transmetimeve që kanë mbetur nga ata: transmetimet e shkruara, transmetimet e transmetuesve gojor dhe transmetimet në papirus. Transmetimet e shkruara përbëjnë atë kategori të veprave të vjetra të cilat në formë të shkruar janë në dispozicion të të gjithë njerëzve duke përfshirë edhe transmetuesit. Kategoria e dytë, do të thotë transmetimet e transmetuesve, janë versione gojore të cilat nuk janë regjistruar në ndonjë vend, por janë transmetuar në mënyrë gojore nga një gjeneratë në tjetrën dhe nuk ekziston ndonjë studim i rëndësishëm në lidhje me ato, Në fund janë transmetimet në papirus të cilat janë mbledhur nga transmetimet gojore dhe janë shkruar.  

Transmetimet e shkruara të cilat janë prej burimeve që shfrytëzohen nga transmetuesit që përveç Shahnames të Firdosit, përfshinë edhe shumë burime të tjera si “Borzuname”, “Gershaspname”, “Bahmanname”, “Haft Pejker”, “Samname” dhe disa vepra të tjera që të gjitha janë poema epike dhe historike, ndërsa shumë prej tyre konsiderohen tekste të rëndësishme dhe me kredibilitet të poezisë persiane. Një kategori tjetër e këtyre burimeve të shkruara, janë tregimet popullore, si “Romuz Hamze”, “Samak Ajar”, “Husejn Kurd Shabastari”, “Abu Moslemname” dhe “Amir Arslan Namdar”. Disa prej këtyre tregimeve si “Samak Ajar” janë mbledhur nga versioni i një transmetuesi gojor me emrin Sedegh bin Abilkasem Shirazi. Në këtë libër është folur edhe për disa tradita të transmetimit të tregimeve si kërkimi i shpërblimit nga publiku. Samak Ajar është heroi kryesor i tregimit i cili ka jetuar në fund të periudhës së dinastisë Salxhuke. Libri “Samak Ajar” sipas shumë gjasave është shkruar në shekullin 6 hixhri kameri dhe konsiderohet një prej tregimeve më të rëndësishme kreshnike persiane.

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm ndërsa tani po kalojmë në botën e tregimeve dhe do të vazhdojmë tregimin e “Faramarzi mirënjohës” nga libri “Legjendat iraniane”.

Në edicionin e kaluar arritëm deri aty ku Faramarzi dhe zotëria i tij gjatë rrugës ishin ndalur të pushojnë dhe të kalojnë natën në një vend ku ndodhej depoja e ujit. Faramarz kishte dëgjuar bisedën mes ujkut dhe dhelprës dhe e kishte kuptuar se në qytet vajza e mbretit ishte çmendur dhe ilaçi për shërimin e saj është truri i qenit. Faramarzi për këtë arsye shkoi te bariu e bleu qenin dhe pasi e mbyti qenin, i mori trurin atij dhe shkoi në qytet pranë pallatit të mbretit dhe u prezantua si mjek.  

Rojet e çuan atë pranë mbretit. Faramarz e përshëndeti mbretin dhe i tha atij se ka ardhur për ta shëruar vajzën e mbretit. Mbreti i tha: “Nëse nuk ke sukses në shërim, ashtu si mjekët e tjerë, do të vritesh”. Faramarz tha: “Koka ime nuk është më e shtrenjtë se koka e atyre”. Mbreti pranoi dhe tha: “Tani çfarë ke nevojë?” Faramarzi tha: “Vetëm pak zjarr dhe një enë me uthull”. Mbreti urdhëroi që shpejtë të përgatisin çdo gjë. Pastaj e sollën vajzën e mbretit dhe ajo pasi ishte çmendur, kërceu dhe me kthetrat e saj goditi fytyrën dhe kokën e Faramarzit. Mirëpo ai mori pak tru të qenit të cilin e kishte bërë si ujë dhe vendosi në hundën e vajzës ndërsa gjysmë enën me uthull e derdhi mbi kokën e vajzës. Vajza u lëkund dhe tha: “Çfarë po bënë ky i panjohur këtu?” Faramarzi tha: “Më mirë është që të qetësohesh pak. Ai është një mjek dhe ka ardhur për të shëruar ty”. Pastaj i tha shërbëtorëve të lajmërojnë mbretin se vajza është shëruar. Mbreti dhe gruaja e tij erdhën dhe e panë që vajza e tij ishte kthyer në gjendje normale dhe ishte ulur në një qoshe. Pastaj me urdhër të mbretit të gjithë qytetin e ndriçuan dhe Faramarzin e ceremoni madhështore e dërguan pranë fronit mbretëror dhe mbreti i dha atij rroba. Mirëpo Faramarzi i refuzoi ata dhe tha se nuk i dëshiron. Mbreti tha se pasi që Faramarzi e ka shëruar vajzën e tij, ai duhet të martohej me atë. Mirëpo Faramarzi tha se nuk dëshiron grua, por ai ka një zotëri të ri që nëse mbreti dëshiron, mund ta martojë vajzën e tij me atë. Pastaj u kthye pranë zotërisë dhe i tregoi të gjithë ngjarjen atij dhe pastaj të dy së bashku u nisën në rrugë dhe shkuan në pallatin e mbretit. Mbreti urdhëroi të sjellin një karrige të floririt dhe djali u ulë në një vend të lartë. Mbreti i tha atij se duhet të martohet me vajzën e tij. Djali i tregtarit në fillim u paraqit se nuk dëshiron një gjë të tillë, por pastaj ra dakord. Vajza e mbretit u martua me djalin e tregtarit dhe për shtat ditë e shtatë net bënë dasmë. Pas një kohe, ata u nisën në rrugë me 50 barrë xhevahir dhe me dhjetë shërbëtorë dhe shërbëtore derisa arritën në një vend tjetër. Faramarzi tha: “Tani rri i qet, pasi që shërbëtorët u shtuan”. Karvani u ndal në atë vend. Faramarzi ashtu si zakonisht, u shtri mbi mallra. Në një kohë e pa një person që kishte marrë në dorë një kokë njeriu dhe po afrohej drejt tij. Kur arriti aty, kokën e hodhi pranë Faramarzit mbi mallra. Faramarzi nxori shpatën që t’i heqë kokën, mirëpo shpata goditi hundën e tij dhe një copë e hundës ra në tokë. Faramarzi shpejt mori copën e hundës dhe e vendosi në xhepin e vet. Të nesërmen kur gdhiu mëngjesi, ata hëngrën mëngjes dhe Faramarzi ngarkoi mallrat dhe karvani u nisë në rrugë derisa arritën pranë portës së një qyteti.

Roja e portës menjëherë pasi hapi portën, e pa që koka e djalit të mbretit është mbi mallra të karvanit. Ata arrestuan Faramarzin dhe e çuan në pallatin e mbretit dhe i thanë: “Ky njeri ka vrarë djalin e mbretit”. Mbreti urdhëroi që ta vrasin Faramarzin. Mirëpo Faramarzi tha: “Unë nuk kam vrarë njeri, mirëpo mund ta identifikojë vrasësin e djalit të mbretit. Mbreti duhet të urdhërojë që të gjithë njerëzit të kalojnë pranë në mënyrë që ai të mund ta identifikojë vrasësin”. Të gjithë njerëzit erdhën. Faramarzi tha: “Nuk janë këta, akoma ka mbetu një person”. Mbreti urdhëroi që të kontrollojnë më shumë dhe të shikojnë cili prej njerëzve mungon. Pastaj e informuan mbretin se vetëm djali i vezirit ka mbetur i cili është i sëmur dhe shtrirë në shtrat. Faramarzi tha: “Ai duhet të vjen!”. Mbreti urdhëroi që ta sjellin djalin e vezirit. Kur erdhi djali i vezirit, e kishte lidhur fytyrën me një shami. Faramarzi menjëherë pasi e pa atë, nxori hundën nga xhepi dhe tha: “Ky është vrasësi i djalit të mbretit”. Pastaj, Faramarzi i tregoi të gjithë ngjarjen e mbretit dhe mbreti urdhëroi që ta varin djalin e vezirit ndërsa Faramarzit i tha: “Pasi e gjete vrasësin e djalit tim, duhet të martohesh me vajzën time!”. Faramarzi tha se ai nuk dëshiron grua, por ka një zotëri të ri dhe mbreti nëse dëshiron, mund t’ia japë vajzën atij.

Miq të nderuar tregimin do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.

Tags